Bin Laden, së shpejti videoja e ceremonisë funebër

0
902

Bota do të shohë gjatë ditëve të ardhshme hedhjen në det të trupit të Osama bin Laden. Videoja e ceremonisë së zhvilluar në detin Arabik do të bëhet publike, një vendim ky i administratës amerikane, e cila po vlerëson hipotezën e shpërndarjes së fotove të trupit pa jetë të liderit të Al Kaedës.
Sipas televizionit amerikan ABC, kufoma është hedhur në det pas një ceremonie funebër, e cila zgjati rreth 40 minuta. Trupi i Bin Ladenit, i larë dhe i mbështjellë në një copë të bardhë, është hedhur në ujërat e detit Arabik, duke u shoqëruar nga leximi i një formule fetare nga një zyrtar ushtarak, e cila u përkthye edhe në arabisht.

Pakistani: Nuk morëm pjesë në operacion

Presidenti i Pakistanit ka deklaruar se forcat e sigurisë nuk kanë marrë pjesë në operacionin amerikan që çoi në eliminimin e Bin Ladenit. Zbulimi që Bin Laden fshihej prej vitesh në një kompleks në qytezën Abbottabad, ku gjendet një garnizon ushtarak, rrezikoi përkeqësimin e marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Pakistanit, një vend që posedon bombën atomike. “nuk ishte në asnjë prej vendeve ku mendonim se mund të ishte dhe tashmë nuk është më”, ka shkruar presidenti Ali Zardari në një koment në të përditshmen amerikane Washington Post, pa replikuar më tej për akuzat se shërbimet sekrete pakistaneze e dinin ku fshihej kryeterroristi.
“Disa media në SHBA kanë thënë se Pakistani nuk ishte shumë aktiv në luftën kundër terrorizmit, apo edhe se ne i mbronim terroristët për të cilit thoshim se po i kërkojmë, por këto janë vetëm spekulime të pabazuara, të cilat nuk pasqyrojnë fatet reale”, ka përfunduar presidenti pakistanez.

Obama dhe stafi i tij duke ndjekur live operacionin e eliminimit të bin Laden

Vrasja e Osamës u publikua fillimisht në Twitter
Sulmi për vrasjen e Osama Bin Laden është zbuluar fillimisht në rrjetin shoqëror Twitter. Një këshillues IT, që jeton në Abbottabad të Pakistanit, “padashur” ka shkruar detaje për operacionin e forcave të SHBA-së. Sohaib Athar kishte shkruar se një helikopter po qëndronte pezull për disa çaste para se të niste sulmi. Ai ka shkuar se ky nuk është avion që i përket Pakistanit. Postimi u bë domethënës pas deklaratës së Presidentit të SHBA-së Barak Obama për vrasjen e Osama Bin Laden. Postimi i tij i parë është bërë në orën 1 me atë lokale ku ka shkruar se: Një helikopter po qëndron mbi Abbttabad. Më pas ai ka raportuar për një shpërthim.

Vdekja e Bin Laden, fotoja ishte false

Rrjetet televizive pakistaneze, të cilat shpërndanë sot një foto të prezantuar si fotoja e kufomës së Bin Ladenit, kanë pranur se bëhej fjalë për një foto false dhe e kanë tërhequr atë. Fotoja që tregonte protretin e shpërfytyruar dhe të gjakosur të një burri me mjekër të zezë u prezantua si fotoja e Bin Laden pas vdekjes. “Në fakt, fotoja ishte një foto false, e cila ka qarkulluar në media në vitin 2009”, tha shefi i Geo Tv në Islamabad. Duhet theksuar se televizionet amerikane nuk e përdorën foton për të ilustruar lajmin e vdekjes së kryeterroristit.

Arrestohen dy gra dhe 6 djem të Bin Ladenit

Dy nga gratë e Bin Laden dhe 6 djem të tij janë arrestuar në operacionin e zhvilluar sot në mëngjes nga SHBA në lokalitetin e Abbottabad, në verilindje të Islamabadit. Lajmin e bëjnë të ditur burime të inteligjencës, sipas të cilave janë kapur edhe 4 bashkëpunëtorë të liderit të Al Kaedës.

Vendi ku strehohej Osama

Abbottabad, një zonë malore e provincës Khyber Pakhtunkëa ndodhet rreth një orë me makinë nga Islamabadi, ku u vra të shtunën Bin Laden. Zona njihet gjithashtu si qendra e disa prej institucioneve ushtarake pakistaneze. E themeluar në vitin 1853 gjatë periudhës koloniale nga anglezët, zona ia detyron emrin e saj majorit britanik James Abbott, i cili u “dashurua” me luginën në fjalë, madje i kushtoi asaj edhe një poezi elozh.

Që atëherë, kjo qytezë e populluar nga 100 mijë banorë është bërë prehja e atyre që duan t’i shpëtojnë verës përvëluese të Islamabadit, ndërkohë që është edhe kazermë e rëndësishme e një akademie ushtarake. Qyteza u dëmtua pjesërisht nga tërmeti shkatërrues i vitit 2005, i cili rrënoi veriun e Kashmirit pakistanez.

Pozicioni rreth 60 km nga Islamabadi dhe 150 km nga Peshawari është shumë strategjik dhe i përket të ashtuquajturës Rruga e Mëndafshit, një rrugë e vjetër tregtare që vjen nga Kina.

Nga Abbottabad nis autostrata e Karakorumit, e quajtur ndryshe “autostrada e paqes”, një arterie prej 1300 kilometrash gjatësi, e ndërtuar nga pakistanezët dhe kinezët, e cila përshkon vargmalet Himalaje me panorama magjepsëse deri në qytetin Kashgar, në provincën kineze Xinjiang.

Talebanët në Pakistan: Do të hakmerremi

Talebanët pakistanezë janë betuar për hakmarrje për vrasjen e Osama bin Ladenit dhe kanë kërcënuar se do të sulmojnë objektivat amerikane dhe qeverinë e Islamabadit.
“Ne nuk mund të konfirmojmë martirizimin e Osama bin Ladenit, por nëse burimet tona e konfirmojnë lajmin, do të hakmerremi duke ndërmarrë sulme kundër qeverive amerikane e pakistaneze dhe forcave të tyre të sigurisë, sepse janë armiq të islamit”, ka thënë zëdhënsi i Tehrik-e-Taleban Pakistan (Ttp), grup terrorist i cili iu bashkëngjit Al Kaedës në vitin 2007.

Al Azhar: Hedhja e trupit në det është mëkat

Trupi i Osama bin Laden duhet varrosur në tokë dhe hedhja e tij në det përbën një mëkat. Ky ka qenë prononcimi i Mahmoud Ashour, anëtar i Akademisë së Kërkimeve Islamike të Al Azhar, qendra më prestigjioze e dijes sunite. Ashour ka shpjeguar për agjencinë italiane të lajmeve, ANSA, se edhe në rast mbytjeje, trupi duhet kërkuar për të pasur mundësinë të varroset në tokë nëse gjendet. Ndërsa pyetjes nëse varrosja e Bin Ladenit mund të tërheqë ndonjë pelegrinazh, Ashour iu përgjigj që trupi duhej varrosur në tokë, por pa u vënë shenja dalluese mbi të.

Osama bin Laden, lideri I Al-Kaedas, është vrarë nga forcat e SHBA-së në Pakistan. Lajmi u bë i ditur nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama. Talebanët në Afganistan kanë konfirmuar vdekjen e Osamës. Bin Landen ishte personi më i kërkuar nga SHBA. Presidenti i SHBA u shpreh se kjo është një ditë e arritjeve domethënëse për kombin e SHBA-së. SHBA ka vënë në alarm të gjitha ambasadat e saj anë e kënd botës pasi ekziston mundësia e sulmeve si reprezalje për vrasjen e Bin Ladenit. Lideri i Al-Kaedas mori përsipër sulmet e 11 shtatorit ku mbetën të vrarë afërsisht 3 000 njerëz. “Osama bin Laden është varrosur në det” shkruan CNN në faqen e saj online, duke cituar një funksionar të lartë amerikan, sipas të cilit kufoma e liderit të Al Kaedës është trajtuar sipas traditës islame.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu