BE: Kosova as shtet as republikë Lavdim Hamidi

0
1014

(E plotësuar) Vëzhguesit ndërkombëtarë të Bashkimit Evropian(BE) të angazhuar për zgjedhjet lokale të mbajtura më 3 nëntor janë udhëzuar që në takime me bashkëbisedues të ndryshëm në asnjë mënyrë mos t’i referohen Kosovës si shtet ose republikë.

Për të mos u përsëritur parregullsitë në zgjedhjet lokale, si në zgjedhjet paraprake të organizuara në vend, BE ka dërguar në Kosovë mbi 100 vëzhgues.

Sipas një dokumenti të siguruar nga gazeta “Zëri” të përpiluar nga institucionet e Bashkimit Evropian, iu rekomandohet vëzhguesve të tyre që për shkak të ndjeshmërisë politike duhet t’iu përmbahen disa praktikave në bashkëbisedimet e ndryshme.

“Kur flitet për shtetin mundohuni të shmangni në takime me bashkëbiseduesit referimet për Kosovën si “shtet” ose “republikë”. Referojuni si territori i Kosovës”, thuhet mes tjerash në këtë dokument.

Ndërsa kur flitet për qytetarët, vëzhguesve u rekomandohet t’iu shmangen referimeve si qytetarë të Kosovës, por si popull i Kosovës.

Në këtë dokument po ashtu flitet edhe për emrat e vendbanimeve në Kosovë, ku u rekomandohet që të përdoren në dy gjuhë: shqip dhe serbisht.

“Kur iu referoheni emrave të vendeve, ju lutem ta keni parasysh se shumica e vendeve në Kosovë kanë emra shqip dhe serbisht. Në raportimin tonë të jashtëm, praktika është që të vendoset emri shqiptar, i përcjellë nga emri serb si: Pejë- Pe?, përveç në komunat me shumicë serbe, ku duhet të vendoset së pari emri serb, i përcjellë nga emri shqiptar si: Gra?anica- Graçanicë”.

BE u rekomandon vëzhguesve të vet që në takime me bashkëbisedues ta përdorin versionin më të përshtatshëm, varësisht prej përkatësive etnike. Për Prishtinën, sipas dokumentit, unike është drejtshkrimi në gjuhën angleze, që është i ndryshëm nga shqipja dhe serbishtja si: Pristina, dhe jo Prishtinë ose Priština.

Ndërsa shqiptimi në anglisht është i njëjtë me serbishten dhe gjithashtu për emrin “Kosovo” është i pranueshëm versioni në gjuhën angleze, i cili megjithatë, sipas këtij dokumenti, është i njëjtë me gjuhën serbe dhe në përgjithësi është i pranueshëm për shumicën e shqiptarëve. (Në shqip thuhet Kosova), potencohet në dokument.

Gjithashtu vëzhguesve u rekomandohet që gjatë kohës sa janë të angazhuar në zgjedhjet e 3 nëntorit mos t’i mbajnë flamujt e Kosovës, Serbisë, apo Shqipërisë.

Për këtë çështje gazeta “Zëri” të martën i ka dërguar edhe pyetje zyrës së shefi t të BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, mirëpo përgjegjësit për media të kësaj zyre janë përgjigjur se e kanë të vështirë të përgjigjen pa i ditur mirë detajet e një dokumenti të tillë, të siguruar nga gazeta “Zëri”.

Ndërsa, sipas një komunikate të përbashkët për shtyp të Zyrës së Zhbogarit, shefave të misioneve të shteteve anëtare të BE-së të pranishëm në Kosovë dhe shefi t të EULEX-it, pas raundit të parë të zgjedhjeve komunale të Kosovës 2013, thuhet se zgjedhjet lokale që për herë të parë janë mbajtur në të gjitha komunat e Kosovës, në përputhshmëri me ligjin e Kosovës, janë shënuar me një fushatë intensive, proces transparent dhe kanë dëshmuar qartë vendosmërinë e qytetarëve për të përzgjedhur liderët e tyre lokalë.

Për ish-shefin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve(KQZ), Mazllum Baraliu, një qasje e tillë e Bashkimit Evropian karshi institucioneve të Kosovës dhe qytetarëve është fyese dhe denigruese.

“Një qasje e tillë jo që është e papranueshme, por është fyese dhe denigruese. Ta kemi parasysh se zgjedhjet në vend janë organizuar sipas ligjeve të Kosovës”, ka potencuar Baraliu.

Edhe Shenoll Muharremi, njohës i çështjes së integrimeve, thotë për “Zërin” se BE do të duhej ta njohë Kosovën dhe ta trajtojë njësoj si çdo shtet tjetër të Ballkanit Perëndimor, mirëpo, sipas tij, probleme të mëdha në këtë drejtim shkaktojnë 5 vendet që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e vendit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu