Bukoshi më bëri të vuaj

0
1001

Kallëzimet penale që i kishte bërë ish-ministri i Shëndetësisë, Bujar Bukoshi ndaj kompanisë farmaceutike “Jona Med” kishte bërë që pronari i kompanisë Bekim Deshishku dhe familja e tij, të vuanin për pretendimet e rrejshme që ishin paraqitur në atë kallëzim penal.

Kështu se paku është shprehur të mërkurën në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Bekim Deshishku, i cili për më shumë se gjashtë orë në cilësinë e palës së dëmtuar, është përgjigjur në pyetjet e prokurorit dhe mbrojtësve në rastin, ku të akuzuar janë ish-ministri njëherësh ish-zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Bujar Bukoshi, ish-sekretari permanent i MSH-së, Ilir Tolaj, ish-zyrtarja farmaceutike Arbenita Pajaziti, Ismet Hyseni, Hajrullah Fejza, Zenel Kuçi, Bekim Fusha e Alban Thaçi.

 

Deshishku ka treguar se kompania farmaceutike ekziston për vite të tëra dhe asnjëherë nuk kanë pasur ndonjë telashe me Bujar Bukoshin, derisa ky i fundit ishte bërë ministër i Shëndetësisë. Nga ajo ditë, ai ka thënë se kanë pasur telashe e madje edhe shantazhime nga Bukoshi. Ky i fundit sipas Deshishkut, në cilësinë e ministrit kishte ngritur kallëzim penal ndaj kompanisë “Jona Med”.

“Kallëzimi penal i Bujar Bukoshit thotë se “Jona Med” është kriminale dhe ka shkuar deri aty sa në këtë kallëzim penal flet se edhe me kënd flenë babai im”, ka treguar Deshishku, i cii është dëshmitari i parë në rastin e ish-zyrtarëve të MSH-së të cilin rast po e gjykojnë një trup gjykues në përbërje të tre gjykatësve nën udhëheqjen e gjyqtares së EULEX-it, Kornela Pak.

Kompania, pronar i së cilës është Bekim Deshishku, sipas këtij të fundit, në kallëzimin penal ishte quajtur si kompani që merrej me krimin e organizuar. Mbi këtë bazë ishte përgatitur edhe kallëzimi penal.

Deshishku ka treguar se kontrata e parë mes kompanisë së tij dhe MSH-së kishte pasur vlerën 3.8 milionë euro por e njëjta nuk ishte realizuar siç ishte paraparë dhe për këtë Deshishku thotë se faji ka qenë i MSH-së. Ai fajin ia lë emërimit në atë kohë të Ilir Tolajt në cilësinë e sekretarit permanent. Kontrata nuk ishte vazhduar siç ishte paraparë dhe ishte bërë shkëputja e saj nga MSH-ja për ç’gjë Deshishku në emër të fitimit të humbur kishte paraqitur padi në Gjykatën Ekonomike. Teksa padia ishte dorëzuar, në këmbim të tërheqjes së saj, zyrtarja farmaceutike në MSH, e akuzuara Arbenita Pajaziti ia kishte bërë një ofertë që do t’ia jepte një tender emergjent në vlerë prej 70 mijë eurosh.

Në krah Arbenitës i kishte dalë edhe Ilir Tolaj. Ky i fundit duke parë që Deshishku nuk po e pranon ofertën i kishte thënë se nuk do të marrë asnjëherë tender nga MSH-ja. “Ilir Tolaj më tha djalë i mirë janë tri sene, më parë Kosova ka me mbet nën Serbi, se ti me marrë tender, sa të jem unë këtu ti nuk merr tender, e sheh kush jam unë”, ka cituar dëshmitari fjalët e Ilir Tolajt.

Tolaj te Deshishku e kishte dërguar edhe Luan Sabedinajn, por ky i fundit sipas Deshishkut, kishte kërkuar edhe ryshfet nëse donte që kompania “Jona Med’ të fitonte tender dhe një gjë të tillë dëshmitari ka thënë që nuk e ka pranuar. Deshishku nuk e kishte pranuar ofertën por kishte vazhduar me padinë dhe në fund kishte fituar kontestin duke marrë gjithsej 1.4 milion euro. Injorimi nga MSH-ja kishte vazhduar edhe më, për ç’gjë tashmë ekziston edhe aktakuza nga misioni EULEX ku po gjykohen ish-zyrtarët e MSH-së.

Mbrojtësi i Bujar Bukoshit, avokati Besnik Berisha, ka thënë se dëshmitari Deshishku, pavarësisht se ka deklaruar në fillim që ka “vuajtur” nga Bukoshi, thotë se më pas është tërhequr nga fjalët e tij. “Më vonë e demantoi veten sepse e pohoi që në periudhën sa Bukoshi ishte ministër “Jona Med” ka operuar si të gjitha kompanitë tjera. Mbrojtësi i Bukoshit ka bërë me dije se dëshmia e Deshishkut vetëm sa e ka zbehur aktakuzën mbi bazën e së cilës po mbahet ky gjykim.

“I dëmtuari sot konfirmoi se ish-ministri i Shëndetësisë nuk kishte asnjë motiv për t’iu hakmarrë dhe gjithashtu tregoi se kallëzimi penal që e ka ushtruar në emër të MSH-së dhe jo ai personalisht dhe e ka ushtruar ndaj kompanisë “Jona Med” dhe jo ndaj familjes Deshishku”, ka thënë Berisha.

 

Bekim Deshishku me dëshminë e tij pritet që të vazhdojë edhe gjatë ditës së enjte, ku do të parashtrohen pyetje nga mbrojtja e ish-sekretarit permanent të MSH-së, Ilir Tolaj.

 

Nga Selvije Bajrami

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu