Brenda, pra jashtë

0
905

Preokupimi me njohjet nga jashtë dhe për pjesëmarrje në forume rajonale e ndërkombëtare po e dominon konsolidimin e brendshëm të shtetit të Kosovës. Agjenda qeveritare në Kosovë përherë i jep përparësi dukjes së jashtme kundrejt gjendjes së brendshme. Njëmend politika e jashtme dhe politika e brendshme janë të ndërvarura, mirëpo varësia e këtyre gjithsesi nuk është simetrike. Ajo që jemi jashtë varet nga ajo që kemi brenda, shumë më tepër sesa anasjelltas. Atëherë kur politika e jashtme është e lidhur për politikën e brendshme, njëmend i ke të dyja: edhe politikën e jashtme, edhe politikën e brendshme. Ndërkaq, atëherë kur politika e brendshme i nënshtrohet politikës së jashtme, realisht mbetesh pa asnjërën prej këtyre.

Nëse politika e jashtme nuk varet nga brenda, atëherë ajo varet nga jashtë. Në rastin e Kosovës, si një protektorat ndërkombëtar që është, kjo jashtë nuk është vetëm jashtë, por tashmë është, dhe madje gjithnjë ishte, edhe brenda. Të gjithë e dimë se aq shumë politikë e jashtme e Kosovës zhvillohet pikërisht brenda shtetit: me PCN-në, PSBE-në, KE-në, KFOR-in, EULEX-in, ambasadat e Quintit e posaçërisht me ambasadorin amerikan. Shpallja e pavarësisë së Kosovës, dhe më shumë se katër vjet kohë që prej shpalljes së pavarësisë, nuk e kanë ndryshuar këtë fakt. Përkundrazi, vetëm sa e kanë sforcuar atë: politika e jashtme e Kosovës, jashtë Kosovës, në të vërtet, përfaqëson veçse politikën e botës së jashtme që është instaluar brenda në Kosovë në formën e protektoratit ndërkombëtar.

Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Integrimeve Evropiane, Kryeministri, Presidentja, Zëvendëskryeministri për lobim dhe njohjet, Zëvendëskryeministrja për Politikë të Jashtme dhe Siguri etj., politikën e jashtme formalisht e bëjnë jashtë vendit. Përmbajtjesisht, politika e jashtme bëhet brenda vendit në raport me instancat e sipërpërmendura ndërkombëtare (të cilat e sundojnë Kosovën përmes fuqive të tyre ekzekutive ose në mënyra të ndryshme joformale). Pra, politika e vërtetë e jashtme e Kosovës ushtrohet brenda Kosovës karshi, apo, më saktë, përfundi, protektoratit ndërkombëtar.

Protektorati ndërkombëtar në Kosovë është multilateral. Një mori shtetesh dhe institucionesh të ndryshme janë bërë bashkë në Kosovë e mbi Kosovën. Nuk mund të gjesh një vend tjetër në botë me saktësisht kësi mozaiku ndërkombëtar mbiqeveritar sikurse ky në Kosovë. Prandaj do të mund të thuhej që jo Kosova, por protektorati ndërkombëtar në Kosovë është sui generis, ose, së paku, që Kosova është sui generis duke iu falënderuar këtij protektorati ndërkombëtar dhe në masën që vetë ky protektorat ndërkombëtar është i tillë.

 

Multilateralizmi ndërkombëtar brenda Kosovës është pasqyruar edhe në qasjen e politikës së jashtme të Kosovës. Faktorët ndërkombëtarë në Kosovë operojnë mbi bazën multilaterale të angazhimit të tyre në organizma të përbashkët, të cilët i kanë krijuar në Kosovë. Natyrisht që ka kundërthënie midis këtyre faktorëve, mirëpo funksionimi i tyre përkundër dallimeve të ndryshme përkthehet në hegjemoni të së përbashkëtës së tyre.

Synimi i bashkësisë ndërkombëtare për të qenë gjithmonë multilaterale brenda në Kosovë, e ka imponuar prirjen e Kosovës për të qenë në mënyrë multilaterale në bashkësinë ndërkombëtare. Jemi dëshmitarë qysh aspirata për rritjen e numrit të njohjeve të pavarësisë së Kosovës ka zënë t´i lëshojë vend tendencës për pjesëmarrje e përfaqësim në nismat, konferencat e forumet rajonale e ndërkombëtare. Emri i shtetit pa fjalën Republikë dhe me fusnotën që na e konteston shtetësinë u pranua pikërisht që Kosova të mund të marrë pjesë në forume rajonale. (Ashtu qysh dikur s´ishim bash republikë, sepse ishim krahinë në federatë, edhe tash s´jemi bash shtet, sepse kemi fusnotë kur shfaqemi në rajon.)

Faktorët ndërkombëtarë në Kosovë, duke qenë jashtë vendeve të tyre, kanë bërë që edhe Kosova të synojë të jetë, para së gjithash e mbi të gjitha, jashtë vetes së saj. Dy pasoja të menjëhershme kanë bllokuar ecjen. Së pari, politika e jashtme e Kosovës është shndërruar edhe në pikënisje edhe në përcaktuese të politikës zyrtare të Kosovës. Së dyti, Kosova ka hyrë në kurthin e multilaterales ndërkombëtare pa u konsoliduar përbrenda si shtet i veçantë dhe sovran. Kësisoj, Kosova orvatet të jetë atje ku nuk ndodhet dhe, mundësisht, të duket ashtu siç nuk është. Pra, pa qenë njëherë mirë as në-vete dhe as për-vete, mëton të jetë për-të-tjerët në emër të të qenit me-të-tjerët.

Protektorati ndërkombëtar sigurisht se nuk do që Kosova ta kthejë shikimin brenda vetes. Sepse protektorati ndërkombëtar nuk do që Kosova të mos shohë asgjë, nuk do që Kosova ta kuptojnë verbërinë e saj. Ndërkohë që na mungojnë sovraniteti e integriteti territorial, zhvillimi ekonomik e mirëqenia brenda vendit, protektorati ndërkombëtar i thotë Kosovës që shikimin ta mbajë veçse jashtë dhe sa më larg (atje ku ajo do të mund të jetë një ditë nëse është e dëgjueshme). Në Kosovë, pjesëmarrja e përfaqësimi diplomatik jashtë vendit konceptualisht janë ndërtuar në llogari të pronësisë politike dhe ekonomike brenda Kosovës.

Ato 89 njohjet e deritanishme janë aty vetëm për t´u rritur si numër. P.sh. që të arrijmë te numri 100, apo edhe te numri 130, që paraqet dy të tretat e shteteve anëtare të OKB-së. Njëlloj multilateralizmi numerik që nuk përkthehet në përmirësim të jetës dhe në perspektivë zhvillimore në Kosovë. Multilateralja përgjithësisht iu konvenon fuqive të mëdha, ‘elefantëve’, atyre që duan paqe, siguri e stabilitet, jo neve që na nevojiten dëshpërueshëm sovraniteti, demokracia dhe zhvillimi. ‘Elefantët’ aq moti i kanë kryer këto gjëra saqë ne iu dukemi fort arkaikë në përpjekjet tona jetike.

Dhe, përvoja na e ka dëshmuar që fuqitë e mëdha nuk kanë kohë dhe nerva që të na ndihmojnë vazhdimisht e sistematikisht. Për shkak të madhësisë së Kosovës, ato nuk e shohin dot Kosovën në mënyrë të posaçme, por gjithnjë si pjesë e një rajoni më të madh si puna e Ballkanit. Prandaj, shumë më e përshtatshme është që fuqive të mëdha të përpiqesh t’ua marrësh një ndihmë të madhe njëherë sesa të sorollatesh rregullisht korridoreve të perandorive edhe për një mëshirë tjetër humanitare në formë të një donacioni shtesë.

Le të angazhohemi edhe në qasjen multilaterale, por le ta kuptojmë që qasja bilaterale duhet të jetë prioritet për Kosovën. Bilateralja, më shumë se multilateralja, paraqet çelësin për politikën e jashtme të suksesshme të Kosovës. Së pari, neve nuk na njeh një pjesë e mirë e globit përfshirë këtu vendet e fuqishme në ngritje të quajtura BRIC si dhe pesë shtete anëtare të BE-së. Së dyti, sa më gjatë që nuk na njohin, zvogëlohen gjasat që do të na njohin në një të ardhme të afërt: koha është faktor legjitimues.

Së treti, organizmat ndërkombëtarë multilateralë operojnë me konsensus dhe mirëmbahen mbi emëruesin më të vogël të përbashkët gjë që ia ngushton shumë hapësirën Kosovës. Së katërti, me formulën multilaterale relativizohet subjektiviteti shtetëror i anëtarëve, kurse mu në qasjen bilaterale përforcohet subjektiviteti shtetëror i partnerëve (gjë që i nevojitet aq shumë shtetit tonë).

Prandaj, Kosova duhet të përqendrohet në mishërimin e njohjeve të deritanishme më parë se në rritjen e këtyre njohjeve edhe me ndonjë ishull të mbetur në Oqeani. Në bujqësi, industri, arsim, shëndetësi, kulturë, sport etj. Kosova duhet të lidhë marrëdhënie e të bëjë marrëveshje me shtetet që na kanë njohur ashtu që ta mundësojmë zhvillimin socio-ekonomik të vendit (gjithmonë duke pasur parasysh që zhvillimi nis nga brenda e vetëm ndihmohet nga jashtë).

Kosova duhet ta ndryshojë radikalisht rendin e gjërave në politikën e saj (të jashtme). Nga politika e brendshme që varet prej asaj të jashtme te politika e jashtme që varet prej asaj të brendshme. Dhe, nga multilateralja e përfaqësimit te bilateralja e zhvillimit. Natyrisht, e gjithë kjo me kusht që përnjëmend duam të bëhemi sovranë dhe të përparojmë. Si shoqëri dhe si shtet e kam fjalën, jo si Qeveri.

 

Shkruan: Albin Kurti

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “Zëri”)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu