Berisha i shkakton buxhetit të shtetit 400 mln $

0
818

Zbardhen koncesionet dhe privatizimet nga qeveria në ikje

Qeveria në ike ka kaluar në duar të privatit çdo resurs. Nga shërbimet bazike për qytetarët dhe deri te sipërfaqet e tokës në qendër të kryeqytetit e deri në zonat më periferike të vendit, pronat publike janë shndërruar në koncesione. Shërbimi i kontrollit të makinave, shërbimet e kontrollit në dogana, kontrollet e lojërave të fatit dhe deri te parkingjet nuk do të jenë më në pronë të shtetit të paktën për 15-20 vitet e ardhshme. Përpos mungesës së të ardhurave në buxhetin e shtetit që realizoheshin nga këto shërbime, për qytetarët janë rritur kostot e shërbimeve. Efekti negativ i dyanshëm duket se do t’i kushtojnë shtrenjtë jo vetëm financave publike, por edhe xhepave të qytetarëve. Pjesa më e madhe e kalimit të pronësisë janë realizuar në ditët e fundit të qeverisjes së kabinetit “Berisha”.

Koncesionet

Kontrollet në dogana, kontrolli i kazinove, markimi i naftës, kolaudimi teknik i makinave, janë katër shërbimet kryesore që do të faturohen drejtpërdrejtë në adresë të qytetarëve nga privatët. Kontrolli fizik i mallrave që do të hyjnë dhe do të dalin në doganat shqiptare do të bëhet me skaner, por kjo pajisje do të instalohet nga një kompani private e cila do të vjelë paratë e qytetarëve. Tarifat për këtë shërbim do të paguhet nga bizneset që importojnë apo eksportojnë mallra, të cilët koston do ta transferojnë indirekt te qytetarët. Përveç kalimit të shërbimeve në duart e privatit, qeveria ka tjetërsuar edhe pronat shtetërore. Rasti i fundit ishte parku i automjeteve të Ministrisë së Brendshme të cilin e ka marrë një kompani private për 20 vjet për ambiente shërbimi. Vendimi për këtë park me sipërfaqe 550 m2 është marrë para një muaji, e megjithatë në këtë vend privatët kanë nisur të ndërtojnë.

Dëmi ekonomik

Ende nuk ka një faturë të saktë në lidhje me pronat shtetërore që kanë kaluar në duart e privatit, por është e sigurtë që qeveria Berisha ka zeruar gjendjen e llogarisë “kapitale të paluajtshme” të Shtetit shqiptar. Bëhet fjalë për miliona euro të transferuara në duart e firmave private të cilat para privatizimit të shërbimit shkonin në arkën e shtetit. Vetëm tre koncesionet e fundit përllogaritet të nxjerrin nga Shqipëria rreth 400 milionë euro. Transferimi i fundit që miratoi qeveria “Berisha” ishte markimi i naftës. Qeveria transferon një monopol me vlerë 150 milionë euro për 10 vitet e ardhshme dhe përjashton nga vendimmarrja parlamentin, duke shkelur kështu ligjin. Ekspertët ngrenë pikëpyetje mbi ligjshmërinë e procedurës, ndërsa Autoriteti i Konkurrencës pak kohë më parë kërkoi informacion në lidhje me koncesionin, por hetimi nuk nisi pasi Ministria e Financave nuk dha informacion duke shfrytëzuar hapësirat ligjore. Kontrata parashikon që kompanitë të kontrollojnë naftën që hidhet në treg dhe të vendosin ngjyrën e saj sipas përdorimit. Deri tani këtë proces e kryenin kompanitë që tregtonin “arin e zi”. Një tjetër konvencion që kalon në duart e privatit miliona euro është edhe kontrolli fizik në dogana. Kontrolli fizik i mallrave që do të hyjnë dhe do të dalin në doganat shqiptare do të kontrollohen me skaner. Kjo pajisje do të instalohet nga një kompani private, e cila do të jetë përgjegjëse për kontrollin fizik të mallrave. Tarifa për këtë shërbim do të paguhet nga bizneset që importojnë apo eksportojnë mallra. Deri tani ky proces kryhej nga punonjësit e administratës tatimore, doganierët, të cilët pasi njiheshin me deklarimin përmes deklaratës tatimore me të dhënat dhe sasinë e mallit që ndodhjen në kontenierin për zhdoganim dhe verifikonin fizikisht ngarkesën

Koncensionet

1. Në vitin 2009 kompania zvicerane “SGS Automotive Albania” mori koncesionin e kontrollit autoteknik të automjeteve, e cila më parë bëhej nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor, kontroll i detyruar i mjeteve.

2. Koncesioni i prodhimit të pasaportave dhe kartave të identitetit, të cilat i prodhon kompania Sagem. Iu dha me koncesion në vitin 2008 firmës franceze “Sagem” e drejta për të prodhuar dokumentet e identifikimit në vendin tonë.

3. Jepet me koncesion për 35 vjet terminali i kontenierëve në Portin e Durrësit. Ministri i Transporteve ka firmosur marrëveshjen me kompaninë “Kurum”, e cila do të administrojë terminalin.

4. Në muajin Shtator 2012 Ministria e Financave  ka dhënë me koncesion prodhimin e pullave të akcizës dhe pullave fiskale në produktet e duhanit, birrës dhe alkoolit.

5. Në vitin 2012 u dha me koncesion kontrolli fizik i mallrave që do të hyjnë dhe do të dalin në doganat shqiptare. Pajisja e kontrollit do të instalohet nga një kompani private. Deri tani ky proces kryhej nga punonjësit e administratës tatimore, doganierët.

6.  Në vitin 2013 u dha me koncesion nga qeveria markimi i naftës. Ngjyrosja e naftës do të kryhet për 15 vjet nga dy kompani të huaja. Deri tani ky shërbim kryhej falas, tani Shqipëria është i vetmi vend në rajon dhe në Evropë që tarifën e markimit ua faturon qytetarëve.

7. Pak ditë para largimit qeveria ka vendosur të japë me koncesion Parkun e Automjeteve të Ministrisë së Brendshme, i cili i është dhënë një subjekti privat, me qira për 20 vjet për ambiente shërbimi. Vendimi për këtë objekt me sipërfaqe 550 m2 është marrë para një muaji, e megjithatë në zonë privatët kanë nisur të ndërtojnë.

Shkon në 350 numri licencat për ndërtimin e HEC-eve

Qeveria Berisha ka dhënë rreth 350 leje për ndërtimin e HEC-ve. Vetëm në tre mbledhjet e fundit të Këshillit të Ministrave janë firmosur të paktën 10 leje për ndërtimin hidrocentralesh me koncesion. Nga ana tjetër Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit ka miratuar lejet për ndërtimin e nëntë hidrocentraleve dhe komplekseve për ndërtimin e kaskadave mbi lumenj. Është miratuar edhe plani që ndërmerret në kuadër të marrëveshjes hidrokarbure për zhvillimin, prodhimin e hidrokarbureve në vendburimet Ballsh- Hekal, Cakran-Mollaj, Gorisht- Kocul dhe vendburimin e Delvinë midis kompanisë Albpetrol dhe kompanisë Stream Oil, leja zhvillimore komplekse për zhvillimin e prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin Patos- Marinzë, të shoqërisë Bankers Petroleum Albania dhe leja zhvillimore komplekse për ndërtimin e objektit Shesh Shpimi, komuna Topojë, qarku Fier, të shoqërisë Bankers Petroleum Albania. Në listën e lejeve të miratuara në mbledhjen e KKRRTSH është edhe zona e lejes zhvillimore komplekse përfshin brenda kufirit të saj territore të 12 komunave dhe dy bashkive. Dy prej këtyre njësive të qeverisjes vendore e kane territorin e tyre plotësisht të përfshirë në këtë studim, komuna Zharrës dhe Bashkia Patos. Zona e dytë gjendet në kufi me vendburimin Patos-Marinëz dhe paraqet perspektivë për prodhim gazi natyror dhe nafte.

 

Nga: Ornela Manjani

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu