Blushi: Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë është edhe çështje ndërkombëtare

0
816

Bashkimi i Shqipërisë me Kosovës do të ndodhë kur të dy shtetet do të jenë demokratike, kështu deklaron deputeti i Partisë Socialiste Ben Blushi. Por ai shton se bashkimi i dy shteteve shqiptare nuk është vetëm çështje e dy shteteve por edhe ndërkombëtare.

“Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën sa është një çështje e dy shteteve aq është edhe çështje ndërkombëtare. Nuk besoj se dy shteteve tona po i lihet koha e duhur për të treguar se kanë aftësi të ndërtojnë shtet dhe institucione funksionale e të mos ndërtojnë shoqëritë e tyre mbi bazën e korrupsionit dhe tarafit. Sa më shpejt të bëhen demokratike, të integruara në shoqëri këto dy shtete aq më e shpejtë do të jetë dita kur shqiptarët të jetojnë brenda një shteti”, ka thënë Blushi në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës.

Blushi duke folur për mbështetjen që gëzon Sali Berisha në Kosovës, ka nënvizuar se ka dy momente që qytetarët e Kosovës duhet të vënë në dyshim patriotizmin e Berishës.

“Berisha me koshiencë, gjë që e ka pohuar edhe vet, furnizoi makinën ushtarake të Millosheviçit me naftë. Nëse furnizon me naftë makinerinë ushtarake stimulon luftën e konfliktin dhe potencon një njeri i cili 2-3 vite më vonë i kërceu në kurriz Kosovës me historinë që njohim. Momenti i dytë është në vitin 1999 kur Sali Berisha i bëri thirrje lidershipit të Kosovës të mos firmoste marrëveshjen e Rambujesë që vendosi piketat e shtetit që kemi sot”, tha Blushi.

Ndërsa duke folur për Berishën si lider, deputeti socialist ka nënvizuar se po qëndron në politike duke mbajtur pushtetin në rrugë autoritare dhe duke vjedhur zgjedhjet.

“Nëse vijmë në Shqipëri, Sali Berisha është i vetmi lider politik prej 20 vitesh. Me gjithë ata homologë me të cilët e nisi politikën, me Gligorovin, Papandreun e vjetër, Millosheviçin apo disa liderë të tjerë që janë zhdukur nga skena politike. Ne nuk themi që Berisha të ikë me vullnetin e vet por themi se Shqipëria e ka votuar kundër dhe ai ka mbajtur pushtetin me rrugë autoritare, duke vjedhur vota apo duke vrarë siç bëri në 1997”, tha Blushi. /F.Stafa/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu