Bordi i RTK-së do t’i shkurtojë vendet e punës: Ka mbi 80 redaktorë, rreth 60 gazetarë

0
99

Një pjesë e madhe e shpenzimeve të Radio Televizionit të Kosovës, shkojnë për paga, ka thënë sot para deputetëve kryesuesi i bordit të RTK-së, Besnik Boletini.

Boletini tha se nuk kanë shkuar në RTK për të hequr njerëz prej punës, por për t’i motivuar ata që të punojnë. Megjithatë, ai tha se nuk do të ketë rritje të vendeve të punës, por përkundrazi…

“Nuk ka me pasë rritje të vendeve të punës qysh është raportu para disa ditëve. Përkundrazi, ka me pasë shkurtime racionale në dobi të funksionimit të mirë të RTK-së”, tha ai.

Paraprakisht, Boletini theksoi se situata në RTK është shumë problematike, me më shumë gazetarë sesa redaktorë.

“Situata të cilën e kemi gjetur është pak problematike sepse p.sh. si punëtorë të rregullt në televizion, më shumë ka redaktorë sesa gazetarë. Janë diku mbi 80 redaktorë dhe diku rreth 60 gazetarë”, tha ai.

RTK-ja ka angazhuar në vazhdimësi punëtorë përmes disa kontratave për shërbime, me të cilat, sipas Boletinit, nuk njihet realisht statusi i punëtorit.

“Kemi pa që numri i këtyre personave të angazhuar është 239. Kjo nënkupton që të gjithë kanë hyrë pa konkurs dhe të gjithëve u është vazhduar kontrata ndër vite pa iu vlerësuar performanca, sepse ky lloj i kontratës me kontratë për shërbime nuk parasheh as vlerësime, nuk është realisht status i punëtorit”, tha ai.

“Ne jemi të shqetësuar edhe për të drejtat e punëtorëve sepse ky lloj i kontratës nuk parasheh asnjë benefit që parashikohet me ligjin e punës”, shtoi Boletini.

Ka pasur raste, tha Boletini, kur gratë lehona kanë dalë në punë një muaj pas lindjes për ta përmbushur këtë kontratë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu