Berisha në Peshkopi: një hipokrit i vërtetë!

0
787
Ndoqa vizitën e Bërishës në Peshkopi nga e cila u vu re fakti, se ai nuk u duartrokit nga Dibranët, por vetëm nga tre militantë dhe nostalgjikë të viteve ’90.  Berisha ndër të tjera u shpreh se: Prodhimet e dibranëve janë të standardit botëror! Le t’ia nisim nga ky afirmim.
Së pari ju z. Berisha a jeni të informuar për situatën ekonomiko-sociale, ku ndodhën dibranët. Duhet të theksojmë se një % e madhe e dibranëve jetojnë vetëm përmes asistencës sociale, e cila në shumicën e komunave nuk e kalon shumën e 3000 L të të ardhurave mujore, pavarësisht nëse familja ka dy anëtarë, pesë ose shtatë anëtarë. Kjo shumë  parash, jo vetëm që është e papërfillshme për të jetuar, por shpërndahet mbi bazën e diskriminimeve të mbështetura në bindje politike. Në komunat ku ka fituar PS, përkrahja sociale u hiqet atyre që kanë votuar për PD dhe aty ku ka fituar PD u hiqen përkrahja atyre që kanë votuar për PS.  Pra, përkrahja sociale nuk shpërndahet mbi bazën e të ardhura dhe të anëtarëve që kanë familjet për të zbutur sadopak varfërinë, por mbi bazat politike.
Së dyti, duke qenë se një pjesë e mirë e dibranëve jetojnë kryesisht me të ardhurat nga përkrahja sociale, do të thotë se ato janë në limitet e varfërisë dhe për këtë arsye nuk përballojnë dot shpenzimet që duhen për të lëruar tokën, për të mbledhur të korrat.
Një problem tjetër që duhet theksuar është fakti se në shumicën e komunave të Dibrës mungon infrastruktura rrugore dhe për këtë arsye si dhe për shkak të mundësive të pakta ekonomike, punimet e bujqësisë bëhen sikur të ishin në epokën e gurit. Mjet më i rëndësishëm dhe i pa zëvendësueshëm mbeten forca e krahut dhe përdorimi i kafshëve të shtëpisë, si Kali. Ka zëra se në letër janë ndërtuar disa segmente rrugore që lidhin komunat me qytetet, por në të vërtetë nuk figuron asgjë. Pra, fondet jepen dhe rrugët nuk bëhen.
Së treti z. Berisha e dini mirë gjendjen e shërbimit shëndetësor, ku ndodhen thuajse të gjitha komunat e Qarkut Dibër. Banorët e këtyre komunave rrezikojnë të vdesin nga pickimi i një gjarpri, nga lindjet që bëhen në kushtet familjare, nga dhimbjet e dhëmbëve. Thuajse të gjitha klinikat shëndetësore që ndodhen formalisht në komuna ekzistojnë formalisht, sepse në shumicën e rasteve nuk kanë personel fare (ka punonjës që nuk paraqiten asnjëherë në shërbim) ose në rastet e tjera janë të futur me militantizëm dhe nuk kanë bërë asnjë ditë studime të larta universitare mjekësore. Në të gjitha komunat nuk ka fare klinika dentare, as  edhe në shkolla. Për një dhimbje dhëmbi banorët duhet të bëjnë disa orë në këmbë e pastaj me makinë për t’u paraqitur në spitalin e Peshkopisë.
Një problem tjetër madhor që lidhet me prodhimet bujqësore të Qarkut Dibër është mungesa e infrastrukturës rrugore që lidh Komunat me qytetet si dhe fakti se shumica e fermerëve nuk gjejnë treg shitje dhe nuk gjejnë asnjë mbështetje, sepse nuk ka asnjë strategji konkrete nga pushteti lokal që banorët të kenë tregun e shitjeve për prodhimet e tyre.
Është e vërtetë se dibranët janë punëtor të mëdhenj dhe se Dibra njihet në shkallë kombëtare për frutikulturë, por shumë mollë e kumbulla për arsyet që thamë më lart kalbën dhe nuk arrijnë të hyjnë në treg.
Nuk duhet të lëmë mënjanë edhe rritjen e çmimeve të plehrave kimike dhe të naftës. Kjo ka bërë që shumë banorë të mos arrijnë ta mbjellin të gjithë sipërfaqen e tokës që kanë, sepse nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet.
Problem tjetër madhor është sistem hidrik i kanalizimeve. Duhet theksuar se ky sistem që me rënien e regjimit, është krejtësisht i amortizuar dhe nuk ka njohur investime serioze. Mund të përjashtojmë rastet sporadike të bërë me iniciativën e fshatarëve dhe të mbuluara me shpenzimet e tyre.
Problem tjetër madhor për qytetin e Peshkopisë është uji i pijshëm. Edhe pse Qarku Dibër është shumë i pasur me burime ujore, Peshkopia vazhdon të furnizohet me orar. Duhet të theksojmë faktin, se u bo një investim i rëndësishëm për ujin e pijshëm që do të furnizonte këtë qytet, por pa bërë analizat nëse ishte i pijshëm apo. Vetëm pasi gjithçka ishte gati dhe mbetej vetëm ceremonia e inaugurimit, na doli se ai uji nuk ishte i pijshëm.
Arsimi para universitar në shumicën e komunave të Qarkut Dibër është krejt jashtë çdo standardi. Mësuesin futen në punë e shkarkohen nga puna vetëm për shkak të bindjeve politike. Nuk merret aspak parasysh niveli i tyre profesional. Në shumicën e shkollave të mesme të Qarku Dibër japin mësim persona që kanë mbaruar po të mesmen bujqësore, ose persona që po vazhdojnë studimet në universitet si ato të Vitrinës. Dibra ka qenë shquar për dy universitete ato të Odave dhe atë të dashurisë së madhe që kishin për Arsimi duke sakrifikuar çdo gjë për të bërë studimet universitare. Me keqardhje tashmë dibranëve u ka mbetur vetëm ai i Odave se tjetri është për tokë dhe jashtë çdo standardi.
Gjithashtu, duhet të theksojmë faktin se punësimet nëpër administratë ashtu si në pjesën tjetër të vendit janë krejt militanteske, “miku i mikut” dhe nuk plotësojnë asnjë standard. Administrata është e mbushur me njerëz pa shkollë dhe të shkolluarit janë të detyruar të emigrojnë.
Një çështje tjetër shumë e rëndësishme dhe që bën pjesë tek mashtrimet e mëdha të Berishës është ajo që dibranët kanë qejf ta quajnë “Rruga e Arbërit”. Berisha me paturpësinë më të madhe edhe këtë radhë gjeti guximin dhe u premtojë dibranëve për të mijtë herë ndërtimin e “Rrugës Arbit”. Kjo rrugë ka një rëndësi të madhe jo vetëm për Qarkun e Dibrës, por edhe për shqiptarët që jetojnë në Republikën e  Maqedonisë. Në këtë optikë ajo është rrugë nacionale dhe duhet të ndërtohet si e tillë. Aktualisht po bëhen punime sporadike dhe qesharake, ku gjerësia e rrugës është sa kur të ishte një rrugë që lidh dy fshatra. Pra, gjerësia e rrugës nuk justifikon aspak as rëndësinë që ajo ka e as fluksin e trafikut që ajo duhet të ketë. Berisha ka 22 vjet që i mashtron dibranët për ndërtimin e kësaj rruge. Gjithashtu nuk duhet të lëmë pa kujtuar  faktin se aksi aktual i rrugës që kalon nga Burreli është krejt jashtë çdo standardi dhe i mbushur me gropa.

Berisha duhet t’u jap shpjegime dibranëve, pse i urren kaq shumë ata duke i lënë në harresë. Berisha duhet të jap llogari për indiferentizëm para dibranëve, të cilët e kanë mbështetur atë në 22 vite tranzicion. Në Dibër ka qenë e njohur shprehja “Visheni gomarin bardh e blu” e do të fitojë pa problem. Berisha duhet të jetë i vetëdijshëm që kjo nuk do të funksionojë më dhe ai do të marr nga dibranët përgjigjen e merituar përmes votës së lirë në 2013. Përgjigjen paraprake sapo ja dhanë me vizitën e tij të fundit duke e pritur me indiferentizëm dhe mospërfillje.

 

Nga Alban Daci

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu