Bilinca e Gjilanit: Tere fshati marrin rrugen e Hungaris

0
1196

Bilinca e Gjilanit

Është mesditë me shi dhe e ftohtë në Bilincë të Gjilanit dhe burrat e 6 familjeve të mbetura janë mbledhur të diskutojnë për një vendim që, pothuajse, shumica e kanë marrë më herët.

Ata kanë vendosur ta lënë fshatin dhe të ikin jashtë Kosovës. Tregojnë dokumentet e marra që janë leje kalimi nëpër Serbi, shumica me afat të shkurtër.
Midis tyre është krejt i heshtur imami i fshatit Artan Asllani, i heshtur deri në momentin kur i kërkojnë që të mos vijë ta hapë xhaminë, sepse nuk do të ketë më xhemat aty.
Për të fundin rit, imami ngre zërin më lart dhe jehona e thirrjes së ezanit oshtin maleve të brezit kufitar me Serbinë. Ndien se nuk do të ketë më kush ta dëgjojë në këtë fshat.
E njëjta gjë duket se do të ndodhë edhe me shkollën, e cila tashmë numëron 11 nxënësit e fundit.
Midis ashpërsisë së halleve dhe humbjes së shpresës, vendimi duket i vështirë, por i pakthyeshëm për ta.
Fitim Rashiti ka qenë njëherë në Hungari, por tash sërish do t’ua mësyjë kufijve të këtij shteti. “Nuk jetohet këtu. Po duhet me ia vjedh malin vëllai –vëllait prej skamjes, pastaj po na zënë policia. Dënimi 1000 euro, kështu që më mirë të shkoj të vdes diku atje sesa të vdes këtu. Ata (politikanët udhëheqës) kanë bërë luks për vete e na nuk po kemi bukë m’u ngi“, thotë ai.
FejzuallahXhemaili thotë se po të kishte mundësi, do të ikte. “ Jetoj duke prerë dru në mal. Dy dënime më kanë ardhur me nga 6 muaj burg. E kam shitur edhe lopën e vetme. Tash duhet të shkoj në burg. U kam thënë të m’i marrin edhe fëmijët, se s’kam ku ti le e me çka t’i ushqej. Nuk kam me se, përndryshe edhe unë do të kisha ikur”, tregon ai, i ulur në një qoshe të shtëpisë së tij, prej së cilës pikon uji.
Përveç kësaj, djali i tij, 13 vjeç, e ka këmbën e lënduar dhe i nevojitet shërim jashtë vendit. Fëmija ishte lënduar rëndë teksa me të atin po merrte dru në mal.
E në mbrëmje do të jetë vetëm drita e shtëpisë së tij që do të ndizet në tërë lagjen e braktisur. Shtëpia dydhomëshe dhe gjysmë e shkatërruar, ku varfëria mbulon çdo cep të saj, e shpërndarë midis pak orendive dhe enëve, do të vazhdojë të mbështillet nën ankthin për bukën e ditës së nesërme. Por, Fejzullahu nuk do ta braktisë fshatin.
Kjo do ta bëjë atë banorin e një fshati pothuajse fantazmë, që deri tani kishte rreth 120 shtëpi. E ai qysh tani po i ndien vetminë dhe izolimin.
Derisa në Bilincë valixhet e fundit janë bërë gati për t’u nisur, të tjera valixhe po zbrazen në fshatin Zallq të Istogut. Aty, të kthyerit e parë nga fluksi i fundit i të ikurve duken edhe më të pashpresë.
Kadri Hyseni ka humbur punën dhe pothuajse të gjitha që pati. “Ndiej frikë dhe pasiguri. Qysh të jetohet kështu”, thotë ai.
E frikë dhe pasiguri po ndiejnë edhe fqinjët e tij serbë që janë kthyer nga Serbia. Nebojsha Drljeviq tregon për kushtet e rënda të jetës. “
Unë nuk punoj as gruaja nuk punon. Jetojmë me një ndihmë sociale. Kjo nuk është e mjaftueshme, nuk është asgjë për të jetuar 6 anëtarë të familjes nga kjo asistencë ”, i thotë ai Radio-Kosovës.
Në këtë fshat, për t’i parë tri realitetet e të kthyerve, nuk është dukur ende askush nga ministria që udhëheq bashkëfshatari i tyre, zëvendësministri për Kthim,Qaush Balaj, njëherësh ushtrues detyre i ministrit.
Balaj “nuk e di” çfarë telashesh kanë të kthyerit në fshatin e tij e as në vendet e tjera. Ministria e Brendshme, e cila e udhëheq procesin e riatdhesimit, i ka lënë jashtë përkujdesjes të kthyerit e eksodit të fundit. Për ta, ministria ofron vetëm të dhëna për numrin e të kthyerve.
Kjo i ka bërë edhe më të pashpresë ata që po kthehen.
Të ikurit dhe të kthyerit kanë thelluar mjerimin edhe më shumë te komuniteti rom. Fatmir Krasniqi,i kthyer së fundi nga Gjermania në Fushë-Kosovë, thotë se nuk ka as strehë e as bukë për fëmijët. ”As tokë, as shtëpi, as bukë, as asgjë. Po marrim bukë nëpër kontejnerë bërlloku. Po mbledhim kanaçe me gruan dhe fëmijët, por nuk po del asgjë”, thotë ai.
E megjithatë, ministri i Brendshëm Skender Hyseni dhe ai Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ende flasin për një situatë, sipas tyre, “të menaxhueshme”.
Sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave (EUROSTAT), vetëm në vitin 2014 në vendet e BE-së kërkuan azil 37900 kosovarë. Ministria e Brendshme e Hungarisë, përmes postës elektronike, i ka konfirmuar Radio Kosovës se emigrimi i kosovarëve, përmes kufijve të saj, po vazhdon, por në masë më të vogël. Të dhënat e Komisariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) flasin për afro 200 mijë të ikur që nga viti 1999. Sipas Ministrisë së Kthimit dhe asaj të Brendshme, deri tani janë kthyer rreth 70 mijë persona. Megjithatë, shifrat e plota për të ikurit dhe të kthyerit ende mungojnë. Vitin e fundit, Qeveria ka shpenzuar vetëm 0.19 përqind nga buxheti i përgjithshëm në kontrollin e imigrimit ilegal. Ndërkohë indikatorët e uljes së varfërisë që nxitin ikjen, sipas Bankës Botërore, mbesin në trendet njëjta.
Ftohtë dhe prerë, vendet e Bashkimit Evropian po vazhdojnë t’i rikthejnë të ikurit nga Kosova, duke e forcuar kontrollin e kufijve. Në tre muajt e parë të këtij viti janë kthyer 2400 persona, kryesisht të ikur së fundi.
Megjithatë, për Gojart Krasniqin, nga Miradia Epërme, thirrja se në Kosovë mund të jetohet, nuk tingëllon e vërtetë. Ai është kthyer nga Gjermania para pak ditësh dhe ka prekur edhe njëherë palcën e dëshpërimit. Ky 22-vjeçar thotë se do të ikë sërish. Për të, korrupsioni është fillimi i të gjitha rrugëve në Kosovë. Për më tepër,ai do vazhdojë të figurojë si një ikur ilegalisht. “Jo këtu nuk kam shpresë. Këtu veç me vjedhje e korrupsion, ndryshe nuk mund të jetosh si duhet”, thotë ai.
Pasi kanë kaluar ditë e net të rënda nëpër kufij, male e strehimore dhe shpesh e kanë shpenzuar edhe pasurinë e vetme, ata që provuan të iknin me shpresën për të jetuar më dinjitetshëm, po kthehen edhe më të thyer.
Të ikurit dhe të kthyerit e të gjitha etniteteve flasin gjuhën e skamjes dhe të pasigurisë, sepse realiteti i Kosovës u ka blatuar edhe për shumë kohë tagrin e pashpresës dhe të dëshpërimit. RTK

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu