Blic Intervista || Haxhiu: Gjykata Speciale nuk do t’i ndëshkoj kriminelët dhe mafiozët që janë në politikë

0
931

Haxhiu

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu thotë se Gjykata Speciale në asnjë mënyrë nuk duhet të krijohet. Sipas saj, kjo gjykatë do ta ndëshkojë vetëm luftën, e jo edhe kriminelët dhe ata që janë në politikë.

“Shumëkush po mendon që Gjykata Speciale do të sjellë ndëshkim për ata që e kanë uzurpuar Kosovën me krim edhe mafia. Por kjo nuk do të ndodhë. Gjykata Speciale thjesht do të ndëshkojë luftën. Kriminelët dhe mafiozët që janë në politikë, do të mbeten aty, për shkak se e kanë blerë garancinë për paprekshmërinë e tyre”, thotë Haxhiu në një intervistë dhënë për Gazetën Blic.

Ajo është e bindur se Gjykata Speciale do të funksion ngjashëm sikurse EULEX-i. “Do të jetë e korruptuar dhe diskriminuese”, thotë Haxhiu.

Deputetja e VV-së në këtë intervistë flet edhe për atë se përse duhet të shkarkohet ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, për skandalin e publikuar në medie ku PDK së bashku me zyrtarët e EULEX-it po ndërhyjnë në drejtësi, për zgjedhjet e ardhshme, koalicionet e mundshme parazgjedhor, përplasjen e Albin Kurtit me Kadri Veselin…

Gazeta Blic: Znj. Haxhiu shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci paralajmëroi se javën tjetër mund të votohet projektligji për themelimin e Gjykatës Speciale. Mendoni se do të votohet javën tjetër ky projektligj, apo koalicioni nuk i ka numrat?

Albulena Haxhiu: Gjykata Speciale është e dëmshme për Kosovën. Ajo cenon sovranitetin e popullit të Kosovës në pushtetin gjyqësor. Synimi i saj i drejtpërdrejtë është dënimi i luftës çlirimtare që shqiptarët e Kosovës kanë bërë në 1999. Justifikimi i saj është përmes shpifjeve të pavërtetuara ndonjëherë. Prandaj, ne mendojmë se ajo kurrsesi nuk duhet të miratohet. Dhe ne jemi të bindur se edhe në grupet parlamentare të forcave qeveritare ka ende disa deputetë që e duan këtë vend. Mendojmë se ky amendament nuk do t’i marrë votat, dhe angazhimi ynë si subjekt politik është që miratimi i tij të mos ndodh.

Nga ana tjetër, seanca për këtë amandament ishte e lajmëruar për javën e kaluar. Shumë deputetë e bënë të qartë vullnetin e tyre duke mos ardhur në atë seancë. Mosmbërritja e prezencës për të siguruar votat tregon qartë vullnetin e deputetëve. Kështu ndodh kudo në botë, ku ka demokraci. Por me ndërhyrjen e krerëve të Qeverisë u arrit që të anulohej votimi, për të cilën ishte thirrur seanca. Kjo tregon se forcat e interesuara për Gjykatën Speciale nuk janë të interesuara edhe për demokraci në këtë vend. Kjo i bie gjyqësor pa demokraci. Deri sot kemi pasur stabilitet pa drejtësi, pushtet pa shtet dhe paqe pa zhvillim, tani kemi edhe gjyqësor pa demokraci. Pra gjërat nuk po shkojnë në drejtimin e duhur.

 

Gazeta Blic: Vetëvendosje, por edhe pjesa tjetër e opozitës në vazhdimësi e ka kundërshtuar themelimin e Gjykatës Speciale nga ana e Kuvendit. Miqtë ndërkombëtarë të Kosovës në vazhdimësi po na paralajmërojnë se nëse nuk e bën Kuvendi, e bën OKB-ja, duke qenë edhe më e dëmshme për Kosovën. Cili version sipas jush është më i dëmshëm?

Albulena Haxhiu: Shumëkush po mendon që Gjykata Speciale do të sjellë ndëshkim për ata që e kanë uzurpuar Kosovën me krim edhe mafia. Por kjo nuk do të ndodhë. Gjykata Speciale thjesht do të ndëshkojë luftën. Kriminelët dhe mafiozët që janë në politikë, do të mbeten aty, për shkak se e kanë blerë garancinë për paprekshmërinë e tyre. Gjykata Speciale do të funksionojë njësoj si EULEX-i, pra do të jetë e korruptuar dhe diskriminuese. E vetmja shpresë që të vendoset drejtësi për pasluftën në Kosovë, është një aleancë e qytetarëve me Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Sepse për të vendosur drejtësi funksionale e për të ngritur gjyqësorin në një shtet demokratik, nevojitet një subjekt etik, atdhedashës dhe vetësakrifikues.

Ekziston një tendencë në disa subjekte politike në vende të ndryshme të perëndimit, që të kërkojnë barazimin moral të Serbisë me Kosovën, sa i përket luftës në Kosovë. Ne këtë barazim moral do ta luftojmë gjithnjë, sepse nuk është as i drejtë as i vërtetë. Nuk mund të barazohet viktima me kasapin. Ne kemi epërsinë morale, dhe argumentet janë në anën tonë. Nuk duhet të lejojmë që këto argumente të varrosen me skema të tilla, siç është Gjykata Speciale.

Qeveritarët tanë po thonë se nuk kemi pse të trembemi nga Gjykata Speciale, sepse jemi të pastër. Atëherë kjo i bie që edhe nëse gjykata themelohet nga OKB nuk kemi pse trembemi se jemi të pastër. Pra argumenti i tyre është idiotesk. Por të gjithë e dimë se në fakt nuk është as argument. Kjo është vetëm një trembje. OKB nuk ka asnjë gjasë teorike të themelojë një Gjykatë Speciale në Kosovë. Kjo nuk ka ndodhur askund, e nëse do të ndodhte do të hapte precedentë për shumë vende të tjera ku ka pasur konflikte të ngjashme e ndër to ka edhe vende të Këshillit të Sigurimit. Asnjëri prej këtyre vendeve nuk do ta pranonte një precedent të tillë të rrezikshëm. Argumenti i OKB po përdoret vetëm për të trembur popullin shqiptar të Kosovës, për ta bërë më të pranueshëm themelimin e Gjykatës Speciale.

Gazeta Blic: Partitë opozitare madje përmes një letre drejtuar udhëheqësve të institucioneve kërkuan që të mos votohet themelimi i kësaj gjykate. Mendoni se do ta marrin parasysh këtë letër të opozitës?

Albulena Haxhiu: Mendojmë se në një demokraci, për vendime të rëndësishme që prekin sovranitetin e vendit duhet të kërkohet konsensusi mes pozitës dhe opozitës. Nëse pushtetarët marrin vendim pa e marrë parasysh kërkesën e drejtë të opozitës, ata vetëm sa do e thellojnë despotizmin në këtë vend. Dhe është provuar që Kosova nuk i duron despotët. Kështu që, do të ishte më mirë për mazhorancën ta merrnin parasysh këtë letër. Kërkesat e opozitës janë në të mirë të shtetit tonë, pra të të gjithë qytetarëve.

Gazeta Blic: Në një protestë të organizuar para disa muajsh, opozita kishte akuzuar ministrin e Drejtësisë Hajredin Kuçi, si shkatërrues të sistemit të drejtësisë në Kosovë, madje kishin kërkuar edhe dorëheqjen e tij. Pse po kërkohet vetëm koka e Hajredin Kuçit, e jo ta zëmë të shefit të tij, Hashim Thaçi?

Albulena Haxhiu: Ne nuk kërkojmë koka, por llogaridhënie dhe mbajtje përgjegjësie. Ministri i drejtësisë duhet të mbajë përgjegjësinë e vet, për bëmat e veta. Ministri i jashtëm mban përgjegjësi për bëmat e veta. Nuk mund të shfajësojmë askënd duke ia lënë fajin vetëm një eprori. Edhe pse Thaçi është një ndër të këqijat e mëdha të këtij vendi, ai nuk do të mund t’i bënte ato pa servilë të zellshëm, si Hajredin Kuçi.

E sa për ta rikujtuar publikun, dorëheqjen e Thaçit e kemi kërkuar që në vitin 2011, dhe nuk do të reshtim së punuari që Thaçi të mos jetë më në qeveri, por përballë trupit gjykues, bashkë me kolegët e aleatët e tij shtetshkatërrues.

Gazeta Blic: Znj. Haxhiu në seancën e së enjtes patëm një përplasje ndërmjet deputetit të Vetëvendosjes Albin Kurti dhe kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli në lidhje me një skandal të EULEX-it, ku përfolën edhe zyrtarë të PDK-së, që ndërhyjnë në sistemin e drejtësisë. Zyrtarët e PDK-së e quajtën përrallë dhe poezi ato që i tha z. Kurti. Cila është e vërteta sipas jush?

Albulena Haxhiu: E vërteta është objektive. Ajo u provua nga raportet e nga pohimet e bëra nga vetë EULEX-i. Pushtetarët e Kosovës dhe pushtetarët e EULEX-it janë lidhur bashkë nga një kërthizë korruptive. Kësaj kërthize po i vjen era SHIK. Këtë ne si Lëvizje VETËVENDOSJE! e kemi thënë që në fillim kur është etabluar EULEX. Por tashmë parashikimet tona, siç ndodh shpesh, po vërtetohen.

Sigurisht që Kadri Veseli nuk mundet t’i pranojë këto të vërteta. Ai është njeriu që i thotë të bardhës e zezë dhe të zezës e bardhë. E keqja është se mendon se mund të na detyrojë edhe ne ta themi të njëjtën që e thotë edhe ai. Por nuk mundet.

Do të dëshiroja së paku ta përgëzoja për shijet e tij poetike, por kam frikë mos tingëllojë më cinike se sa duhet, me një rast të pashpresë të injorancës brutale.

Gazeta Blic: Nëse janë të vërteta ato që janë përfolur në atë raport, atëherë PDK po përgatitet që në vjeshtë, ose më së largu në fillim të vitit të ardhshëm ta qoj Kosovën në zgjedhje. A është e përgatitur VV për zgjedhje të reja?

Albulena Haxhiu: Ne jemi të gatshëm për zgjedhje të reja jo në vjeshtë, por sa më parë. Kjo qeveri është një Frankenshtajn. Ajo nuk duhet të lejohet të qeverisë Kosovën pasi po prodhon veç dështime. Zhvillimi ekonomik ka ngecur, punësimet e reja janë zero, investimet vazhdojnë të jenë pa plan nëpër asfalt e jo në prodhim, ndërkohë që sovraniteti po vjen duke u holluar në vend që të forcohet. Kjo qeveri nuk është në gjendje t’i japë drejtim Kosovës, kështu që ndjek drejtimin që i jep Serbia, përmes ndërmjetësve të saj.

Megjithatë zgjedhjet duhet të përcaktohen nga vullneti i qytetarëve, dhe jo nga dallaveret nëpër kulisat e hoteleve të Prishtinës.

Gazeta Blic: A do të hyj Vetëvendosje në koalicion parazgjedhor me ndonjë parti, ta zëmë ky blloku opozitar të shkoj i përbashkët në zgjedhje?

Albulena Haxhiu: Nuk ka ndonjë diskutim të tillë në VETËVENDOSJE!. Kur të vijnë zgjedhjet do të hapet çdo diskutim rreth kësaj.

Gazeta Blic: Si e vlerësoni punën e deritanishme të Qeverisë së Kosovës?

Albulena Haxhiu: Që në momentin e krijimit, kjo qeveri ka vrarë shpresën e qytetarëve. Premtimi për ndryshim u tradhtua dhe njerëzit filluan ta lëshojnë vendin. Por, në anën tjetër, zhgënjimi i madh solli diçka pozitive. Qytetarët e kuptuan që me angazhim të vendosur, në rrugë e institucione, ndryshimi mund të ndodh dhe shpresa mund të kthehet. Me këtë qeveri nuk ka vende të reja të punës; nuk ka qasje të re ndaj Serbisë dhe shtrirjes së sovranitetit; nuk ka plan për zhvillim e mirëqenie. Por, në anën tjetër, ka zhgënjim e revoltë qytetare, që do ta ndryshojë patjetër këtë gjendje.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu