Biografi e Mehmet Kajtazit (1)

0
1554

mehmet kajtazi 656x37327959mehmet_kajtazi

“Sy më sy me jetën”: Prologu që mund të jetë epilog…

Mehmet Kajtazi lindi në vitin 1944 në Kllodernicë të Drenicës (komuna e Skenderajt), në një familje atdhetare nga i ati Aliu, një bashkëluftëtar i Shaban Polluzhës dhe mbijetues i masakrës së Tivarit, një i burgosur dhe i përndjekur politik, dhe e ëma Zelfije nga Klina e Epërme, mbesë e Sejdi dhe Sadri Terrnavcit, bashkëluftëtarëve të çetës së Azem Bejtës.
Mehmet Kajtazi një kohë punoi arsimtar i gjuhës dhe letërsisë shqipe në vendlindje, në Turiqefc, në Runikë, në Klinë të Epërme dhe në shkollën e mesme “Isa Boletini” në Skenderaj, ndërsa prej vitit 1973 ishte gazetar dhe redaktor i fejtonistikës në të përditshmen “Rilindja” dhe së fundi punoi si redaktor profesional për prozë në Ndërmarrjen Botuese “Rilindja”, Prishtinë. Pra, 30 vjet me radhë frymoi në Rilindje, për një rilindje letrare e kombëtare. Mehmet Kajtazi më së shumti lëvroi reportazhin, ku trajtoi tema të aktualitetit dhe të historisë. Ka botuar tregime, reportazhe dhe shkrime të ndryshme në revista dhe gazeta që botoheshin në gjuhën shqipe në Prishtinë, Tiranë, Shkup, Podgoricë dhe Zvicër. Me krijimtari letrare merrej që nga shkolla e mesme.


Ka shkruar kryesisht prozë për të rritur: romane, tregime, novela.

Pjesë nga veprimtaria e tij artistike janë përkthyer dhe janë botuar në frëngjisht. Krijimtarinë e nisi edhe kur kjo ishte e ndaluar. Duke kuptuar rëndësinë e artit të shkruar dhe duke zotëruar mirë shqipen, në një mënyrë apo në një tjetër, shkrimtari u shndërrua në gardian të gjuhës shqipe, thekson Adem Nimani.
Mehmet Kajtazi ka botuar pesëmbëdhjetë romane (“Nata në gur”; “Plaku dhe urat”; “Fundi i legjendave”; “Shqiptarët në Goli Otok”; “Ushtimë e Alboderit”; “Shote Galica”; “Minatorët”; “Thikë në portokall’; “Gjeli i katedrales” “Santa Ana”; “Guri i dallëndyshes”; “Lindja në qiell”; “Udha i”; “Ndezja e shiut”; “Një diell tjetër”) dhe dy përmbledhje tregimesh(’Zemër e thyer” dhe “Kodra e Pajtimit”), ku kryesisht përpush katrahurat e mëdha të etnisë, sfidat, shpresat dhe udhët që e ngjitën në majat e mbijetesës. Pra, në të shumtën, në fabulën e veprave të këtij prozatori gëlojnë luftërat, varrtarët, nënat shamizeza dhe heronjtë, të cilët përcjellin nga një brez në tjetrin gjëmimet e rrufeve, zinë e riteve mortore, kujën dhe prapë kumbimet e betejave dhe sërish kapërcimi i rrethakut të mortjes.
Të gjitha këto rrjedhin nga një rrafsh rrëfimor plot thyerje e kontraste dhe thuren me një gjuhë që duket sikur mezi e bart baladën”, vëren Rushit Ramabaja.
Fah i tij posaçërisht ishte letërsia dokumentare, një zhanër kaq aktual në botën e sotme dhe gjithsesi më i lexuari, të cilit i është qasur me një konceptim kritik, me përkushtim kërkues e depërtues, me notë të veçantë kombëtare dhe pa dyshim me një shqetësim artistik që ka arritur ta formësojë pothuajse vazhdimisht në veprën e tij, thekson Shyqri Galica.
“Mehmet Kajtazi bën pjesë ndër ata shkrimtarë në procesin krijues të të cilëve bie në sy shfrytëzimi i drejtpërdrejtë i fakteve. Veçoria e prozës së tij qëndron te pasuria e materialit jetësor, e prototipave, në të cilët është mbështetur gjatë krijimit të personazheve, te karakteri dokumentar. Proza e tij ka strukturë dinamike, me prirje psikologjike, për arsye se autori synon të zbulojë anët e brendshme të sendeve, që personazhet t’i japë në psikologjinë e tyre, në dilemat e brendshme shpirtërore, në përshkrimin e tyre të brendshëm”, Fazli Hajrizi.
Prozat e Mehmet Kajtazit, vëren Bedri Tahiri, paraqesin një univers të gjerë e të larmishëm, ku natyrshëm bashkohen toka dhe qielli, Hyji dhe njerëzit, e djeshmja
dhe e sotmja, e veçanta dhe universalja, realja dhe mitikja, të gjallët dhe të pavdekshmit, sakrifikuesit dhe të vetëflijuarit. Megjithatë, në thelb, ato kanë një synim të caktuar: ngadhënjimin e dritës mbi errësirën, e diturisë mbi injorancën, e trimërisë mbi frikën.
Do përmendur, thekson Prend Buzhala, që në procedimorin e tij romanor dhe tregimtar, Mehmet Kajtazi i jep hapësirë strukturës kompozicionale të tipit mozaik, ku fatet e personazheve, të ngjarjeve, ashtu sikundër edhe idetë, lirizmi figurativ, monologët lirikë,
dramatizimet etj., ndërlidhen si në një kaleidoskop filmik, duke e thurur një tërësi të jashtëzakonshme interesante e funksionale.
Mehmet Kajtazi ndërroi jetë më 25 shtator 2003 në Villeneuve afër Lozanës të Zvicrës dhe prehet në Prishtinë nga 27 shtator 2003.
Mehmet Kajtazi ka botuar këto vepra:

NATA NË GUR

“Nata në gur” (roman, 1984), “Rilindja”, Prishtinë. Në vitin 1983 romani “Nata në gur”, në konkursin anonim, u ble si vepra më e mirë e konkursit të gazetës “Rilindja” për roman dhe u botua në vazhdime në këtë gazetë.
Gjatë gjithë romanit, procesi i narracionit shoqërohet me një intensitet të vazhdueshëm që zbërthen një rrjedhë jetësore, ku fjalën kryesore e ka subjekti rrëfyes i cili i shpalos kujtimet e tij.. . Shtrirja tematike, që ngërthen romani ”Nata në gur” I Mehmet Kajtazit, është konkretizuar me një përkushtim të posaçëm kreativ, me një strukturë narrative që gjen vend të plotë dhe që si e tillë veçohet për nga natyra e paraqitjes imagjinatave, me një funksion të veçantë.
Format dhe dimensionet ideore gjatë narracionit shtrojnë një rrafsh psikologjik të njeriut, një depërtim në qenien e tij, e, tekefundit, edhe një sprovë të përgjithshme të tij në raportet historike ekzistenciale.
Pra, në planin semantik kristalizohet karakteri I njeriut në pozicione të ndryshme shoqërore, ku autori arrin të shtrojë një tematikë interesante me të cilën në një mënyrë është përpjekur ta ndriçojë realitetin me një gjuhë poetike të kapshme dhe më një përkushtim krijues të merituar.. .
Ahmet SELMANI
(“Bota e Re”, 25 maj 1986: Zgjimi i Njeriut përballë një antagonizmi)

PLAKU DHE URAT

”Plaku dhe urat” (roman, 1986), “Flaka”, Shkup)
Nuk janë të rralla rastet kur një vepër letrare shkruhet si reagim ndaj një modeli pararendës të llojit të vet, duke tentuar njëherësh që mohimin e atij modeli ta mbështesë në argumentet që ofron përmes veprës së re.. . Një dukuri të tillë e ndeshim edhe tek romani I Mehmet Kajtazit ”Plaku dhe urat”. Te ky roman, të bëjmë një paralele me konstatimet e deritashme, kemi tekstin që i shqipton situatat e jetës dhe tekstin që komenton këtë formë të shqiptimit dhe artikulimit artistik… . Romani ”Plaku dhe urat” ka një kompozicion do të thoshim mozaik, ku tërësinë e rrëfimit e sajojnë reminishencat nga kujtimet e personazhit kryesor (Amnitore Fatorini). Pse është kompozicion mozaik, kur pjesa më e madhe e rrëfimit realizohet në vetën e parë? Autori mbase edhe qëllimisht ikën nga një mënyrë strikte e zhvillimit të veprimit dhe rrëfimit romanësor.. .
R. MUSLIU
(“Rilindja”, 22 nëntor 1986: Rrëfim përmes reminishencash)

ZEMËR E THYER

”Zemër e thyer” (tregime, 1987), “Rilindja”, Prishtinë

…Në këtë vëllim artistikisht të konsoliduar, ku janë përfshirë dymbëdhjetë tregime, autori, i cili krijon sipas një përfytyrimi objektiv të zhvillimit shoqëror, arrin të gjejë forma të përshtatshme që të shkrijë në mënyrë të harmonishme anën objektive me atë subjektive, realitetin me individualitetin krijues, që episodet t’i ngjeshë me mishin e jetësores duke krijuar ekuilibrin midis raportit të jetësores dhe së trilluarës. Mehmet Kajtazi, i cili është gjithnjë në kontakt me realitetin dhe ka prirjen e observimit, ka ndjenjë për përjetimin dhe perceptimin e jetës, kultivon prozën e realitetit, ku ndihet fryma e kohës dhe e hapësirës aktuale. Faktet jetësore, që në dukje të parë janë të thjeshta, autori i bën fakte artistike, i vesh me ngjyrë ideoemocionale. Duke shprehur me sinqeritet përshtypjet dhe gjykimet e tij mbi jetën, ai arrin të krijojë një prozë komunikuese në pikëpamje emocionale, e cila të nxit të përjetosh në mënyrë aktive jetën e gjallë…

 

Nga: Fazli HAJRIZI

 


(“Jeta e re” nr. 2, 1988: Dendësia e monologut funksional) (VIJON)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu