Blerja e votave

0
967

Jo pak biznesmenë i kanë hyrë aventurave zgjedhore me shpresë që, nëse jo ndryshe, votat e nevojshme për të hyrë në Parlament do t’i blejnë me para. Dikush ka dështuar e ndonjë tjetër në këtë mënyrë është bërë deputet, si pjesë e listave partiake.

Pa hyrë në detaje se si e kanë bërë pasurinë ata biznesmenë, në mënyrë të rregullt apo të parregullt, pavarësisht dyshimeve personale, së paku votat i kanë blerë me paratë e veta, normalisht në mënyrë jo demokratike, pasi që votuesit janë joshur me para e jo nga oferta programore e tyre. E duke e marrë parasysh sfondin e mjerimit me të cilin përballet qytetari, këto rrethana krijojnë ambient perfekt për blerjen e votës.

Të njëjtën metodë, por më të perfeksionuar, meqë tashmë ia ka marrë dorën kësaj pune po e përdor sërish kryeministri, Hashim Thaçi. Ai ia ka mësyrë që dhjetëra mijëra vota t’i blejë me para. Por, jo me paratë e xhepit të tij. Me komoditetin që i jep fuqia e pushtetit, Thaçi ka nisur të bëjë pazare me paratë e tatimpaguesve për blerje të votave. Thaçi me vëllezërit e tij nuk ia lëshon rrugën biznesmenëve kosovarë për nga fuqia financiare, mirëpo paratë e veta me siguri i ruan për ditë të vështira. E pse t’i shpenzojë paratë e veta kur e ka në dispozicion buxhetin e shtetit.

Ai tashmë ka marrë vendimin që prej një prillit t’ua rrisë pagat 82 mijë shërbyesve civilë. Sigurisht beson që në këmbim të ngritjes së pagave do të fitojë shumë vota për partinë e tij, sepse në të kundërtën nuk do t’i priste zgjedhjet për ta marrë një vendim të tillë. Ngritja e pagave në sektorin publik është e domosdoshme pikërisht për shkak të ngritjes të vazhdueshme të çmimeve të artikujve elementarë dhe një ngritje e tillë do të duhej menduar çdo vit, atëherë kur hartohet buxheti në qeveri e dërgohet për miratim në Kuvend e jo disa muaj pas fillimit të vitit të ri fiskal, kur janë afër zgjedhjet e përgjithshme.

Kur vendimet për ngritje pagash merren në prag të fushatave zgjedhore çdokush, me të drejtë mund të mendojë se pas këtij vendimi ka një sherr dhe sherri sigurisht se janë votat e jo përmirësimi i standardit jetësor të shërbyesve civilë. Kjo metodë e fitimit të votave nëpërmjet parave publike tashmë ka filluar të mos mbetet monopol i partisë në pushtet. Edhe partia e madhe opozitare, e cila pretendon që prej qershorit të këtij viti të udhëheqë institucionet qendrore, ka pësuar inflacion dyshifror në premtime në katër vitet e fundit.

Derisa në të kaluarën zyrtarë të LDK-së premtonin ngritje pagash prej 5 apo më së shumti 7 për qind, tashmë po premtojnë edhe shumë më shumë se kryeministri Hashim Thaçi, duke i kërkuar këtij të fundit që pagat të ngrihen madje 43 për qind.
Po të rriteshin pagat e gjithë shërbyesve civilë, aq sa po kërkon partia e Isa Mustafës, atëherë kryeministri i ardhshëm s’di si do ta realizonte programin e tij për zhvillim ekonomik kur buxheti në dispozicion do t’i mjaftonte vetëm për paga dhe mëditje e transfere sociale pa lënë fare vend për investime kapitale.

Eksponentët e dy subjekteve më të mëdha politike në vend para se të mendonin për blerje votash nëpërmjet rritjes së pagave, sepse një rritje të tillë edhe ashtu për pak kohë do ta përpijë inflacioni, do të duhej të mendonin për investime në projekte zhvillimore, aso për të cilat ky vend ka nevojë urgjente, dhe që do të gjeneronin vende të reja pune.
Në këtë mënyrë shumë të rinj do të punësoheshin, duke i rritur të ardhurat për çdo familje dhe nuk do të detyroheshin të marrin rrugët e botës, duke kërkuar azil në mungesë të perspektivës në Kosovë.

Me premtime të tilla për rritje pagash, Thaçi dhe Mustafa po tentojnë t’i blejnë votat e mësuesve, mjekëve dhe shërbyesve tjerë civilë, si në ankand, duke u shtyrë se kush e ka ofertën më të lartë financiare.



Nga: Lavdim Hamiti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu