Bllaca trondit sërish

0
682

Dëshmitë e reja të Bllacës mund ta zgjerojnë rastin “Kleçka”. I vetëakuzuari për vrasje dhe dëshmitari për krime lufte, Nazim Bllaca, në një rrëfim për “Kosova Sot”, i implikon ish-drejtues të Shtabit të UÇK-së. Ai flet për arrestimin e disa personave, për të cilët thotë se njerëz që sot janë në poste politike duhet të tregojnë se ku përfunduan. Bllaca pret që të dëshmojë edhe për vrasje të pasluftës. Në mbi 4 000 faqe deklarata, ai ka rrëfyer versionin tij të anës kriminale të luftës dhe pasluftës.

Në pyetjen se a vazhdoni të qëndroni pas arsyeve për deklaratat që i keni dhënë më herët, Bllaca thotë: “Po, siç dihet, arsyeja e deklaratave ka qenë përgatitja e atentatit ndaj meje në vitin 2007, mirëpo këtu duhet të shtohet edhe atentati i vitit 2009. Pas publikimit të CD-së, më datën 27 nëntor të vitit 2009, është kryer atentati i dytë kundër meje afër shtëpisë ku jetoj. Edhe kjo ka qenë si rezultat që një ditë më herët Gani Geci e ka publikuar CD-në e Bllacës në Parlamentin e Kosovës. Do të thotë se grupet kriminale i kanë përcjellë me vëmendje zhvillimet 24-orëshe të 26 dhe 27 nëntorit të vitit 2009. Këto janë dy arsyet që më kanë detyruar të dal në opinion”.

Lidhur me personat tashmë të përfolur nga i vetëakuzuari, si Fahredin Gashi, Shaban e Bekim Syla, Sadik Abazi, Driton Hajdari e Shpresim Uka, kohëve të fundit po përmend edhe emra të tjerë, Bllaca komenton: “Jo, këta lidhen me një kapitull tjetër të krimeve. D.m.th. si rezultat i presionit të madh që ka bërë Qeveria dhe Parlamenti ndaj meje, dëshmive të mia dhe kredibilitetit tim, në vitin 2011 unë kam vendosur ta hap një kapitull të ri të krimeve të luftës për arsye se dëshiroj ta bindi Hashim Thaçin se unë nuk jam një dramë e pavlerë, siç më ka quajtur ai, tre muaj pas daljes sime publike. Dua ta bindi Jakup Krasniqin se unë nuk jam personi që kam dëshmuar për shtëpinë në Burrel, sepse asgjë nuk kam të bëjë me Burrelin, unë dua ta bindi Jakup Krasniqin se mund të bëhem diku tjetër dëshmitar, ndoshta dëshmitar kyç i procesit”.

Tashmë është përmbyllur një proces gjyqësor, ku ju ishit dëshmitarë kyç i procesit kundër Fahredin Gashit, i dënuar me 18 vjet burgim. Si e vlerësoni këtë vendim të gjykatës?

Sipas Bllacës, “dënimi i Fahredin Gashit është rasti i parë i gjykimit pas daljes sime në skenë, kur po bëhen dy vjet. Unë e kam thënë publikisht, e edhe në seanca, se për Fahredin Gashin ka shumë prova, shumë fakte që janë shumë bindëse, e që e ndihmojnë trupin gjykues që të vijë deri te një vendim i tillë. Mirëpo, vrasja që është përmendur në fshatin Varigovc është diskutuar 17 herë në vitin 2009, në fshatin Stankovc. Dihet që Fahredin Gashi nuk ka qenë urdhërdhënës, ai e ka zbatuar urdhrin, por si duket ky nuk ka qenë i interesuar ta implikonte Fatmir Xhelilin dhe dënimi mbet te Fahredin Gashi. Unë e kam përmendur pas vrasjes se Faruku më ka thënë se mbështetjen kryesore e kemi nga Fatmir Xhelili. Këtë e kam thënë në vitin 2009, e them edhe tani. Unë nuk kisha prova të mjaftueshme për ta implikuar edhe Fatmir Xhelilin dhe mbetet ky vendim i gjykatës”.

Në pyetjen se a është intervistuar deri më tani nga prokurori për të ashtuquajturin rasti “Kleçka”, Bllaca thotë:Po, jam intervistuar nga prokurori. Deklarata ime është dy faqe për rastin “Kleçka”. Deklarata ime, siç e kam thënë edhe gjatë një emisioni, nuk ka të bëjë me dëmtimin e Fatmir Limajt, e as të akuzuarve të tjerë, ngase Limaj dhe të tjerët akuzohen për prillin e vitit 1999, ndërsa prezantimi im në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë në rastin “Kleçka” në mënyrë horizontale i zgjeron krimet për një periudhë krejt tjetër. Topi do të hedhet për krimet e vitit 1998, në periudhën korrik-gusht”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu