Bratsvo – Jedinstvo edhe pas Gjenocidit shekullor

0
571

Bashkim Vllazrimi

Shfaqje teatrale, filma, koncerte, vepra letrare e debate e kanë veçuar edicionin e dytë të festivalit “Mirëdita – dobar dan!”, i cili u mbajt në Beograd dhe ka për qëllim prezantimin e kulturës dhe artit kosovar në këtë qytet. Promovimi i romanit “Miliarderi” i publicistit Veton Surroi, i përkthyer në gjuhën serbe, u ka dhënë fund aktiviteteve të këtij edicioni të festivalit.

“Miliarderi” i Veton Surroit, i cili paraqet ditët e hiperinflacionit të viteve të nëntëdhjeta e që shërben si kryqëzim i një pjese urbane të Kosovës, pjesës së saj shqiptare dhe mënyrës se si ata e perceptojnë represionin e regjimit të Millosheviqit, duke u përballur me mbijetesë dhe dyshime personale mbi të ardhmen e jetës në Kosovës.

“Miliarderi” i Veton Surroit është përkthyer në gjuhën serbe nga Shkëlzen Maliqi, ndërsa u botua nga “Samizdat B92” gjersa promovimi u bë në “Qendrën Rinore” të Beogradit, si dhe u pasua nga një debat në bashkëpunim me Asociacionin e Gazetarëve të Serbisë me temën “Bashkëpunimi kulturor dhe paraqitja në media në Kosovë e Serbi”.

E kam lexuar romanin me kënaqësi të madhe, është shprehur historiania Latinka Peroviq. “‘Miliarderi’ është një libër tejet i thukët dhe modern. Ky roman është i shkruar, siç thotë Surroi, pa pasion, por me një ndjenjë për ata që janë përgjegjës dhe për ata të cilët kanë qenë viktima”, ka thënë Peroviq për të shtuar se Surroi është shkrimtar që fiksionin e tij e bazon në njerëz realë dhe në realitetin që është lehtë ta njohim.

Autori i librit Veton Surroi, pas 17 vjetësh është kthyer në Beograd për të promovuar librin, e që përkon me ditëlindjen e babait të tij. Nëse ai do të ishte gjallë, do t’i mbushte 86 vjeç. “Por, nga qyteti, ku sot po promovojmë librin tim, para gati tri dekadave u dha urdhri që t’i jepej fund jetës së tij, gjatë shërbimit diplomatik në Madrid”, ka thënë Surroi, të cilin qyteti i Beogradit e lidh me kujtimin për babanë, i cili në këtë qytet ishte student në kohën kur “siptari” ishte shprehje pezhorative e asocohej me sharrëxhinjtë e punëtorët e thëngjillit, por i cili, kur u kthye në Prishtinë si i diplomuar, në fjalën hapëse në Kuvendin e Kosovës në ceremoninë e themelimit të Universitetit të Prishtinës, pati thënë se gjuha shqipe nuk do të jetë më gjuhë e sharrëxhinjve, por gjuhë e shkencës dhe e kulturës.

Gazetari e kritiku Teofil Pançiqi, tha se kur e ka lexuar “Miliarderin” i ka lënë shumë mbresa  me tërë detajet e ëmbla që i ka inkuadruar autori. “Ky libër s’është as publicistikë e as pamflet politik, por letërsi, kështu që i tillë duhet trajtuar dhe nuk duhet paragjykuar akoma pa e lexuar”, ka thënë Pançiqi.

Qendra “Impact Hub” në mbrëmjen e së dielës hapi dyert për katër filma të shkurtër dhe një dokumentar. Seria e filmave nisi me “Heshtje”, film i regjisorit Bekim Gurit, ku tregohet historia e një babai, i cili gjatë dëbimeve të civilëve në luftën e Kosovës, i duhet të zgjedhë mes jetës së vajzës dhe vdekjes, në mënyrë që ta shpëtojë vajzën nga tmerri. Në film luajnë aktorët Bislim Muçaj, Fitore Broqi, Xhevdet Doda, Kushtrim Qerimi dhe Fisnik Sykaj.

Me të njëjtën temë është edhe “Kolona” i Ujkan Hysajt. Para publikut të pranishëm, filmi tregoi historinë e një familje që niset për ta lëshuar Kosovën gjatë luftës së Kosovës dhe në një kolonë refugjatësh ndalohet nga paramilitarët serbë në një postbllok, ku personazhi kryesor, Ademi, i biri i tij, si dhe i biri i vëllait të tij, nxirren nga vetura për t’u vrarë. Ademi përpiqet që përmes parave ta shpëtojë jetën e tyre, por pasi që të hollat i mjaftojnë vetëm për jetën e njërit prej tyre, ai e gjen veten në një situatë shumë të vështirë ku duhet të zgjedhë vetëm njërin prej tyre. Në film luajnë aktorët Sunaj Raca, Vllado Jovanovski, Abresha Grabovci-Nixha, Irena Cahani, Don Raca dhe Enis Krapi.

“Kolona” i lëshoi radhën “Me mujt me bo, e kishim bo” me regji të Genc Berishës. Filmi rrëfen historinë e dy aktorëve të rinj që, duke marrë parasysh se shteti i tyre nuk ka kushte të mjaftueshme për prodhimin e filmave, dy aktorët diskutojnë se si duhet ta bëjnë një film me sukses. Njëri nga ta ka pikëpamje më realiste, ndërkaq tjetri është ëndërrimtar. Në film luajnë aktorët Besart Sllamniku, Besnik Krapi, Shkëlzen Veseli, Doresa Rexha, Birol Urcan dhe Shqipe Balaj. “Më erdhi mirë që publiku vazhdimisht qeshte me skenat e filmit. Kjo është me rëndësi, pasi që tregon se e ka kuptuar dhe është pritur mirë,” tha Genc Berisha për “Zërin”, duke shtuar se organizimi i festivalit ka qenë i mirë. “Na pritën mirë këtu. Edhe pse pati filma me qasje negative për luftën, e vura re që publiku i Beogradit nuk reaguan dhe i pranuan si film, si vepër arti”, ka thënë Berisha.

“Brenda ka dritë” ishte filmi i katërt dhe i fundit që u shfaq mbrëmjen e së dielës në Beograd. Filmi dokumentar me regji të Dardan Selimajt dhe Rea Surroit tregon historinë e Petrit Halilajt dhe ngjarjes së tij jetësore. Siç shihet në dokumentar, Petriti vjen nga fshati Runik i Drenicës dhe si fëmijë, në kampin e refugjatëve në Kukës, i kishte rënë në sy një psikologu italian me talentin e tij për të vizatuar njëkohësisht me dy duart. Psikologu e familja e tij vendosën që ta adoptojnë Petritin dhe duke ia ofruar shansin për të studiuar në Akademinë e Arteve në Milano. Pas diplomimit, Halilaj u zhvendos në Berlin, ku e bëri një prezantim të guximshëm përmes një instalacioni artistik në Bienalen e Berlinit më 2009. Filmi dokumentar si fokus e ka paraqitjen e tij artistike në Bienalen e Venedikut më 2013. “Është vështirë ta them nëse publiku e priti mirë apo jo. E rëndësishme është që përmes filmit treguam jo vetëm dimensionin e filmbërjes në Kosovë, por prezantuam edhe faktin që Kosova sot, me artistët e saj merr pjesë dinjitetshëm në ngjarjet më të mëdha të artit bashkëkohor në botë”, tha Dardan Selimaj për gazetën.

Kushtrim Koliqi, nga “Integra”, njëri nga organizatorët e festivalit, tha se në Beograd nuk kam shkuar që të shtirem se si në mënyrë artificiale po pajtojmë serbët e kosovarët. As ta harrojnë të shkuarën. “Këtu jemi për t’ua përkujtuar serbëve krimet dhe gjenocidin që regjimi i tyre diktatorial ka ushtruar në Kosovë. Shpresojmë që në secilin edicion t’ia dalim t’ua bëjmë me dije këtë dhe t’i vetëdijesojmë”, ka thënë Koliqi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu