Botohet libri “Shqipëria dhe Kosova në arkivat ruse ”1946-1962″

0
481

Enver Hoxha, i kerkon Titos  Kosovën dhe viset Shqiptare

Shqipëria dhe Kosova në arkivat ruse, 1946-1962″ është titulli i librit më të fundit i Institutit të Historisë. Në këtë vëllim dy autorët Hamit Kaba dhe Ethem Çeku hedhin dritë mbi dinamikën e ngjarjeve të kohës. Si i tillë, ai i shton historiografisë shqiptare një informacion mjaft i rëndësishëm. Sipas Hamit Kabës, ky libër përmban dokumente që botohen për herë të parë në gjuhën shqipe nga gjuha ruse. Libri është ndërtuar mbi raportimet e ambasadorëve rusë të ngarkuar me punë në Shqipëri e Jugosllavi. Këta të fundit përmes raportimeve që i bënin Moskës hedhin dritë edhe mbi interesin e shumëpërfolur të Enver Hoxhës mbi Kosovën. Botimi i këtyre dokumenteve që herë janë ditarë të diplomatëve sovjetikë e herë letra, mbajnë sipër shënimet sekret dhe tepër sekret. Po botojmë më poshtë disa raportime që kanë të bëjnë më një bisedë të Enver Hoxhës me Titon sa i takon Kosovës e Metohisë, por edhe disa përplasje mbi të shtetit shqiptar me në krye Hoxhën me Jugosllavinë, për keqtrajtimin e asgjësimim e shqiptarëve të Kosovës. Në Libër më tej botohet edhe një tjetër dokument që tregon interesin e Hoxhës ndaj Kishës Ortodokse Autoqefale dhe interesit të tij për tu afruar me komunitetet fetare dhe shume Dokumenta tjera me vlere të rendesishme.

Bisedë e regjistruar e D.S Çuhavin me të dërguarin e Jugosllavisë në Shqipëri, Josiv Gjergje mbi çështjen e Kosovës dhe të Metohisë.

Tiranë, më 5 korrik 1946

Sekret

Me iniciativën time i bëra vizitë Gjergjes, Ambasadorit Jugosllav në Tiran. Ai sapo ishte kthyer nga Beogradi, ku kishte shkuar bashkë me delegacionin qeveritar shqiptar, me në krye Enver Hoxhën.

I kërkova të dërguarit, të më tregonte mbi përshtypjet e veta nga vajtja e shqiptarëve në Beograd. Kryesisht, Gjergje i karakterizoi rezultatet e vajtjes së Enver Hoxhës në Beograd me rëndësi të madhe politike për të dy vendet. Ai mendon se si rezultat i takimit të Enver Hoxhës me Titon dhe bisedimeve “kokë më kokë”.

Gjergje më bëri të njohur disa të dhëna interesante, mbi pyetjet e veçanta që Enver Hoxha shtroi para Titos dhe mbi përgjigjet që i jepte ky i fundit. Kështu, sipas fjalëve të Ambasadorit Jugosllav, Enver Hoxha shtroi në mënyrë të papërshtatshme çështjen e Kosovës dhe të Metohisë. Në vend që të fliste hapur, siç i takon komunistit me komunistin, Enver Hoxha nga larg, bëri vërejtje të mëdha dhe në përgjithësi gjatë diskutimit të kësaj çështjeje, ndjehej në siklet dhe jo krejtësisht i bindur.

Në procesin e bisedës me Gjergjen, u sqarua se Enver Hoxha vendosi të fliste me Titon për çështjen e Kosovës e Metohisë, pasi mori telegram nga i dërguari shqiptar në Moskë, Koço Tashko. Ky i fundit, sikur e kishte informuar Enver Hoxhën, se gjatë kohës së qëndrimit para pak kohësh të mareshallit Tito në Moskë, J.V. Stalini, e kishte ngarkuar “për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe Metohisë, gjatë takimit të pritshëm me Enver Hoxhën ne Beograd”.

Sipas fjalëve të Josiv Gjergjes, pikëpamja e Titos për fatin e mëtejshëm të Kosovës dhe Metohisë, përmblidhet ne faktin se “as situata e brendshme në Jugosllavi dhe as situata ndërkombëtare në përgjithësi, nuk e favorizojnë ngritjen e çështjes së bashkimit të këtyre krahinave me Shqipërinë. Nga kjo, sipas mendimit të Titos, Shqipëria nuk do të forcohej, ndërsa Jugosllavia mund të humbiste shumë, veçanërisht në Serbi, për të cilën ky problem ka rëndësi të veçantë”. Me interes është edhe mendimi i vete Gjergjes për çështjen e kalimit Shqipërisë, të Kosovës dhe Metohisë. Për Shqipërinë dhe qeverinë e saj të tanishme, do të ishte fatkeqësi, në qoftë se, kjo krahinë do t’i aneksohet Shqipërisë. Çështja është se në këtë rajon punët deri tani shkojnë jo kaq vaj sa do të donim ne. Kjo krahinë i sjell shumë telashe seksionit të mbrojtjes së popullit të Jugosllavisë (OZNA), pavarësisht nga fakti se tashmë OZNA ka fituar përvojë të madhe. Mund ta merrni me mend, vazhdoi Gjergje, se çfarë mund të bënin shqiptarët në këtë rajon, gjatë organizimit të punës së tyre për sigurinë shtetërore? Thjesht, shqiptarët do të ishin torturuar nga kjo dhe kush e di, ndoshta bashkimi në situatën e tanishme të Kosovës e Metohisë me Shqipërinë, do të kishte pasoja fatale për çështjen e paqes në Ballkan.

Unë, nuk doja të futesha në diskutim me të dërguarin jugosllav, për këtë çështje tepër delikate për të dyja vendet. Opinioni i tij meriton të vihet në dukje, Ambasadori Jugosllav Josiv Gjergja padyshim shpreh mendimin e qarqeve të caktuara në Jugosllavi, që mendojnë se rajonet e Kosovës dhe Metohisë janë prej kohësh toka jugosllave, dhe se shqiptarët “nuk kanë” shkaqe të veçanta bindëse lidhur me pretendimet e tyre për këto rajone.

Bisedë e regjistruar e ambasadorit të BRSS në Shqipëri, L.I.Krillov me Sekretarin e Parë të KQ të PPSH Enver Hoxha, mbi marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave

9 korrik 1956

Sekret

Ekzemplar nr.1

Sot sekretari i KQ të PPSH, shoku Enver Hoxha më ftoi në shtëpi dhe më tha se do të donte të këshillohej me mua, se si do ti ndërtonim marrëdhëniet e tyre me Jugosllavinë… Ai tha misioni jugosllav në Tiranë, vadhon të bëjë një punë që drejtohet kundër vijës së KQ të PPSH dhe kundër qeverisë shqiptare… Para pak kohësh në Kosovë e Metohi (krahinë në Jugosllavi) ku banojnë deri në 800 mijë shqiptarë, filloi një proces i gjerë kundër një grupi shqiptarësh, të cilët qysh në 1948 kishin organizuar lëvizjen për bashkimin e kësaj krahine me Shqipërinë. Ne, nuk kishim asnjë marrëdhënie me këtë grup. Pse duhej filluar tani ky proces, bën pyetje Enver Hoxha. Bile, në Kosovë e Metohi,shkojnë për afate të ndryshme shumë shqiptarë që kanë lidhje farefisnore atje, të cilët i nënshtrohen një përpunimi përkatës nga ana e organeve të Sigurimit jugosllav. Prandaj thotë Enver Hoxha ne e kemi ndërprerë dhënien vizave për në Kosovë e Metohi…

Nga raporti politik i ambasadës së BRSS në RPSH, për vitin 1958 “Mbi marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave dhe shqiptaro-greke”

(Jo më vonë se 28 shkurti i vitit 1959)

Tepër Sekret

Ekzemplar nr.2

 

…Një ndër shkaqet e acarimit të marrëdhënieve Shqipëri-Jugosllavi ishte edhe vrasja e qytetarit shqiptar Hasan Shpata nga organet jugosllave, i cili po kthehej në atdhe nga Gjermania, nëpër teritorin e Jugosllavisë. Qeveria shqiptare i dërgoi disa nota proteste qeverisë jugosllave, ku i kërkonte vënien para përgjegjësisë të fajtorëve për krimin e bërë, si edhe dëmshpërblim për dëmin që i ishte shkaktuar familjes së të vrarit. Qeveria jugosllave jo vetëm që nuk i plotësoi këto kërkesa, por edhe refuzoi të pranonte notat e saj…

Në shator-nëntor, në shtypin shqiptar u botuan një radhë artikujsh dhe materialesh të tjera, në të cilat kritikohej dhe dënohej ashpër politika e ndjekur nga Jugosllavia ndaj Shqipërisë, dhe ndaj pakicës kombëtare shqiptare, që jetonte në Jugosllavi. Në këta artikuj, thuhej në veçanti se qeveria jugosllave duke filluar nga viti 1943, ka zhvilluar kundër Shqipërisë një politikë armiqësore, qëllimi i secilës përmblidhet: në përmbysjen e udhëheqjes së tanishme shqiptare, me në krye Enver Hoxhën; në shkëputjen e Shqipërisë nga BS; në privimin e pavarësisë dhe shndërrimin e saj në koloni jugosllave. Udhëheqja jugosllave ndjek vijën e asgjësimit dhe të likuidimit të pakicës shqiptare, që jeton në Jugosllavi, ndërsa diplomatët jugosllavë në Shqipëri ndërhyjnë në punët e brendshme të vendit,, rekrutojnë spiunë e diversantë nga kontingjenti i tradhtarëve të popullit…

…Sekretari i Parë i KQ të PPSH, shoku Enver Hoxha, në bisedën e zhvilluar më 18 shkurt të këtij viti me ambasadorin sovjetik, mbi proceset e gjyqësore antishqiptare në Jugosllavi tha, se të gjithë këto procese janë thjesht provokacione…

 

Historiani Hamit Kaba sjell dokumente të pabotuara më parë, që u përkasin viteve 1946-1962

Bashkimi Sovjetik dinte thuajse gjithçka ndodhte në Shqipëri.Receptorët e superfuqisë nuk ishin thjesht përfaqësuesit diplomatikë në Tiranë apo agjentët, por edhe vetë udhëheqësit shqiptarë, deri në momentin e prishjes së marrëdhënieve ishin të gatshëm të informonin dhe të kërkonin mendime nga kryeqendra e komunizmit. Madje, në ndonjë rast ata nuk hidhnin asnjë hap, nëse më parë nuk merrnin përgjigje nga BS. Prej pak ditësh, së pari lexuesit kosovar i është dhënë libri “Shqipëria dhe Kosova në arkivat ruse 1946-1962″, një botim i Qendrës Studimore Albanologjike, Instituti i Historisë, me autorë historianët Hamit Kaba dhe Ethem Çeku. Një libër me një rëndësi të veçantë për zbardhjen e historisë së Shqipërisë, i cili ofron 72 dokumente, letra, zbardhje bisedash e takimesh mes diplomatëve rusë e udhëheqësve shqiptarë e jugosllavë. Një seri ngjarjesh të rëndësishme që përkojnë me vëllazërinë shqiptaro-ruse dalin në këto dokumente, nga një tjetër këndvështrim. Historiani prof.dr. Hamit Kaba, i cili ka kaluar jo pak kohë në arkivat ruse, na shpjegon përmes një interviste se ç’ofron ky libër, cilat janë personazhet dhe temat që ceken në të. Si ishin marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik, si përshkruhej figura e Enver Hoxhës, cila ishte pozita e tij në këtë raport të zhdrejtë në proporcione me superfuqinë ruse… Kaba del përtej botimit, duke na sjellë edhe të tjerë shembuj e fakte që nuk përfshihen në librin që sapo është botuar.

Ç’trajtojnë këto dokumente dhe si e konsiderojnë rusët “numrin një” të asaj kohe në Shqipëri, Enver Hoxhën?

Sigurisht që “numri një” ka vendin kryesor dhe Enver Hoxha kështu është konsideruar në dokumentacionin arkivor rus. Ky libër përmbledh dokumente nga viti 1946-1962, duke përfshirë gati të gjithë periudhën e marrëdhënieve shqiptaro-ruse. Ka dokumente të rëndësishme për marrëdhëniet e Shqipërisë me Jugosllavinë, si i perceptonin ata diplomatët sovjetikë në Tiranë apo në Moskë, ka mbi raportet jugosllavo-sovjetike që kanë të bëjnë me Shqipërinë, por ka edhe raporte mbi marrëdhëniet e brendshme në Shqipëri, si janë konceptuar ato nga udhëheqja sovjetike dhe sa ka ndikuar ajo në zhvillimin e këtyre ngjarjeve, qoftë edhe në acarimin e tyre.

Mes gjithë kësaj shumësie dokumentesh, mund të na veçoni ndonjë syresh, me rëndësi të veçantë?

Ka disa dokumente të një rëndësie të veçantë, por do veçoj një prej tyre, që i përket periudhës pas vizitës së Enver Hoxhës në Beograd, në qershor të vitit 1946. Për fat të keq, ne nuk kemi dokumente autentike të bisedimeve (mes të cilave dhe kokë më kokë) dhe, me sa dimë, nuk janë botuar as sot e kësaj dite as nga pala jugosllave. Por ne kemi reflektime dhe mendime nga ky rast, siç janë ato të shprehura në një takim të përfaqësuesit të misionit jugosllav, Josiv Gjergje, me ambasadorin sovjetik në Shqipëri, pas vizitës së Enverit në Beograd. Kur ambasadori sovjetik e pyet mbi bisedat e zhvilluara në këtë takim, Gjergje i thotë se Enveri shtroi edhe problemin e Kosovës dhe Metohisë, por ai është i pakënaqur pse e ka shtruar dhe nga mënyra se si e ka shtruar Enveri këtë problem. Ai e përdor shprehjen se “Enveri nuk foli si komunisti-komunistit me Titon”, por larg e larg foli shumë gjëra. Pra, kishte rezerva për çështjen e Kosovës. Nuk mund të them nga ky botim, por nga burime dhe botime të tjera, ka dokumente që flasin për trajtimin e çështjes së Kosovës. Enveri e donte këtë në një farë mënyre për të realizuar diçka që e donin shqiptarët. Por sipas Gjergjes, Titoja nuk pranoi dhe, sipas mendimit të tij personal, kjo do t’i bënte shumë keq Shqipërisë. Në atë bisedë, ai thotë se po hasnin shumë probleme në Kosovë dhe OZNA ka shumë telashe, imagjino sikur të bashkohet Kosova me Shqipërinë çfarë mund të ndodhë. Sipas tij, ky bashkim mund të çonte në destabilizimin e Ballkanit.

Si del Enver Hoxha në raporte apo letërkëmbime, cili është pozicioni i tij përballë një superfuqie si BS?

Kam parë shumë biseda, në qendër të të cilave është Enver Hoxha dhe raportet e tij me udhëheqës të lartë, mes të cilëve dhe me Stalinin. Por ka edhe mbi takime të udhëheqësve të tjerë të lartë të Partisë Komuniste, më vonë të PPSh, si Koçi Xoxe, Nako Spiru, Tuk Jakova etj. Sigurisht, në këto diskutime Enveri, mund të them  me bindje, që di si t’i ngrejë problemet, di si të dalë nga situata, di në një farë mënyre të dominojë situatën, por edhe di si të bindet, kur nuk është në të njëjtën linjë me udhëhqjen komuniste. Po ju sjell një rast. Në vitin 1949 është një letër e Enver Hoxhës, që në emër të KQPPSh, ia dërgon KQPK të BRSS dhe Stalinit për problemin e Kosovës. Kemi parasysh që pas prishjes së marrëdhënieve të BS me Jugosllavinë, kjo e fundit u bë tabelë qitjeje nga blloku komunist. Në këtë fushatë anti-Jugosllavi bënte pjesë dhe Shqipëria. Enver Hoxha e shfrytëzoi këtë rast për të ngritur problemin e Kosovës. Letra, e cila nuk botohet për herë të parë, është gati 10 faqe. E kam marrë vetë nga arkivi në Moskë dhe e kam botuar ashtu si ai e ka dërguar, madje edhe në dialogun gjirokastrit, ku kërkon që Kosova t’i bashkëngjitet Shqipërisë, por në një realitet të imagjinuar.

Që do të thotë…

Ideja e tij ishte që fillimisht Kosova të përmbyste regjimin e Titos, të krijohej një Parti Komuniste në Kosovë e pastaj t’i bashkohej Shqipërisë. Sigurisht, unë nuk e kam thënë se ç’ndodhi më vonë, por nga dokumente të tjera mësojmë se Stalini nuk i ktheu përgjigje zyrtare, por në një takim të mëvonshëm në Moskë i ka thënë që ky problem nuk mund të zgjidhet, sepse “ne nuk duam t’i kemi kundër popujt e Jugosllavisë dhe e dyta, kosovarët nuk mund të shkojnë aq larg dhe të krijojnë një parti komuniste, sepse ata nuk janë komunistë, por nacionalistë”. Dhe kishte të drejtë. Sigurisht që Enveri e pranoi. Pra, dinte të tërhiqej.

Letër e Enver Hoxhës drejtuar Komitetit Central të PK të BRSS
“Mbi Kosovën dhe Metohinë”

Shqiptarët e Kosovës, që jetojnë në Republikën Jugosllave, përbëjnë një minoritet të konsiderueshëm. Ky minoritet shqiptar jeton ngjitur kufirit të Republikës Popullore të Shqipërisë. Kongresi i Berlinit dhe traktati i Versaille-s kanë shkelur padrejtësisht interesat e Shqipërisë dhe të minoritetit shqiptar në Kosovë. Sipas statistikave të vjetra të paraluftës (statistika të falsifikuara nga regjimet e kralëve të Serbisë, me qëllim që të provonin se ky minoritet shqiptar ish i vogël), figurojnë afro 700 mijë shqiptarë. Në të gjithë Jugosllavinë: Kosovë, Metohi, Maqedhoni e Mal të Zi, numri i shqiptarëve mund të arrijë një milion veta, në mos më shumë. Në këto statistika, një pjesë tjetër e shqiptarëve, regjimet e atëhershme, janë përpjekur ta masakrojnë, duke e quajtur myslimane ose turke. Shqiptarët e Kosovës, Metohisë etj. e kanë konsideruar dhe vazhdojnë ta konsiderojnë si një padrejtësi të madhe që u është bërë atyre duke i shkëputur nga Shqipëria, Atdheu i tyre. Ata nuk e kanë pranuar këtë zgjidhje dhe nuk pranojnë të rrinë nën Jugosllavinë dhe nën çdo regjim ekzistues në Jugosllavi. Ky është realiteti. Ata kanë për të vetmin ideal bashkimin me Shqipërinë…
Shqiptarët e Kosovës, pas masakrave të mëdha të serbomëdhenjve dhe në një gjendje politike të unjët, nuk mund të kishin besim tek “jugosllavët”, cilëtdo qofshin këta. Partia Komuniste Jugosllave e neglizhoi këtë moment dhe kjo nuk ishte e rastit. Organizimi i Luftës Nacionalçlirimtare në Kosovë, nën drejtimin e Partisë Komuniste Jugosllave u bë në këtë frymë nacionaliste: Partia Komuniste Jugosllave nuk krijoi asnjë komitet nacional të veçantë për Kosovë e Metohi, ku udhëheqja të ishte kryesisht shqiptare dhe të organizonte partinë dhe luftën dhe të specifikohesh çështja e shqiptarëve të Kosovës dhe Metohisë. Këtë jo vetëm që nuk e ka bërë, por Partia Komuniste Jugosllave është përpjekur të mos e ngrërë në asnjë mënyrë çështjen e Kosovës, të mos ngrërë masat shqiptare të Kosovës në frymë patriotike, të mos lejonte këta që krahas me flamurin jugosllav, të mbanin flamurin shqiptar (shenjë e madhe simbolike për këta që do të bëhej një mjet mobilizues i tyre). Por, Komiteti Qendror i Partisë Komuniste Jugosllave i ka shtypur këto aspirata të popullit të Kosovës, i ka luftuar, i ka dënuar kur ne i kemi çfaqur dhe propozuar…
Ne kemi menduar se çështjen e Kosovës nuk mundej ta vinim në diskutim gjatë Luftës N. Ç. dhe se vija e partisë sonë, sikundër që e përcaktuam më lart, ish e drejtë. Jugosllavia më Luftën N.Ç. ishte aleatja e popullit tonë dhe nuk mundet të binim në pozitat e reaksionit shqiptar. Partia jonë ka mbajtur qëndrim për Kosovën dhe ka dalë me sukses kundër demagogjisë fashiste, ka shpallur deklarata të përbashkëta me PKJ. Shqiptarëve të Kosovës, ku i thërriste këta në luftë kundra armikut të përbashkët.
Në pragun e çlirimit të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë përsëri ne kemi menduar se nuk mundej ta shtroim çështjen e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, pse ishim përpara detyrave të forcimit e konsolidimit të pushteteve tona demokratike popullore….
.. në kohën e nënshkrimit të traktatit me Jugosllavinë, ne kemi menduar se ish momenti që çështja e Kosovës e Metohisë duhej të shtrohej dhe në këtë moment kjo çështje iu shtrua prej meje Titos. Titua m’u përgjigj: “se Kosova është shqiptare dhe kjo duhet të bashkohet me Shqipërinë; ne me gjithë shpirt e dëshirojmë këtë, por nuk mundet ta bëjmë dot tani, se reaksioni serbomadh është akoma i fortë dhe një akt i tillë i drejtë do të na dëmtojë”. Këto të gjitha u vërtetuan se ishin demagogji. Në situatat e tashme pas zbulimit të tradhëtisë së grupit Tito, ne mendojmë se çështja e Kosovës duhet të shtrohet…
Ne mendojmë se populli shqiptar i Kosovës, Metohisë, Maqedhonis dhe Malit të Zi duhet të luftojë që të çlirohet, ashtu si do të bëjnë dhe popuj të tjerë të Jugosllavisë. Gjëja e parë që ai duhet të bëjë, është të futet në luftë të ashpër kundra klikës së Titos deri në kryengritjen e armatosur. Luftën ai duhet ta fillojë sa më parë. Në qoftë se e fillojnë të tjerët, ca më mirë, pse kështu evitohet izolimi dhe shtypja e lëvizjes në Kosovë. Populli i Kosovës duhet të konsiderojë luftën e tij të lidhur ngushtë me luftën e gjithë popujve të Jugosllavisë në kuadrin jugosllav, pse ndryshe izolohet e shtypet…. Por çështja është se gabimet e PKJ nuk duhet të përsëriten në lidhje me Kosovën e Metohinë. Kosova e Metohia duhet të kenë udhëheqjen e vet të dalë nga lufta, me një Komitet Nacionalçlirimtar, i cili të përcaktojë vijën e luftës në bazë të Rezolutës së Byrosë Informative dhe në parimet marksiste-leniniste-staliniste. Në luftë të krijohet, të organizohet e të çelikoset pjesa e Partisë Komuniste Internacionaliste për Kosovë e Metohi brenda kuadrit të Partisë Komuniste Internacionaliste Jugosllave. Shqipëtarët e Kosovës dhe Metohisë të luftojnë me flamurin shqiptar…
Ne mendojmë se Kosova, Metohija dhe një pjesë e Maqedhonisë kufitare me Shqipërinë që banohet nga shqiptarë, duhet t’i bashkohen Shqipërisë, pasi Jugosllavia të jetë çliruar nga kthetrat e Titos….
Çështja që ne ju parashtrojmë për Kosovën e Metohinë, na bëhet aktuale në lidhje me ndihmën që i jep Partia jonë shokëve jugosllavë anti-Tito dhe popullit të Kosovës e Metohisë që dëshiron dhe është i gatshëm të luftojë me të gjitha mjetet tradhëtarët e Beligradit, por që kosovarët në çdo moment na vënë përpara pyetjen: “Si do të zgjidhet problemi nacional i Kosovës e Metohisë”.
Ne mendojmë se kjo çështje është shumë e rëndësishme, mundet që edhe të gabojmë në shqyrtimin e saj, prandaj ne nuk do të bëjmë ndonjë hap pa këshillimin e shokut STALIN dhe prandaj po i parashtrojmë këto pikëpamje tona dhe, në rast se gabojmë, të na vihen përnjëherësh në dukje për t’i korrigjuar.

Për Komitetin Central të PPSH
Enver Hoxha

 

Përshtati, Redaksia

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu