Biznesmeni pakistanez: Vajza e Kryeministrit më kërkoi 3 milionë euro

0
783

Biznesmeni pakistanez, Zafar Ansar, deklaron se vajza e kryeministrit Sali Berisha, Argita, i ka kërkuar 3 milionë euro për firmën e babait. Ansar në një intervistë për “Top Channel”, tregon për takimet e tij me Argitën dhe afert e saj.

Si mundët të takoheni me kryeministrin Berisha dhe çfarë biseduat?

Takimi u organizua nga ambasadori I Shqipërisë në Arabinë Saudite. Vajta e takova për ta informuar se kisha në plan të ndërtoja një TEC me kapacitet 12 megavat. Kryeministri ishte i gëzuar që po dëgjonte rreth këtij projekti dhe më tha se do të bënte gjithçka që mundej duke shtuar se shpresonte që unë të bashkëpunoja me njerëz të mirë në Shqipëri. E falenderova duke i thënë do të jetë kënaqësi e imja.

Si jeni njohur me ambasadorin shqiptar në Arabinë Saudite, Admir Banaj?

Në vitin 2007 Pakistani organizonte takimin e ministrave të Jashtëm të Konferencës Islamike në Islamabad. Merrte pjesë edhe Shqipëria duke u përfaqësuar nga zëvendësministrja e Jashtme, Edith Harxhi. Zoti Admir, ambasadori Shqipërisë në Arabinë Saudite, ishte pjesë e delegacionit të saj. Kjo ishte hera e parë që e takova.

Kush ju prezantoi me kompaninë avokatore të Argita Berishës?

Takimi është organizuar nga zoti Admir, ambasador në Arabinë Saudite.

A jeni takuar personalisht me Argita Berishën?

Disa herë.

A bëri ndonjë premtim Argita Berisha?

Ne biseduam se çfarë ishim të interesuar të bënim. I tregova për mungesën e energjisë elektrike në Shqipëri dhe interesin që kisha në ndërtimin e një TEC-i. Ajo më tha se kjo është një diçka që na duhet dhe ne iu inkurajojmë për ta bërë atë.

Si mund të na e përshkruani të gjithë korrespondencën që patët me të?

Ju keni aksesin e të gjithë e-maileve nga ku mund të shikoni të gjithë bashkëbisedimin që ne patëm, ku tregohet se si mund të ecnim përpara me këtë projekt. Ajo më këshilloi se duhej të përgatisnim një ofertë për kompaninë KESH. Ne e bëmë një gjë të tillë. Dhe kështu filluam.

A ju la Argita Berisha ndonjë lojë impresioni se ajo po përdorte statusin e saj si vajza e kryeministrit për të plotësuar kërkesat tuaja?

Fakti që ajo është vajza e kryeministrit më bëri të mos kisha asnjë dyshim në mendjen time se ajo do të mundësonte duke përdorur influencën e saj për të arritur objektivin që kisha sa më parë pa pasur probleme. Prandaj edhe rashë dakord që të punoja me të.

A ka pasur ndonjë lloj presioni gjatë korrespondencës tuaj në blerjen e tokës për të cilën ishit i interesuar?

Fillimisht nuk e dija që ajo kishte interes në shitjen e tokës të cilën më ofroi. Fillimisht më pyeti nëse dëshiroja të blija tokë dhe çfarë hapësire. I tregova se kisha nevojë për tokë ku mund të ndërtoja TEC-in. Këtë e bëra nëpërmjet një e-maili ku i shpjegoja specifikat e tokës që më duhej. Ajo më pas më informoi se toka është gati dhe se duhet të veproja shpejt në mënyrë që ta blija pasi më vonë s’do të kisha mundësi. Toka e ofruar prej saj ishte jo e përshtatshme, pa infrastrukturën e nevojshme, shumë e shtrenjtë dhe nuk përmbushte kërkesat e mia. E informova se ishte pak herët për mua të blija token, pasi fillimisht duhet të aprovohej projekti dhe më pas të investoheshin miliona euro për blerjen e tokës. Ajo më tha se aprovimi i projektit nuk do të përbënte problem. Lexoni e-mailet dhe nxirrini vetë konkluzionet. Shitja e tokës ishte një mundësi e shpejtë për të bërë para. Po, kishte presion ndaj meje për të blerë tokën. Pasi vendosa mos ta blija token, mu tha se projekti për ndërtimin e TEC-it 120 megavat do të ketë probleme. Më pas nuk pata asnjë komunikim nga KESH-i. Nuk mu besua se si kjo mundësi për ndërtimin e TEC-it u injorua në këtë mënyrë pasi do të lehtësonte nevojat e njerëzve për energji elektrike . E gjitha një humbje mundësie për të pasur një investim prej 100 milion euro.

Cili është komenti juan në lidhje me kërkesën e Flutura Kolës partnere në kompaninë avokatore të Argita Berishës, e cila ne e-mailin e datës 6 tetor 2007 thotë se nëse investimi do të jetë i suksesshëm atëherë ju duhet t’i paguanit kompanisë avokatore 1.5% deri në 3% të vlerës së investimit?

Vlera e projektit shkonte në 100 milion euro. Mu duk shumë e çuditshme për një kompani ligjore qe të kërkonte të paguhej, krahas punës me aspektin juridik edhe me pagesë për suksesin e investimin pavarësisht sigurisë 100% në realizimin e qëllimit nga investitori. Praktika e përgjithshme në Europë për kompanitë avokatore konsiston në pagimin nga klienti, vetëm të orëve të punës të avokatëve. Ata nuk kërkojnë të paguhen për atë që njihet si “pagesë për suksesin”: Në këtë rast duket qartësisht se meqenëse ajo është vajza e kryeministrit gjen mënyrën dhe e bën.

Cilat ishin arsyet qe u tërhoqët nga ky investim?

Mund t’ju them se nuk u tërhoqa nga ky projekt, por m’u tha se nuk mund të merrja lejen për ta ndërtuar TEC-iin. Arsyeja e vetme që mund të mendoj përse kjo ndodhi, lidhet me mosblerjen e tokës me atë çmim aq të lartë që mu ofrua. Edhe sikur të më jepej leja, unë nuk do ta kisha blerë atë tokë, pasi nuk ishte e përshtatshme për të ndërtuar atë që unë doja. Më erdhi shumë keq që s’munda ta realizoja një investim të tillë prej 100 milion euro.

Pas publikimit të korrespondencës tuaj në median shqiptare a jeni kontaktuar nga ndokush, për të mohuar përmbajtjen e këtij bashkëbisedim nëpërmjet postës elektronike?

Në kohën kur e-mailet e mia u publikuan, zoti Admir Banaj më kërkoi disa herë që të hidhja në gjyq gazetarin që i publikoi ato. Sa herë që ma ka kërkuar ta bëja një gjë të tillë, iu përgjigja se nuk kam ndërmend të përfshihem në politikën e brendshme. Ai nuk hiqte dorë nga kjo kërkesë për të çuar në gjyq gazetarin, Madje më bëri edhe oferta joshëse. Më prezantoi me një avokat në Tiranë, i cili ishte i gatshëm te merrej me këtë çështje natyrisht me një kosto goxha të lartë. Përsëri i thashë zotit Admir se nuk dua të merrem me këtë çështje. Ai u mërzit shumë me mua. Përdori influencën e tij në ministrinë e Jashtme dhe në zyrën e kryeministrit për të më hequr titullin si “konsull nderi i Shqipërisë në Pakistan”.

Sipas jush heqja e titullit lidhet direkt me vendimin për mos të vazhduar me këtë projekt në Shqipëri, pas ndërprerjes se bashkëpunimit me zyrën e vajzës së kryeministrit?

E çfarë tjetër mund ishte? Nuk ishte e drejtë të më kërkonin me forcë të thosha gjëra që nuk doja t’i thosha. Ambasadori donte që unë thosha se gjerat ishin në rregull, në mënyrë që të përfitonte njëri apo tjetri. Nuk u dakordësova me të tilla kërkesa.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu