Blloku, sigurt drejt ridizajnimit – AAK kundër

0
720

Blloku

Isa Mustafa, sot, për herë të parë, e ka pranuar se Bllokut nuk i takon pozita e Kryetarit të Parlamentit. Në të njëjtën kohë, ai ka bërë thirrje për reflektim të të gjitha palëve, në këtë rast edhe të LDK’së, AAK’së, NISMA’s dhe Vetëvendosjes.

Por, çka nënkupton kërkesa e Mustafën për reflektim?

Një zyrtar i LDK’së ka thënë për Gazetën Express se Mustafa ka marrë disa kërkesa nga Degët e partisë për të rishikuar marrëveshjen me partitë e Bllokut në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Tjetër anëtar i Kryesisë së LDK’së ka thënë se vetëm AAK është duke rezistuar rishqyrtimit të marrëveshjes së Bllokut ngase po i frikësohet humbjes së pozitës së Kryeministrit.
“Partitë tjera janë për ridizajnim e marrëveshjes me kusht që të mos shkohet në zgjedhje”, ka thënë ai.

Mustafa deri më tash ka hezituar të t’i kërkojë liderit të partisë së katërt, Ramush Haradinaj, të heqë dorë nga pozita e Kryeministrit, pasi marrëveshje e nënshkruar pesë muaj më parë, nuk po mund të zbatohet.

Mirëpo, në një postim përmes Facebook’ut, ai ka thënë se do të ketë konsultime për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për shumicën për t’i shmangur zgjedhjet e reja.

“Në ditët në vijim do të mbajmë konsultat me degët dhe organet e LDK-së si dhe me partnerët tanë të koalicionit në mënyrë që të gjejmë zgjidhjen e pranueshme për shumicën dhe për Kosovën. Vendi nuk ka nevojë të shkojë në zgjedhje, vendi ka nevojë të ketë zgjidhje. Prandaj, të gjithë ne duhet të reflektojmë karshi gjendjes së krijuar”, ka shkruar Lideri i LDK’së.

Ndaj, këtij mesazhi, ka reaguar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përmes një mbledhje me Kryesinë e Zgjeruar.

Nga ky takim AAK ka kërkuar të zbatohet marrëveshje e arritur para pesë muajsh dhe në bazë të saj të ndërtohen edhe institucionet.

Rrjedhimisht, përmes kësaj deklarate, AAK e ka bërë të qartë se Ramush Haradinaj duhet të jetë kandidati për Kryeministër e Isa Mustafa Kryeparalamentar.

Ndërkohë, partitë kanë kohë më së largu edhe javën e ardhshme, para se Presidentja Jahjaga t’i nisë konsultimet për datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

Por, zgjedhjet është duke i kundërshtuar jo vetëm LDK’ja, por edhe NISMA e Fatmir Limajt.

Burime brenda kësaj partie kanë thënë se Limaj ua ka bërë të qatë Bllokut se do të jetë bashkë me ta deri në momentin kur në tavolinë do të prezantohet opsioni i zgjedhjeve të reja.
Sidoqoftë, Zyra e Presidentes edhe sot i ka përmendur zgjedhjet e reja nëse liderët e partive politike nuk arrijnë marrëveshje për formimin e institucioneve të reja.
Nëse Presidentja Jahjaga i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme automatikisht deputetëve iu humbet mandati dhe rrjedhimisht nuk mund as t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese pasi nuk janë më palë e autorizuar.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu