Bullgari, qeveria jep dorëheqjen pas protestave për energjinë

0
859

SOFJE– Jep dorëheqjen qeveria bullgare pas protestave për energjinë që përfshinë vendin. Vendimi për dorëheqjen e qeverisë është komunikuar nga kryeministri i vendit, Borisov. Lajmi u konfirmua nga agjencia britanike e lajmeve BBC.

Një ditë më parë qeveria bullgare vendosi t’i heqë liçencën e shpërndarjes së energjisë elektrike kompanisë çeke CEZ, ndersa qeveria bullgare vendosi gjithashtu të gjobisë dhe tre shpërndarës të energjisë.

Pas heqjes se licencës dje reagoi kompania CEZ ku zëdhënësja Barbara Pulpanova e cilësoi këtë shkelje të rëndë të normave ligjore në Bullgari si shtet anëtar i Bashkimit Europian. Ndërkohë CEZ ka deklaruar se vetëm Enti Rregullator i Energjisë elektrike në Bullgari ka autoritetin t’i heqë licencën dhe ky Ent nuk ka marrë asnjë vendim.
Dorëheqja sot e qeverisë vjen vetëm tre ditë pasi dhjetëra mijë bullgarë protestuan në më shumë se 20 qytete të vendit kundër faturave të larta të energjisë elektrike dhe vetëm dy ditë pasi policia antikorrupsion në Çeki njoftoi se ka nisur hetimet për katër marrëveshje ndërkombetare të CEZ.

Në protestën e fundit 11 vetë mbetën të plagosur në kryeqytetin bullgar, Sofje. Në javët e fundit madje vendi është përfshirë nga trazirat politike dhe protestat anti qeveritare çuan në largimin e ministrit bullgar të financave vetëm një ditë më parë duke shtuar presionin ndaj qeverisë. Kështu Bullgaria bëhet vendi i dytë që i heq grupit energjitik çek licencën për shpërndarjen e energjisë elektrike brenda një muaji, pasi Enti Rregullator i Energjisë elektrike në Shqipëri vendosi ti heqë liçencën CEZ-it për shkelje të kontratës. Por në Bullgari ky proces u pasua me dorehëqjen e qeverisë.

(d.b/News24/BalkanWeb)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu