Brzezinski: Ballkani Perëndimor, fare pranë një tjetër udhëkryqi

0
749

Pikërisht në kohëra pasigurie, partnerite tet vihen më tepër në sprovë dhe janë edhe më të rëndësishme. Marrëdhëniet Shqipëri-Shtetet e Bashkuara mbeten të forta në komunitetin ndëratlantik, në një kohë kur ky komunitet po goditet me shuplaka nga krizat ekonomike, pasojat e mundshme gjeopolitike të të cilave nuk duhet të injorohen kurrsesi. Për këtë arsye, dhe gjithashtu për shkak se po i afrohemi 28 korrikut, përvjetorit të 90 të njohjes ‘de jure’ të Shqipërisë nga ana e Shteteve të Bashkuara, është e rëndësishme të gjykohet se si të çohen më përpara këto marrëdhënie të forta në përfitim të Ballkanit dhe të komunitetit më të gjerë ndëratlantik.
Dekada e fundit ka përjetuar reforma dhe modernizim të gjerë në Ballkanin Perëndimor. Kroacia është në udhë e sipër për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian, dhe Mali i Zi mund t’i bashkëngjitet shumë shpejt procesit të aderimit. Shqipëria iu bashkua NATO-s në vitin 2009 dhe ka gjasa që Bosnja t’i bashkohet Planit të Veprimit të Anëtarësimit në NATO në një të ardhme jo shumë të largët.
Por Ballkani Perëndimor, me gjasë po i afrohet një tjetër udhëkryqi. Aspiratat e Maqedonisë për në BE dhe NATO mbeten të bllokuara nga Greqia, për arsye disi të dyshimta. Një tjetër garë force e tensioneve etnike ndodhi gjatë pranverës së këtij viti në Kosovë. Zgjedhjet parlamentare të kohëve të fundit në Serbi gjeneruan shqetësime mbi orientimin e saj gjeopolitik. Dhe Greqia vijon të lëkundet buzë një gremine ekonomike. Kriza e saj ekonomike mund të prodhojë shumë shpejt ndërlikime gjeopolitike ogurzeza për Ballkanin, Bashkimin Evropian dhe NATO-n.
Në rrafshin ndëratlantik, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara, në mos po distancohen më tepër, me siguri nuk po ringjallin një imazh të ambicies së përbashkët dhe të angazhimit të ripërtërirë. Dhe vërtet, të dyja, si SHBA si BE, kanë kokëçarjet e tyre me fatkeqësitë përkatëse ekonomike dhe me prioritetet e tjera në rajonet jashtë viseve të Atlantikut të Veriut. Takimi i Samitit të NATO-s në maj në Çikago nuk e përkeqësoi situatën, por as nuk iu përgjigj me efikasitet këtyre shqetësimeve.
Në këto rrethana nuk duhet nënvleftësuar vlera që marrëdhëniet SHBA-Shqipëri mund t’u japin përpjekjeve që nevojiten për të përforcuar stabilitetin dhe progresin në Ballkanin Perëndimor si dhe për rigjallëruar marrëdhëniet ndëratlantike. Gjashtë nismat e propozuara janë skicuar për t’u shërbyer këtyre qëllimeve:
Reforma ushtarake
Gjatë dy dekadave të fundit, forcat e armatosura shqiptare i janë nënshtruar një modernizimi intensiv. Asistenca financiare dhe këshillimi i Shteteve të Bashkuara kanë qenë kyç dhe ky investim ka prodhuar të ardhura fort të vyera. Ushtria shqiptare ka qenë gjithnjë ndër ushtritë e para që ka qëndruar në krah të Shteteve të Bashkuara në operacione sfiduese jashtë viseve të rajonit, përfshirë Irakun dhe Afganistanin. Sot, në teatrin afgan të luftimeve, ushtarët shqiptarë operojnë ‘jashtë bazave’ në operacione luftimi, një dëshmi kjo jo vetëm e guximit të tyre, por gjithashtu, edhe e evoluimit të profesionalizmit dhe zotësive të tyre.
Shtetet e Bashkuara nuk duhet të reshtin asistencën ushtarake për Shqipërinë, sidomos duke qenë se vendi është një kontribuues i madh aktiv në NATO, si dhe në operacione të tjera ushtarake ndërkombëtare. Një hap pa shpenzime, për të thelluar më tutje marrëdhëniet SHBA-Shqipëri në fushën e mbrojtjes, do të ishte ngulitja e një planifikuesi ushtarak amerikan në Shtabin e Përgjithshëm të Shqipërisë. Një bërthamë e tillë ushtarake do ndihmonte më tej harmonizimin e proceseve dhe procedurave të planifikimit të përdorura nga Pentagoni dhe Ministria e Mbrojtjes. Një ngulitje ushtarake nuk duhet të shihet thjesht si një mjet drejt reformës së mëtejshme. Kjo nënkupton gjithashtu mbajtjen e vazhdueshme të lidhjeve të ngushta ndërmjet dy shtabeve për të garantuar koordinim të lehtë në kohëra krizash.
Themelimi
i ‘JIATF-Adriatik’
Një punë e madhe është ndërmarrë për të zhvilluar aftësitë e vendeve të Ballkanit, për të monitoruar dhe kontrolluar territoret e tyre detare dhe hapësirën detare. Do ishte e dobishme të integroheshin më tutje ato që në thelb janë përpjekje kombëtare në një rrjet vërtet rajonal. Në drejtim të këtij qëllimi, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara duhet të nxisin zhvillimin e një qendre të bashkuar të shërbimeve inteligjente rajonale, të ngjashme me Task-Forcën e përbashkët ndërmjet agjencive – Jug (Joint Interagency Task-Force – South (JIATF-South)). Kjo qendër e përbashkuar, e ndodhur në Shtetin e Floridës, ka përfitime nga pjesëmarrja e vendeve të Amerikës Qendrore, Ame-rikës së Jugut dhe Karaibeve. Qendra mbledh informacione sekrete nëpërmjet një larmie sensorësh dhe shpërndan informacione sekrete për të pikasur, monitoruar dhe interceptuar operacionet e trafiqeve të paligjshme. Qendra ka vërtetuar se është një mjet i jashtëzakonshëm kundër krimit si dhe gjenerator i bashkëpunimit rajonal dhe i vullnetit të mirë. Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara duhet të shtyjnë përpara këtë përvojë dhe të themelojnë një “JIATF-Adriatik”.
Kapaciteti i reagimit ndaj krizës rajonale: Disa vite më parë Shqipëria bëri përpjekje që të krijonte kapacitete të reagimit ndaj krizave ndërmjet vendeve të Adriatikut. Kjo nismë duhet të ringjallet në partneritet me SHBA, Bashkimin Evropian, NATO-n apo me të tre bashkë. Adriatiku do të ishte më i sigurt nëse do të përfitonte nga kapacitetet e ndërthurura shumëkombëshe për kërkim e shpëtim, për reagim ndaj rreziqeve mjedisore dhe ndoshta në sundimin e ligjit.
Shfrytëzimi i marrëdhënieve SHBA-Shqipëri-Turqi: Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara përfitojnë të dyja nga marrëdhëniet e ngushta më Turqinë, një vend që për arsye historike, kulturore dhe ekonomike ka ndikim të madh në Ballkanin Perëndimor. Duket mëse e natyrshme se një forum që përmban këto tre aleate mund të shërbejë si një mekanizëm kreativ për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë, atyre ekonomike dhe politike, si dhe oportuniteteve në Shqipëri e në rajonin përreth saj.
Siguria e energjisë: Shqipëria ka depozita domethë-nëse nafte e gazi në rrafsh rajonal dhe pas një periudhe të gjatë rënieje, industria e saj e naftës po përjeton ringjallje. Gjithsesi, rrugët e lidhjeve energjetike ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe pjesës tjetër të Evropës si dhe ndërmjet shteteve të Ballkanit mbeten të zhvilluara në nivele të ulëta. Për më tepër, projekte të mëdha naftësjellësi dhe gazsjellësi, si ai i Gazsjellësit Trans Adriatik TAP, NABUCCO dhe të tjerë që po planifikohen apo që janë në zhvillim, të gjitha kumtojnë implikime strategjike për Shqipërinë dhe rajonin. Siguria e energjisë duhet të plotësojë mbrojtjen dhe demokracinë si një shtyllë kryesore në marrëdhëniet dypalëshe SHBA-Shqipëri. Këto objektiva shtyllë duhet të përfshijnë nxitjen e investimeve amerikane në Shqipëri dhe garantimin që interesat e sigurisë së Shqipërisë të justifikohen në evoluimin e infrastrukturës energjetike të Ballkanit.
Të plotësuarit e Evropës: Një prioritet kyç i marrëdhënieve SHBA-Shqipëri duhet të jetë rigjallërimi i procesit të integrimit të Evropës. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria, si një aleat i ri në NATO, duhet të punojnë krah për krah për të bërë të mundur që samiti i ardhshëm i NATO-s të nxjerrë ftesa për vendet aplikante të kualifikuara, përfshirë Malin e Zi dhe Gjeorgjinë. Një Evropë që është përnjëmend e integruar dhe ku mungojnë linjat ndarëse ka për të qenë një Evropë që është më e qëndrueshme, më e sigurt dhe më e zonja për të punuar me Shtetet e Bashkuara për tu përgjigjur ndaj sfidave globale të shekullit të XXI.

 

Nga Ian J. Brzezinski

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu