Besëthyerja e Besëlidhjes

0
920

Kryeministri Berisha i ka ndaluar dje Presidentit të Republikës, Bamir Topi që të flasë në ceremoninë zyrtare në përkujtim të 568-vjetorit të Kuvendit të Lezhës. Edhe pse kreu i shtetit është ftuar të marrë pjesë në këtë ceremoni, ai ishte planifikuar të përdorej vetëm si dekor pasi pak përpara nisjes së saj, Protokolli i Shtetit e ka njoftuar se Presidenti Topi nuk duhet të flasë. Kjo është konfirmuar dje edhe nga vetë zyra e shtypit e presidencës, e cila tha dje se Presidentit i është mohuar e drejta e fjalës dhe e përshëndetjes, madje u përdor si prezencë formale. Përplasjet mes Berishës dhe Topit kanë qenë shumë të ashpra vitet e fundit, por ajo e djeshmja kur kreu i shtetit nuk u lejua që të flasë dhe u përdor politikisht në ceremoni ishte një nga më të fortat.

Skandali

Protokolli i Shtetit kishte planifikuar kohë më parë ceremoninë e 568-vjetorit të Kuvendit të Lezhës duke detajuar edhe gjërat më të vogla. Përmes një shkrese zyrtare Protokolli kishte njoftuar Presidentin Topi dhe ai kishte kthyer përgjigje që do të merrte pjesë dhe do të mbante fjalimin përshëndetës. Por pak përpara nisjes së ceremonisë, në kohën kur Presidenti sapo po nisej nga Tirana për në Lezhë, drejtori i kabinetit të Topit ka marrë një telefon nga Protokolli ku njoftohej se fjala do të mbahej nga kryeministri Berisha. Në këto kushte Topi ka vendosur që të mos shkojë në Lezhë dhe të bojkotojë ceremoninë. Mungesa e Presidentit të Republikës duket se nuk ka shqetësuar as kryetarin e Bashkisë së Lezhës dhe as kryeministrin Berisha, të cilët kanë vazhduar programin e tyre me ceremoninë.

Protokolli

Sipas ligjit për ceremonialin zyrtar, Protokolli i Shtetit duhet të zbatojë me përparësi rangjet zyrtare që janë Preidenti, Kryetari i Kuvendit dhe më pas kryeministri. “Në Republikën e Shqipërisë, përparësia e rangjeve zyrtare ndahet në tre grupe kryesore: Ne grupin e parë bëjnë pjesë, Presidenti i Republikës si përfaqësues i shtetit, Kryetari i Kuvendit, i cili përfaqëson pushtetin legjislativ, Kryeministri, si kryetari i pushtetit ekzekutiv, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe rangu i ish-presidenteve të Republikës. Në grupin e dytë bëjnë pjesë, nënkryetarët e Kuvendit, anëtarët e Këshillit të Ministrave etj…”,- thuhet në ligj.

Kjo do të thotë që kryeministri Berisha nuk duhet të mbante fjalën përpara Presidentit Topi. Madje ai duhet të vendosej i treti në listë pas Topit dhe Topallit. “Përshëndetjen e mban autoriteti më i lartë i shtetit, i ngarkuar sipas programit të evenimentit ose i caktuar që më parë me protokoll. Në asnjë rast nuk përshëndesin në të njëjtin aktivitet Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri. Anëtarët e Këshillit të Ministrave nuk përshëndesin pas fjalës së Kryeministrit. Përshëndetja Kombëtare realizohet nga Presidenti i Republikës”,- thuhet në ligj.

Topi: Sjellje e padenjë dhe mungesë respekti ndaj meje

Zyra e shtypit e Presidentit Topi ka dalë me një reagim zyrtar dje në lidhje me këtë skandal duke pranuar se kreut të shtetit i është mohuar e drejta e fjalës dhe një sjellje e padenjë. “Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi ka marrë ftesën zyrtare nga Bashkia Lezhë për të marrë pjesë në ceremonitë zyrtare në përkujtim të 568-vjetorit të Kuvendit të Lezhës. Në përputhje me legjislacionin, praktikat dhe rregullat protokollare të shtetit shqiptar më datë 1 mars 2012, Presidenti i ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij dhe fjalën përshëndetëse Drejtorisë së Protokollit të Shtetit, e cila gjithashtu është shprehur dakord me këtë praktikë. Në prag të ceremonisë, më datë 2 mars 2012, Kabineti i Presidentit të Republikës ka marrë një njoftim të dytë nga Protokolli i Shtetit, sipas të cilit Presidentit i mohohet e drejta e fjalës dhe e përshëndetjes në këtë ceremoni. Duke e konsideruar këtë akt përjashtues, si sjellje të padenjë zyrtare, si shkelje flagrante e normave të Protokollit të Shtetit, si mungesë respekti për institucionet e shtetit, për qytetarët e Lezhës si dhe për ngjarjen historike të cilën përkujtojmë sot, Presidenti nuk mund të bëhej pjesë formale e prezencës në këtë ceremoni. Në këto rrethana, Presidenti e gjykon të nevojshme që në përvjetorin e 568-të të Kuvendit të Lezhës dhe të nisjes së festimeve zyrtare për 100-vjetorin e shtetit shqiptar, të komunikojë me qytetarët e Lezhës dhe të gjithë Shqipërisë me mesazhin, të cilin në rrethana normale të një vendi demokratik, do të duhej të lexohej në ceremoninë solemne në Lezhë”,- thuhet në reagimin zyrtar të presidencës. E.J

Spahiu: Berisha nuk bëri besëlidhje, por besëprerje

Aleanca KuqeZi zhvilloi paraditen e djeshme një tubim në Lezhë në përvjetorin e 568-të të Kuvendit të Lezhës. Nën moton “Asgjë nuk kemi trashëguar nga prindërit tanë, çdo gjë ua kemi marrë borxh fëmijëve tanë dhe gjeneratave që do të vijnë” përfaqesues të Aleancës folën për ruajtjen e trashëgimisë historike dhe kulturore. “Ne nuk duhet të lejomë që ata që shiten detin dhe që po tentojnë të shesin shtetësinë shqiptare. Nuk duhet dhe nuk mund t’i lejojmë që të bëjnë pazare me historinë tonë, historinë e kombit shqiptar dhe të Shqipërisë”,- tha Kreshnik Spahiu.

Aktivistë të Aleancës Kuq e Zi mbajtën dje parullën “Gjergj me ty e fituam Europën. Me këta e humbëm”, mbështetës të shumtë janë tubuar në rrugët e qytetit të Lezhës. Kryetari i Lëvizjes “Aleanca Kuq e Zi”, Kreshnik Spahiu theksoi nga Obelisku se “pas 100 vitesh shtet shqiptar, Berisha u kujtua sot të kujtojë 2 marsin, kur ka harruar historinë e Lezhës dhe të Shqipërisë. Ne vitin e fundit të karrierës së tij, u kujtua për të hequr një njollë të zezë. Ai nuk bëri Besëlidhje por Besëprerje”. Mbështetës të shumtë kryesisht të rinj u bashkuan në këtë tubim, të organizuar në qytetin e Lezhës, nga Aleanca Kuq e Zi duke përcjellë mesazhin “Lezha Kuq e Zi”

Përkujtohet Kuvendi i Lezhës

Me 2 mars 1444 në Lezhë, Heroi Kombëtar “Gjergj Kastrioti” Skëndërbeu mblodhi Kuvendin e Besëlidhjes, një ngjarje e rëndësishme për historinë e Shqipërisë. Në një aktivitet solemn është përkujtuar 568 vjetori i mbajtjes së këtij Kuvendi që mblodhi prijësit shqiptar. Në këtë veprimtari morën pjesë kryeministri Sali Berisha, përfaqësues të lartë nga qeveria e Kosovës, Maqedonisë si edhe Malit të Zi. Lezha ka marrë një pamje festive në këtë ditë, ku startuan aktivitet në 100 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Pas ngritjes në valëvitje të Flamurit shqiptar, kryeministri Berisha ftoi nga Obelisku i Besëlidhjes, të gjithë shqiptarët që të nderojnë Kuvendin e Lezhës, ku shqiptarët u bashkuan në një komb në një qëndrim. Nën moton “Dita e Besëlidhjes”, ceremonia ka nisur me ngritjen e flamurit tek Obelisku, duke vijuar më pas me fjalimet e rastit, mbjelljen e ullirit simbolit të paqes, homazhe në vendvarrimin e Skënderbeut, vendosje buqetash në përmendoren e At Gjergj Fishtës dhe është përmbyllur me një koncert festiv në Pallatin e Kulturës nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baleti.

Tushaj: Mosardhja e Topit, e pakuptimtë

Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Viktor Tushaj, ka akuzuar dje Presidentin e Republikës, Bamir Topi se nuk ka konfirmuar vizitën. “Presidenti Topi ka qenë i ftuar me ftesë zyrtare, por që pjesëmarrja e tij nuk është konfirmuar nga Presidenca. Në protokoll nuk i është mohuar fjala përshëndetëse, dhe mospjesëmarrja e Presidentit në këtë veprimtari është e pakuptimtë. Presidenti duhet të nderonte me pjesëmarrjen e tij, këtë ngjarje të shënuar që bashkoi prijësit shqiptarë”, tha Tushaj

Berisha vlerëson Skënderbeun dhe mbjell ullinj në Lezhë

Kryeministri Sali Berisha vlerësoi dje Besëlidhjen e Lezhës si një nga ditët më të veçanta, pasi sipas tij, Skënderbeu dhe fisnikët shqiptarë vendosën në këtë qytet të krijonin shtetin e tyre. Kreu i qeverisë shprehu nderimin për aktin historik të Kuvendit të Lezhës, duke e vlerësuar atë, si një akt madhor, frymëzues për shqiptarët, në vijimësinë e ngjarjeve historike që do të pasonin. “Shqiptarët në këtë parim u bashkuan në Lidhjen e Prizrenit, dhe ia dolën. Shqiptarët u bashkuan në fund të dhjetëvjeçarit të shekullit të kaluar. Shqiptarët kanë tek Skënderbeu, doktrinën e vokacionit të tyre perëndimor, ndaj dhe sot, në këtë ditë, nderimi më i madh që ne mund tu bëjmë fisnikëve shqiptarë që u mblodhën 568 vjet më parë, nderimi më i madh që mund ti bëjmë prijësit tonë legjendar Skënderbeu është të ndjekim me vendosmëri vizionin e tyre, vokacionin kombëtar perëndimor, të bëjmë gjithçka për të vendosur kombin në BE, të bëjmë gjithçka për të bërë Shqipërinë, Kosovën dhe të gjithë trevat ku jetojnë shqiptarët, në treva dhe vende të zhvilluara”, tha Berisha. Kryeministri vlerësoi lart figurën simbol të kombit shqiptar, Skënderbeun, duke e cilësuar atë si shenjtorin e lirisë, trimërisë, guximit të shqiptarëve dhe frymëzimit të tyre të përjetshëm për të sakrifikuar për dinjitetin kombëtar. Në aktivitetin e djeshëm, kryeministri dhe të ftuarit morën pjesë në mbjelljen e drurit të ullirit, si simboli i paqes dhe i besëlidhjes për të vijuar më pas me vendosjen e kurorave me lule në varrin e Heroit tonë Kombëtar.

Berisha merr me vete edhe Bashën

Kryeministri Berisha kishte marrë me vete në vizitën e tij në Lezhë edhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Kryebashkiaku Basha njihet për mbështetjen që ka nga kryeministri Berisha ndërkohë që nga PD cilësohet si pasardhësi i Berishës. I futur në politikë në një moshë të re, kryeministri Berisha do ti besonte Bashës tre dikastere qeveritare dhe në maj 2011 e përzgjodhi për të garuar për Bashkinë më të madhe të vendit.

Topi mbledh Ambasadorët dhe lexon fjalimin e Lezhës

Në pamundësi për të lexuar fjalimin ne Lezhë me rastin e 568-vjetorit të Besëlidhjes, Presidenti Topi mblodhi ambasadorë, politikanë dhe figura të njohura në Tiranë. Në sallën “Skënderbej”, Presidenti Topi si kundërpërgjigje për ndalimin e fjalës, preferoi të lexonte të njëjtin fjalim që do lexonte në Lezhë. Por, pavarësisht incidentit me Protokollin e Shtetit, Topi u tregua i kujdesshëm duke preferuar të mos e përmendë përpara ambasadorëve atë që ndodhi.

Në fjalën e tij kreu i shtetit përshëndeti qytetarët e Lezhës dhe vlerësoi simbolikën e Kuvendit të Lezhës. Për kreun e shtetit, Shqipëria ka nevojë për një besëlidhje të mentaliteti politik që shikon larg nga selitë politike. “Asnjë më shumë nuk mund të na frymëzojë sa simbolika e Besëlidhjes së Lezhës që politika dhe institucionet e saj vendimmarrëse, ta përdorin mandatin e tyre me modesti dhe fisnikëri, me përulje dhe përgjegjshmëri si një detyrim moral, politik, institucional dhe atdhetar para qytetarëve, vendit dhe interesave madhore të tij. Shqipëria dhe kombi shqiptar ka nevojë për një besëlidhje rreth vlerave dhe normave demokratike, një sjellje e mentalitet politik që shikon larg nga selitë politike apo interesat e momentit”, theksoi presidenti Topi. Presidenti apeloi për një bashkim të ri të energjive dhe vullneteve politike, për të forcuar sipas tij, kulturën demokratike dhe pavarësinë politike dhe ekonomike të qytetarit të lirë. Për Presidentin Topi, 100-vjetori i shtetit shqiptar kërkon prej shqiptarëve të respektojnë dhe të mësojnë nga e kaluara për të ndërtuar një të ardhme sa më të sigurt. “Kam bindjen se të gjithë shqiptarët do të donin sot të ishin në Lezhë për t’u bërë pjesë e nderimit, respektit, reflektimit dhe angazhimit, duke e bërë këtë festë dhe mesazhet e saj edhe më madhështore, më fisnike dhe më atdhetare, siç bënë të parët tanë 568 vite më parë”, u shpreh Topi në mesazhin e tij para trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë. Afrimi i muajit korrik, kohë kur përfundon mandati i presidentit Topi, ka ndezur luftën politike ndërmjet kryeministrit dhe presidentit. Akuzat janë ashpërsuar këto ditë sidomos pas paralajmërimit të largimit nga Partia Demokratike të disa figurave të njohura si Gazmend Oketa dhe lajmeve se në mars do të shpallet dhe partia e re që do të drejtohet nga Bamir Topi.

 

Ened Janina / Lindita Kokaj/ Luis Tanushi

 


 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu