Bujar Nishani, presidenti i 6-të i Shqipërisë

0
772

Me 73 vota pro, 1 kundër dhe 2 abstenim Bujar Nishani është Presidenti më i ri i vendit. Në një proces maratonë në Raundin e Katërt, mazhoranca miratoi vetëm me votat e saj kandidaturën e Bujar Nishanit. Vangjel Dule dhe Kastriot Islami edhe pse morën pjesë në votim, abstenuan, ndërsa kryetari i Partisë Fryma e Re Demokratike, Gazmend Oketa, ka votuar kundër, votë të cilin ai e paralajmëroi që në mesditë nëse nuk do të garonte një kandidat konsensual. “Është herët për të treguar kandidatë. Presidenti duhet të jetë konsensual dhe të përfaqësoj unitetin e shqiptarëve.

Procese të tilla nuk i shërbejnë integrimit në BE dhe duhen parë në funksion të interesave të shqiptarëve”, tha Oketa. Pas tërheqjes së Artan Hoxhës, kryeministri Berisha vendosi dje në drekë që kandidati zyrtar i mazhorancës do të ishte ministri i Brendshëm, Bujar Nishani.  26 deputetë shkuan me shpejtësi në Kryesinë e Kuvendit ku hodhën firmat. Pas verifikimit të kandidaturës në Komisionin e  Ligjeve, rreth orës 17:00 filloi seanca plenare. Deputetët opozitës ishin prezent në sallë deri në momentin numërimit të votave, por nuk morën pjesë në votim. Me votim të fshehtë, siç e përcakton dhe Rregullorja e Kuvendit në rastin e zgjedhjes së Presidentit, deputetët sipas emrit shkuan të votojnë me fletë në kutinë e fshehtë. Sekretariati i Votimit, i përbërë nga Viktor Gumi, Arenca Trashani dhe deputeti socialist, Armando Subashi  shpallën dhe rezultatin votimit.

Pas votimit, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, duke uruar presidentin e ri të Republikës, Bujar Nishani tha se “për procedurën e betimit të tij në parlament deputetët do të njoftohen për datën”. Pas zyrtarizimit të fitores, kryeministri Berisha dhe nënkryetari i Partisë Demokratike Astrit Patozi kanë përshëndetur Bujar Nishanin për detyrën e re. Të gjithë deputetët e mazhorancës shkuan që të takonin kolegun tyre. Nuk mungoi shtrëngimi i duarve dhe me aleatët, pa votat e të cilëve zgjedhja do të kishte qenë e pamundur. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe kreu i Partisë Bashkimi për Drejtësi, Integrim dhe Unitet u takuan me Presidentin e ri të Republikës. Deputetët e opozitës preferuan që të mos e ndiqnin deri në fund seancën duke u larguar menjëherë kur u kuptua se mazhoranca kishte të gjithë numrat e nevojshëm për të zgjedhur presidentin e ri.

 

SHBA përshëndet zgjedhjen e Nishanit

Kreu i Ambasadës së SHBA në Tiranë, Aleksandër Arvizu, pavarësisht se nuk ka qenë prezent në sallën e Kuvendit, e ka uruar Nishanin duke i shprehur gjithë mbështetjen e SHBA si dhe duke e vlerësuar për punën që ka bërë ndër vite.

“Ambasada e SHBA i përcjell urime të ngrohta Z. Bujar Nishani për zgjedhjen e tij sot si President i Republikës së Shqipërisë. Në postin e tij aktual dhe ato të mëparshme qeveritare, Z. Nishani ka shërbyer në mënyrë të respektueshme dhe të përgëzueshme, si dhe ka bërë shumë për të çuar përpara marrëdhëniet e bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë’, thuhet në njoftimin për media te ambasadës amerikane. “Shtetet e Bashkuara i urojnë suksese Z. Nishani dhe presin me kënaqësi të punojnë me të për të çuar përpara arritjet demokratike të fituara gjatë 21 viteve të shkuara. Në veçanti, do të mbështesim përpjekjet e tij për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të ruajtur pavarësinë e institucioneve të Shqipërisë, dhe, së bashku me partnerë të tjerë ndërkombëtarë, për të realizuar aspiratat legjitime të popullit shqiptar për ta parë vendin të marrë vendin që i takon si një anëtar i integruar plotësisht në bashkësinë euro-atlantike’,- vijon njoftimi.

 

Opozita, bojkot votimit: Nishani përfaqëson vetëm PD-në

Martona presidenciale është bojkotuar vetëm përgjysmë nga socialistët. Një ditë pas tryezës së zgjeruar të kryetarëve të partive parlamentare, Grupi Parlamentar i PS-së, ka vendosur të jetë prezent në seancën plenare ku do të zhvillohej votimi për kandidatin konsensual të shumicës, Artan Hoxha, por pa u bërë pjesë e tij. Madje po në këtë mbledhje është vendosur që PS-ja të marrë pjesë në komisionin që administron procesin e zgjedhjes në funksion të transparencës së tij. Ky qëndrim është mbajtur edhe pas tërheqjes nga gara të Artan Hoxhës dhe kalimit në votim në seancën e pasdites që u zhvillua në orën 17:00.

 

PS: Nishani, i papranueshëm. Të negociojmë

I  papranueshëm është konsideruar nga socialistët edhe Bujar Nishani në garën presidenciale. Përmes kryetarit Edi Rama, selia rozë ka ripërsëritur qëndrimin e mbajtur në tryezën e kryetarëve, duke theksuar madje se Nishani përfaqëson vetëm partinë e tij. “Ky është një proces që po degradon hap pas hapi dhe po rrënon më shumë akoma besimin e qytetarëve tek parlamenti, por nga ana tjetër po godet më shumë akoma besimin e familjes europiane te Shqipëria…Është e papërfytyrueshme që një ministër të bëhet President dhe që Presidenti të kthehet në ministër. Si mund të kalohet drejt një kandidature e cila është tërësisht mishërim i një pale të vetme. Si mund të imponohet një kandidaturë që nuk përfaqëson asgjë më shumë se sa Partinë Demokratike dhe nuk përbën asnjë lloj baze për të krijuar kushtet për konsensusin më minimal?”, tha Rama.  Më tej ai ka apeluar për konsensus dhe zgjidhje politike, ndonëse demokratët ju drejtuan sallës për të votuar Bujar Nishanin. Kështu, në kërkim të konsensusit dhe në përpjekje për të ndërtuar një proces përfshirës, opozita ka marrë përgjigjen më të njëanshme të mundshme.

 

“Nano jo konsensual”

Fatos Nano ka qenë pjesë e lojës politike, por asnjëherë një kandidat serioz për Presidentit. Pas largimit të Artan Hoxhës, Edi Rama është shprehur publikisht për këtë gjë në emisionin Top-Story. “Më lejoni ta përsëris: Fatos Nano ka zgjedhur të largohet nga PS-ja dhe ka marrë një rol që synon të jetë mbi palët dhe mes palëve”, tha Rama. Ai ka eliminuar mundësitë që ish-kryetari socialist të ketë qenë në axhendën e PS-së si kandidat, madje ka shtuar se, nëse eventualisht kjo do të ndodhte vetëm nëse emri i tij do të ishte konsensual, deri më tani, qarkullimi që po i bën shumica është thjesht një diversion. “Në rast se kandidatura e Fatos Nanos do të ishte konsensuale nga të gjitha palët, ne nuk mund të thyejmë konsensusin, por ai nuk mund të jetë kandidat i yni, sepse PS-ja ka një parim të vendosur në bazën e gjithë këtij procesi dhe nuk merr pjesë në thyerjen e këtij parimi dhe në shkatërrimin e të gjithë asaj që ne duam, mundësia për t’i dhënë Shqipërisë statusin e kandidatit, përmes konsensusit”, tha Rama. Sipas tij “shumica po tallet me emrin e Nanos duke kërkuar të bëjë diversion ndaj PS-së”.

 

Rama: Jo zgjedhje të parakohshme

Me largimin e Artan Hoxhës kalimi drejt zgjedhjeve të parakohshme është riaktualizuar si opsion real i analizës politike. Por e pa interesuar duket të jetë momentalisht opozita për zhvillimin e një raundi të parakohshëm zgjedhor në kushtet kur reforma zgjedhore nuk është përmbyllur dhe kur Shqipëria në 12 tetor pret të vlerësohet nga Komisioni Evropian për statusin e vendit kandidat. Rama ka shprehur në Top-Story qëndrimin se zgjedhjet e parakohshme aktualisht “nuk janë gjëja e duhur për vendin” dhe e ka arsyetuar këtë me Integrimin që është shumë afër. Një element parësor që e bën ta papranueshëm sfidën zgjedhore është fakti se nëse kalohet në zgjedhjeve të parakohshme, procesi në vetvete do administrohet me Kodin ekzistues.

 

PS: Kandidimi i Nishanit, antikushtetues

Kandidimi i Bujar Nishanit ka shtruar para opozitë probleme të kushtetutshmërisë përveç se ato politike. Në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Ligjeve, deputeti socialist Fatmir Xhafa u shpreh se “shkelet Kushtetuta pasi z. Nishani është në ushtrim të një tjetër detyre publike. Ai duhet më parë të jepte dorëheqjen”. Të njëjtën gjë ka nënvizuar edhe kandidati Fatos Nano i cili përmes një deklarate për shtyp nënvizuar problemin ligjor në fjalë. “Sipas Kushtetutës, një Ministër i Kabinetit Qeverisës nuk mund të kandidojë për President në rast se ai nuk ka dhënë më parë dorëheqjen. Dhe dorëheqja e tij ka vlerë ligjore vetëm pasi është pranuar me dekret nga Presidenti i Republikës, për t’u votuar nga Kuvendi”, ka deklaruar Nano.

 

Çfarë pritet

-Betimi i Bujar Nishanit në Parlamentin e Shqipërisë, një akt pas të cilit ai merr zyrtarisht detyrën e Presidentit të Republikës.

-Bujar Nishani pritet të marrë detyrën jo më herët se data 24 korrik e vitit 2012. Kjo pasi Kushtetuta sanksionon se mandati i Presidentit në detyrë është në të njëjtën ditë me marrjen e saj

-Plotësimi i vendit vakant të ministrit të Brendshëm pas kalimit të titullarit Nishani në detyrën e Presidentit të Republikës. Priten negociata me aleatët për një post ministror dhe riformatim të qeverisë

-Zëvendësimi i Nishanit si deputet me personin e radhës në listën e PD-së

 

Kush është Bujar Nishani, jeta dhe karriera

Presidenti i ri i Shqipërisë vjen edhe njëherë nga ambienti ushtarak. Njësoj si Alfred Moisiu, Bujar Nishani, formimin e vet bazë arsimor e ka të lidhur me ushtrinë, ndonëse në karakteristikën e tij hyn edhe një diplomë e dytë juristi. I lindur në 29 shtator 1966, ai përfundon arsimin e lartë në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në vitin 1988, kohë në të cilën edhe emërohet pedagog. Në prezantimin zyrtar të Ministrisë së Brendshme, nuk thuhet asgjë rreth aktivitetit të Bujar Nishanit mes viteve të ndezura 1990-1993, kur ai edhe rishfaqet me një pozicion të ri në Ministrinë  e Mbrojtjes së Drejtorinë e Marrëdhënieve me Jashtë. Ky kalim vërteton edhe kapërcimin politik drejt Partisë Demokratike, në të cilën ai është anëtarësuar në vitin 1991.

Më tej karriera e Nishanit vijon të jetë në profil administrativ larg angazhimit direkt politik. Kështu në vitin 1994 ai kalon në Ministrinë e Jashtme në sektorin e Marrëdhënieve me NATO-n. Në 1996 Bujar Nishani rikthehet në Ministrinë e Mbrojtjes tanimë më afër vendimmarrjes politike; ai është në Kabinetin e ministrit; të  mirënjohurit Safet Zhulali. Do të jetë viti 1997, kur siç thuhet në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme, Nishani është në profesion të lirë dhe kryetar i Forumit të Ushtarakëve Euro-Atlantikë, ai që do të katalizojë karrierën kryesisht administrative në rrugëtim mirëfilli politik. Detyra e parë me rëndësi vjen në vitin 2001 kur zgjidhet Sekretar i Degës së Partisë Demokratike për Tiranën.

Më tej në vitin 2003 zgjidhet anëtar i Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë nga lista e kësaj partie për të arritur pikun me përzgjedhjen si deputet, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së dhe më pas dhe anëtar i Kryesisë Qendrore të saj në vitin 2005. Që prej kësaj kohe e më pas, Bujar Nishani është bashkudhëtar me kryeministrin Sali Berisha në qeverisjen e Shqipërisë. Interes të posaçëm paraqet lloji i detyrave politike që i janë ngarkuar; 2007-2009 ministër i Brendshëm, 2009-2001 ministër i Drejtësisë dhe prej 2011 e në vijim sërish ministër i Brendshëm. Sa i përket thellimit të studimeve, Nishani përfundon studimet për jurist në vitin 2004 në Tiranë, një titull master në Studime Evropiane pa harruar disa kurse për çështje të Mbrojtjes më herët. I martuar me dy fëmijë, Bujar Nishani ka një profil politik të nivelit të lartë, besnik i Sali Berishës dhe vijës së PD-së, por në pikëpamje njerëzore dhe aftësinë komunikuese është një personalitet publik që ka ruajtur moderacionin dhe qytetarinë.

 

Nga Luis Tanushi / Skerdilajd Zaimi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu