Bibliografia e Mjedës si kërkim dhe sintezë

0
1245

Mentor Quku, MJEDA, 6/1 (Bibliografia), Tiranë, 2012

Po e filloj këtë tekst hyrës për vëllimin e studiuesit Mentor Quku, Mjeda, 6/1 (Bibliografia), jo vetëm me ndjenjën se po e shkruaj Parathënien e fundit të kolanës historiko-kronologjike dhe tematike, të projektuar rreth një dekadë më parë, po edhe me ndjenjën se po e shkruaj Parathënien e një vepre që në të vërtetë hap dyert e një serie të dytë të kolanës për Mjedën sintetik, për Mjedën tjetër të një brezi mjedologësh, të cilët për të do të shkruajnë duke e parë atë përmes teorish, shkollash, konceptesh, metodash e analizash filologjike, tekstologjike, poetike e estetike. Në të vërtetë kjo ndjenjë, nuk vjen prej kontestit të punës së studiuesit Mentor Qukut për jetën dhe veprën e Ndre Mjedës, po prej prirjeve paradigmatike që krijohen për shkrimtarët dhe subjektet e tilla, vepra e të cilëve, në çfarëdo mënyre (si dorëshkrim, studim apo korpus) sillet dhe botohet e plotë dhe me të në njëfarë mënyre mbyllet cikli i paraqitjes së tyre krijuese.

Ndryshe ndërkaq shfaqet Mjeda i rilindur i mjeshtrit tonë. Bibliografia Mjeda, në kolanën e Mentor Qukut paraqitet në disa dimensione: Mjeda i një serie të projektuar dekada me radhë dhe Mjeda i një korpusi që në të vërtetë nuk po arrin të mbyllet dhe për këtë është i vetëdijshëm jo vetëm autori, por edhe lexuesi i saj, duke pasur parasysh faktin se vepra e tij vazhdon të zbulohet në formate dhe dimensione të ndryshme, nga versionet dhe dorëshkrimet në origjinal, deri te dorëshkrimet apo botimet krejt të panjohura të tij; Mjeda i një serie që do të vazhdojë të botohet edhe për aq kohë sa do të ketë shëndet të punojë mjeshtri i saj, studiuesi Mentor Quku; Mjeda i një kolane të re dokumentesh të zbuluara në vitet e fundit; Mjeda i një kolane të re veprash të plota letrare a shkencore, pra Mjeda i ridimensionuar historikisht nga brenda; dhe vetëm në fund, Mjeda sintetik, që në të vërtetë nuk pritet të jetë kolanë e Mentor Qukut, po e shkollës së studimeve mjedologjike të brezit të ri, të cilën po e krijon ai në përmasat e një bardi.

Përmasa e ridimensionimit të jetës dhe veprës së Mjedës, brenda një bibliografie, nga më shterueset deri më tash, e bën të veçantë edhe këtë vëllim. Së pari, për shkak se për bibliografinë e Mjedës interesimi nuk ka munguar që në gjallje të tij, ndërsa menjëherë pas vdekjes bibliografët e tij, përkatësisht kërkuesit e veprës së tij, kanë sjellë dorëshkrime dhe dokumente të reja me interes për historinë e letërsisë, historinë e kulturës dhe historinë e albanologjisë përgjithësisht; së dyti, për shkak se, bibliografi pa dyshim më i plotë deri më tash dhe më serioz i veprës së tij, Profesor Jup Kastrati, bashkë me bibliografinë e plotë pati përgatitur edhe veprën më të përmbledhur letrare dhe gjuhësore të tij, duke përfshirë këtu edhe disa nga letrat e tij me interes për studimet kulturore dhe albanologjike të kohës; së treti, bibliografia më e plotë dhe më sintetike që po i jepet lexuesit me këtë vepër, sjell edhe zbulime krejt të reja të veprës letrare, kulturore e shkencore të Ndre Mjedës; së katërti, edhe lexuesi, pra jo vetëm autori i saj, është i vetëdijshëm se në këtë vëllim për disa aspekte, kryesisht letrare, janë sjellë të dhëna të plota të veprës së Mjedës, për disa anë të veprës së tij, kryesisht gjuhësore janë sjellë vetëm indicie veprash, të cilat pritet të zbulohen e komentohen në një ribotim tjetër; së pesti, për ribotimin, kryesisht fragmentar të krijimtarisë letrare të tij, janë dhënë vetëm shembuj simbolikë të saj (një nxitje kërkimesh për brezin e ri të mjedologëve), ndërsa për tekstet me karakter kulturor, politik e interdisiplinar, të cilat gjenden vetëm si dokumente në institucionet shtetërore, kulturore, arsimore e fetare, nuk është punuar as në nivel të kategorizimit, sigurisht për shkak se autori këto tekste i sheh si dokumente dhe jo botime të veçanta.

Vëllimit Bibliografia e Mjedës i prin një Parathënie shkoqitëse e autorit për karakterin nxitës e hulumtues të krijimtarisë së Mjedës, metodat e përdorura në vlerësimin dhe komentimin e veprave të tij, për orientimet tipologjike të bibliografisë së teksteve të Mjedës, për njohjet e gjertanishme dhe pritjet e kërkimeve të reja, për problemet e dala deri me tash në identifikimin e disa dorëshkrimeve autografi të Mjedës dhe moshës së krijimit e botimit të veprës së tij, për çështjet e unifikimit të pseudonimeve dhe madje teksteve pa asnjë shenjë identifikuese etj. Pra, shqetësimet, shpjegimet dhe diskutimet në këtë hyrje dalin të karakterit historik, teorik dhe pragmatik, prandaj janë me interes sa për studiuesin e përmasave akademike po aq edhe për lexuesin e interesimeve përgjithësuese.

Në tërësinë e saj vepra Bibliografia e Mjedës është ndarë në dy pjesë: 1. Veprat e Mjedës botuar deri në vitin 1937 dhe II. Vepra e Mjedës nga vitit 1937 deri më 2010.

Pjesa e parë e veprës është një përpjekje titanike e autorit për të hulumtuar dorëshkrimet dhe botimet e Mjedës, veprat e panjohura të tij dhe komentet e zgjeruara të fatit të tyre nga dorëshkrimi autograf deri te botimi e ribotimi i tyre ndër vite. Fjala është veç tjerash për veprat “Çerdhja e zogjvet”, “Shahiri Elierz”, do bejta qi kaa qit N.M. i S.J., “Miku Bestar”, Haannamia per senne 1889, “Jeta e Sceitit Sc’Gnon Berchmans”, “Vorri i Skanderbegut”, “Vaji i bylbylit”, “T’perghjamit e εojs Bēkume”, “Albanisesche Studien” (“Studime shqiptare”), VI, “Fjalori etimologjik”. Krakov, 1891-1896, “Gramatikë e krahasuar e gjuhës shqipe”, vepër hipotetike e Mjedës, “Fjalor botanik”, dorëshkrim autograf i Mjedës, vepër e papërfunduar, “Promemorja e 22 shtatorit 1902”, “Epistolar” etj.

Pjesa e dytë e vëllimit përfshinë një regjistër të plotë dhe shumë të pasur të botimit të veprave (poezi, studime dhe përmbledhje veprash) të zgjedhura apo më të plota në gjuhën shqipe apo edhe të përkthyera në gjuhë të huaja. Fjala është për botimin e tingëllimave të tij Lisus, Scodra, poemthit shumë të popullarizuar Vaji i bilbilit si dhe përmbledhjeve me poezi për të vegjël, për të rritur apo edhe përmbledhjes me studime të karakterit gjuhësor, historik dhe letrar, nga viti 1938 deri në ditët tona.

Prej pjesës së parë dhe të dytë të këtij vëllimi, nuk është vështirë të sillen disa përfundime të përgjithësuara me interes jo vetëm për jetën dhe sidomos veprën e Ndre Mjedës po edhe për studimet historiko-letrare dhe gjuhësore e kulturore të shekullit XX.

E para, Ndre Mjeda, i takon brezit të dytë të romantikëve shqiptarë, që kanë shkruar në fund të shekullit XIX dhe në gjysmën e parë të shekullit XX, por që me veprën e tij e mbizotëron edhe letërsinë e krijuar atë kohë me elemente realiste, neoklasiciste apo edhe të strukturës letrare parnasiste-simboliste.

E dyta, Ndre Mjeda, ndryshe nga brezi i tij i krijuesve të mëdhenj (Gjergj Fishta, Ernest Koliqi etj.), që përjetojnë kulmin e popullarizimit gjatë gjysmës së parë të shekullit XX, por njëkohësisht edhe ndalimin e veprës së tyre gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, ai në një mënyrë apo një tjetër është disident i të dy periudhave, por jo edhe i ndaluar rreptësisht.

E treta, vepra e tij, pavarësisht popullaritetit të herëpashershëm të autorit, e mbizotëron vlerësimin estetik më parë se sa kultin e autorit, ndërsa bibliografia e pasur arsimore dhe intelektuale e tij e mbizotëron patosin biografik të portretit prej bardi shpirtëror të kohës. Biografia e tij letrare e popullarizuar për të gjallë në Shqipëri dhe kryesisht në Itali, pas vdekjes së tij harta e botimeve zgjerohet edhe në Kosovë, në Maqedoni dhe në disa shtete të Lindjes. Kështu, shkrimtari i identifikuar kryesisht me Shkodrën dhe gjuhën italiane për të gjallë të tij, tani, pas vdekjes, bëhet shkrimtar i botës shqiptare dhe poet përfaqësues i saj në antologjinë e letërsisë shqipe.

Prej bibliografisë së plotë të tij të botuar në këtë vëllim nuk është vështirë të shihet se krijimtaria e tij letrare, si pak vepra letrare të brezit të tij, është botuar në tri dimensione: si vepër e veçantë, si letërsi e përzgjedhur e teksteve shkollore dhe si poezi e përzgjedhur gjerësisht edhe në botimet antologjike, madje edhe në ato antologji ku ka dominuar krijimtaria letrare e përshkuar nga realizimi dhe disa përbërës ideologjikë të tij.

Prej botimeve të gjertanishme të shkrimtarëve të dy shekujve të fundit, nuk është vështirë të shihet se shkrimtarët e këtyre dy periudhave nuk e kanë shkruar vetëm poezinë, po edhe tekstet me karakter arsimor, shkencor, estetik dhe kulturor, mirëpo prej bibliografisë së Ndre Mjedës, nuk është vështirë të shihet se ai është nga pak ata autorë që në kohën e tij dhe në kohën tonë, është përfaqësuar pothuajse në mënyrë paralele si poet (në botimet antologjike të lirikës) dhe kritik letrar (në antologjinë e mendimit estetik), një model ky tipik i shkrimtarëve të mëdhenj europianë.

Prej botimeve të poezisë së tij në tekstet shkollore dhe shkencore, nuk është vështirë të shihet se krijimtaria e tij letrare nuk është vetëm përzgjedhje e autorëve të historisë së letërsisë, por edhe e studiuesve të gjuhës e të letërsisë shqipe. Prej shembujve të marrë nga kritikët letrarë, historianët e letërsisë dhe gjuhëtarët nuk është e vështirë të kuptohen jo vetëm vlerat historiko-letrare (struktura metrike) e krijimtarisë së tij, por edhe vlerat gjuhësore (struktura leksikore dhe semantike) e poezisë së tij. Sigurisht kjo e bën poezinë e tij të pranishme jo vetëm në përmbledhjet antologjike dhe arsimore po edhe në botimet e gramatikave standarde të kohës së tij dhe atyre të kohës sonë.

I nxitur nga këto vlera, mjeshtri ynë është kujdesur që botimet e veprave të tij letrare, gjuhësore dhe atyre të përkthyera, t’i shikojë me syrin e filologut klasik dhe tekstologut të përkushtuar. Prej komenteve të tij pranë të gjithë zërave të kësaj bibliografie, kuptojmë se ai ka përmirësuar jo vetëm gabimet e bibliografëve të gjertanishëm të Mjedës, gabimet e moshës së teksteve në dorëshkrim apo të botuara e ribotuara kohë pas kohe, por edhe gabimet e shumta në tekstet e ruajtura origjinale, drejtshkrimore, materiale e kuptimore. Shqetësimi rritet në këtë rrjedhë edhe për faktin se mjeshtri ynë ka konstatuar jo njëherë se vepra e Mjedës nuk është vetëm pre e censurave të qëllimshme po edhe e botuesve, redaktorëve e përzgjedhësve të pakujdesshëm. Dhe për më tej, ka konstatuar mjedologu ynë, vepra e tij më parë se për të gjallë është botuar me gabime të pafalshme pas vdekjes së tij, ndërsa vazhdon të botohet me gabime të palejueshme materiale e kuptimore edhe në kohën tonë.

Duke përfunduar këtë fjalë hyrëse për vëllimin që po e përmbyll kolonën e studiuesit të shquar Mentor Qyku, Mjeda, mund të konstatojmë se Bibliografia Mjeda, nuk është vetëm një bibliografi e zakonshme e bërë deri më tash për Ndre Mjedën apo edhe për personalitete të këtij formati në letrat shqipe. Ajo është më shumë se bibliografi saktësimesh dhe komentimesh, të cilat kemi pasur rastin t’i konsultojmë edhe në botimet e kësaj natyre në historinë e letërsisë shqipe. Ajo, në të vërtetë është bibliografi referimesh, përplotësimesh, vlerësimesh e rishikimesh përmasash të thella filologjike, tekstologjike e shkencore, që brezit të ri të mjedologëve do t’iu shërbejë si një vademekum i përditshëm.

Prishtinë, më 15 qershor 2012

Nga Begzad Baliu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu