Bixhozi i rrezikshëm me salafistët

0
927

Duke ju shërbyer padronëve të tyre në Arabinë Saudite, salafistët religjiozë ultra-konservatorë po nxisin protesta të dhunshme dhe po tregojnë muskujt në Afrikën e Veriut dhe në demokracitë e reja arabe. Por jo-stabiliteti të cilin po e provokojnë ata mund t’iu kthehet bumerang sponsorëve të tyre saudit, ngase salafistët mund të iniciojnë një valë të re të fanatizmit religjioz.

Familja mbretërore në Arabinë saudite dhe partnerët e saj, hierarkia religjioze vahabiste-salafiste, për dekada të tëra kanë shpenzuar miliarda dollarë të naftës për të dërguar anembanë botës imamët e trajnuar në Arabinë saudite. Edhe pse ka shumë arsye për të para salafizmin si një sistem të besimit që mund të nxitë radikalizmin dhe xhihadizmin, klerikët sauditë po vazhdojnë të eksportojnë ideologjinë e tyre tek të rinjtë.

Dhe salafistët tashmë kanë filluar të angazhohen dhe të kërkojnë më shumë pushtet. Më 9 nëntor, me dhjetëra mijëra salafistë demonstruan në Kajro, duke kërkuar që Kushtetuta e re e Egjiptit të mbështetet në ligjin islamik. Në Tunizi, Rachid al-Ghannouchi, udhëheqës i partisë në pushtet En Nahda, tërhoqi vëmendjen e opinionit publik pas publikimit të një video-xhirimi të fshehtë, në të cilin ai këshillon salafistët radikalë që të sigurojnë përkrahje për qëndrimet e tyre nëpërmjet shkollave religjioze dhe emisioneve të ndryshme nëpër radio-kanale. Ghannouchi theksoi se kishte bërë përpjekje që të frenojë etjen e tyre për pushtet.

Salafizmi është një formë puritane e religjionit, që ka rrënjet e veta në Arabinë Saudite dhe po dëshmon indikacione se po e vazhdon përkrahjen. Gjatë javëve të kaluara, mësimdhënësit në Universitetin Zajtunah në Tunizi ngritën brengat e tyre për shkak të importimit të vahabizmit, si rezultat i lidhjeve të këtij Universiteti me Universitetin Jeddah në Arabinë Saudite, Universitet ky i ndikuar nga vahabistët.

Muajin e kaluar, kryesuesit e shtëpive kryesore botuese në SHBA bashkuan forcat, për të protestuar kundër promovimit të një libri nga ana e qeverisë së Arabisë Saudite, në të cilin jepen këshilla se si duhet amputuar duart dhe këmbët, sipas ligjit islamik dhe në të cilin u kërkua vdekja e homoseksualëve. Në këto libra të krishterët dhe hebrenjtë cilësohen si armiq. Sauditët po vazhdojnë të botojnë libra të tilla, përkundër premtimeve shumëvjeçare se do të rishikojnë këto tekste.

Më 11 shtator dhe ditët që pasuan, salafistët nxitën protestat anti-amerikane, për të demonstruar kundër filmit Pafajësia e myslimanëve, xhirimin anti-islamik të publikuar në YouTube.

Është kjo një stuhi, në krijimin e së cilës kanë ndihmuar vahabitët sauditë dhe ata nga shtetet tjera të Gjirit Persik. Mbretërit sauditë, të cilët fluturojnë anëmbanë botës me aeroplanët e tyre luksozë, me gjasë po gjejnë mbrojtje prapa turmave që po hedhin gurë. Me regjimin represiv saudit, pushtetarët saudit sigurisht që janë të brengosur për shkak të shteteve përreth, të cilat po kalojnë nëpër tranzicion demokratik. Islamistët nga radhët e Vëllazërisë Myslimane, të cilët kanë marrë pushtetin në Egjipt dhe Tunizi, një ditë mund të kërcënojnë Shtëpinë e Saudit dhe qeveritë vahabiste në Katar dhe Bahrejn.

Kjo është mënyra se si e sheh këtë çështje Partia sekulare Demokratike e Libisë. Sabri Malek, zëdhënësi i kësaj partie, i tha televizionit të Iranit se “demokracia në Libi ka shqetësuar tej mase sauditët dhe katarafit”.

“Arabia Saudite dhe Katari dëshirojnë të sigurohen se Pranvera Arabe nuk do të përhapet në Gadishullin e Arabisë”, tha ai.

Mundësia e trazirave të reja në Egjipt dhe Tunizi ka forcuar salafistët në këto shtete, duke shtuar trysninë ndaj udhëheqësve të Vëllazërisë.

Presidenti i Egjiptit Mohamed Morsi tashmë ka filluar të lutë sauditët dhe ai tani ka nevojë për ta më shumë se asnjëherë më parë.

Ali Al Ahmed, një ekspert shiit saudit, i cili kryeson Institutin për Çështje të Gjirit në Washington, theksoi se sauditët po trimërojnë salafistët që të sfidojnë qeveritë e Vellazërisë Myslimane. “Ata janë të tmerruar për shkak të asaj që po ndodh në Egjipt. Qeveria e Vëllazërisë Myslimane është arabe, sunite dhe religjioze për popullin e saj. Nëse do të mund të krijonin një model, atëherë ai do të kërkohej edhe nga shtetet tjera”, theksoi Al Ahmed.

Njëri nga klerikët më të popullarizuar në Arabinë Saudite, Salman Al Odah, i cili është burgosur për shkak të “qëndrimeve të tij radikale”, ka mbështetur Pranverën Arabe dhe qeveritë e Vëllazërisë Myslimane. Al Odah, i cili ka mbi 1 milionë mbështetës në Twitter, ka shprehur brengën se salafistët mund të destabilizojnë qeverinë e Vëllazërisë Myslimane në Egjipt.

Por angazhimi i disa njerëzve në Arabinë Saudite për instalimin e shoqërive puritane islamike jashtë vendit mund t’i kthehet si bumerang sauditëve, pikërisht si në rastin kur Arabia Saudite mbështeti luftëtarët muxhahedinë në Afganistan dhe fushëbetejat tjera gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, kur Osama Bin Ladeni vuri në shënjestër mbretërinë.

Salafistët janë përhapur edhe në Afrikën e Veriut, ku Arabia Saudite, Kuvajti, Katari dhe Emiratët e Bashkuara Arabe kanë ndërtuar xhami dhe shkolla fetare, për të trajnuar imamët vahabitë.

Përhapja e islamit puritan në Afrikë, në vendet me popullatë të varfër dhe qeveri të dobëta, ka krijuar kushtet për ngulitjen e grupeve të armatosura islamike, si Ansar Dine në Mali dhe Boko Haram në Nigeri, të cilat kanë imponuar versione brutale të ligjit islamik.

Kërkesat e salafistëve për vendosjen e ligjit islamik në demokracitë e reja po i vështirëson punët qeverive të Vëllazërisë Myslimane dhe përpjekjet e tyre për tu forcuar. Dhe duke pasur parasysh depërtimin aq të thellë të salafistëve, këto qeveri nuk mund të llogarisin më në mbështetjen e Perëndimit. Por Arabia Saudite dhe shtetet tjera të Gjirit gjithashtu kanë nevojë për stabilitet në Egjipt dhe Afrikën e Veriut, por partnerët e tyre salafistë po e minojnë për çdo ditë pikërisht këtë stabilitet. (National Interest)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu