Belle Air, sulmon tregun kosovar

0
777

Ashtu sikurse tregun e Shqipërisë, Belle Air ka nisur t’i shqetësojë me çmimet dumping edhe kompanitë ajrore kosovare. Tash sa ditë, kjo kompani sulmohet nga mediet shqiptare për prishje të tregut ajror dhe monopolit në këtë shtet.

Kohëve të fundit, kompania ajrore Belle Air është sulmuar shumë nëpër mediet e Shqipërisë për monopolin në tregun e aviokompanive. Aty thuhet se me ndihmën e shtetit dhe njerëzve të pushtetit, kjo kompani ka bërë monopol mbi këtë treg duke dëmtuar qytetarët dhe tregun ajror në këtë shtet.

Burime të Express tregojnë se kjo kompani me të njëjtat lëvizje po futet edhe në tregun kosovar. Kompanitë ajrore kosovare tregojnë se kjo kompani po sulmon aviokompanitë vendore me çmime dumping.

Njëri prej shefave të agjencioneve kosovare tha për Express, në kushte anonimiteti, se Belle Air është duke rrezikuar tregun kosovar me çmime dumping.

“Kjo kompani ajrore nga Shqipëria po starton të rrezikojë agjencitë kosovare me çmimet e saj dhe veprimet si në shtetin e saj”, tha ky pronar i Agjencisë.

Në anën tjetër agjencia e Lajmeve Sot News në Shqipëri, ka shkruar para disa ditësh që kompania ajrore Belle Air nuk po respekton standardet e udhëtimit ajror, duke ndryshuar orare, duke ndryshuar tarifa dhe s’po respekton detyrimet financiare që ka ndaj klientëve.

Sipas kësaj agjencie, kjo kompani ka si tutor financiar kreun e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Bashën dhe ka fuqinë e plotë të pushtetit aktual, për të vepruar sipas interesave të veta. “Me këtë fuqi ka lidhje dhe fakti, që kjo kompani sillet kështu me udhëtarët”, shkruan kjo agjenci e lajmeve.

Sipas udhëtarëve të kësaj linje, vazhdon agjencia, nuk ka ndodhur asnjëherë që avionët e “Belle Air” të jenë treguar korrektë. Kompania “Belle Air”, gjithashtu është edhe në gjyq prej udhëtarëve të saj.

“Ka një padi në Milano në vlerën prej 100 mijë euro për shkaktim dëmi ndaj udhëtarëve. Ky nuk është rasti i parë që ndodh. Kompania “Belle Air” ka deri tani afro 34 padi civile për dëmshpërblime ekonomike-financiare, të bëra prej klientëve të saj”, shkruan Sot News. Aty shkruan edhe se paditë ndaj kësaj kompanie nuk merren parasysh, mbasi pronar-aksionier i saj është kreu i Bashkisë së Tiranës, Luzim Basha.

“Kontrolli i Lartë i Shtetit të Shqipërisë ka kryer auditim të ligjshmërisë dhe rregullshmërisë financiare në Autoritetin e Aviacionit Civil, për periudhën 2010 deri 2012 duke konstatuar dhe raportuar një sërë mangësish, parregullsish dhe shkelje të dispozitave ligjore në fuqi, madje dhe me pasojë dëm ekonomik.

Zbulimet dhe përfundimet e këtij kontrolli tregojnë se menaxhimi dhe administrimi nga ana e stafit drejtues dhe punonjësit e ngarkuar të AAC është shoqëruar në mjaft raste me mosrespektim dhe moszbatim të akteve ligjore, nënligjore dhe rregullative në fuqi”, kështu i tha agjencisë NOA.al, zëdhënësi i KLSH, Bedri Çoku.

Sipas konstatimeve të fundit të Aeroportit të Rinasit, kompania Belle Air ka monopol në transportin ajror, duke poseduar zyrtarisht mbi 51 për qind të tregut të fluturimeve. Në raportin vjetor të vitit 2012, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka bërë të ditur publikisht se linjat ajrore që kanë transportuar më shumë pasagjerë gjatë vitit të shkuar, nga dhe për në Tiranë kanë qenë Belle Air me 50.1 për qind, Alitalia me 9.6 për qind, Air One me 9.6 për qind, Austrian Airlines me 8.1…. Sipas një vëzhgimi në sitet e këtyre kompanive, rezulton se 26 destinacione evropiane kontrollohen pikërisht nga Bell Air.

Agjencitë ajrore nga Kosova tregojnë se njëjtë edhe në Kosovë ka nisur të funksionojë përmes një aviokompanie Darwin, e cila është në krizë financiare dhe po shesin bileta me çmime dumping për periudhën e verës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu