Butrinti i lakmuar…Ali Pasha, rusët dhe Hrushovi

0
481

 

Dr. Irakli Koçollari

Pa asnjë mëdyshje, fondi i dokumenteve të “Arkivit të Ali Pashës”, të pubikuara vetëm para pak muajsh, ka sjellë dhe vazhdon të sjellë fakte befasuese, tepër me vlerë dhe interesante për historinë e vendit tonë në 200 vite të shkuara. Ajo çka është më e pazakontë për këtë fond dokumentesh është fakti se ato ndriçojnë jo vetëm të panjohurat e kaluara por edhe sqarojnë përfundimisht shumë ngjarjeve dhe evente politike të kohëve moderne në Shqipëri! Por, çfarë konkretisht?

 
PAK KUJTESË!
Pjesa më e madhe e shqiptarëve kujtojnë fare mirë një numër zhvillimesh interesante politike, tensionesh ideologjike dhe diplomatike, shtrëngesash ekonomike dhe ushtarake, mes Shqipërsë të viteve 1960 nga njëra anë dhe njërës prej fuqive më të mëdha ushtarake të kohës, ish Bashkimit Sovjetik, nga ana tjetër. Pikërisht, në pikun e polemikave dhe kontradiktave të ashpra mes udhëheqjes politike shqiptare dhe asaj sovjetike, në Marsin e vitit 1961, bëri një vizitë në Shqipëri, Presidenti sovjetik i asaj kohe, Nikita Hrushov.
Mbas kontakteve dhe bisedave me krerët vendas, pala sovjetike kishte kërkuar në axhendën e saj, për ç’ka palët kishin rënë dakort, një vizitë edhe në Butrint!!!
Siç përshkruajnë kronikat e kohës, ndërsa skortat e makinave të këtij delegacioni, të shoqëruar nga politikanët vendas mbërrinin në kodrat e Ksamilit, mbi Butrint, ende pa mbërritur në qytetin antik, ndalojnë “për të parë peisazhin e bukur që shtrihej përpara, gjirin dhe kanalin e Vivarit….” Pikërisht përpara këtij peisazhi dhe pamjeje të bukur, kreu i delegacionit sovjetik, Hrushovi “papritur kishte deklaruar:-Sa gji i përshtatshëm ku mund të ngremë një bazë ushtarake detare nga ku mund të kontrollojmë Mesdheun dhe prej ku unë mund të marr Greqinë për 24 orë….!!!!

HRUSHOVI, VALLË, “NJË PROFET USHTARAK”, APO….!?
Kjo deklaratë e Presidentit Sovjetik ka mbetur në memorjen e kohëve për shumë arsye. Reagimi dhe përcaktimi i Hrushovit, i menjëhershëm, porsa kishte parë Gjirin e Butrintit dhe Kanalin e Vivarit me fortesën në hyrje të tij, ka shkaktuar habinë e shumë njerëzve, për shumë arsye dhe për shumë kohë! E parë me kujdes deklarata të vë përpara disa dilemave: A thua ishte rastësi kërkesa e palës sovjetike për të vizituar thjesht një qëndër arkeologjike? Si arriti Hrushovi të përcaktojë, me një të parë, rëndësinë e jashtzakonshme militare dhe strategjike të këtij gjiri dhe kanali?! Vallë reagimi i tij lidhej me “aftësitë profetike” të këtij njeriu? A thua gjetja e tij kishte lindur aty për aty pa ndonjë sugjerim të mëparshëm, të përgatitur dhe futur “nën dorë” prej pjesëtrave të shtabeve ushtarake???
Jo! Tanimë janë të kapërcyera vyrtytet “e mahnitshme” të liderave, apo “gjetjet” e tyre gjeniale!!!,

ATË QË HERË HERË SE THONË ANALISTËT E THOTË HISTORIA
A thua vërtet Hrushovi kish mundur të konstatonte rastësisht vlerat strategjike të këtij vendi, ashtu me një të parë kalimthi?! Natyrisht, që jo!
Shtabet ushtarake të shtetit të vjetër rus dhe kancelaritë e tij, përpara vizitës së këtij lideri në këtë anë të Ballkanit, kishin nxjerë nga sirtarët e arkivave të tyre studimet e vjetra.
Shtetet me kancelari, burokratë, protookoll pra me memorije, për çdo rast u referohen praktikave të kaluara dhe ajo që është më racionale apo me interes për ta, pavarësisht nga kalimet e kohëve, rikthehet në vëmëndjen por edhe në axhendat, tryezat e pazareve të kohëve moderne.
Pikërisht, kjo ka ndodhur edhe me Hrushovin, vizitën por edhe deklaratën e tij për rëndësinë strategjiko-ushtarake të Butrintit. Në pragun e vizitës shtabet ushtarake sovjetike me siguri kanë nxjerrë nga raftet e arkivave të memorjes një terren të studjuar nga specialistët ushtarakë të dikurshëm. Butrinti ka qënë një terren i studjuar, i lakmuar dhe i debatuar që herët prej projekteve ushtarake ruse! Po çfarë na zbulon tanimë historia? Tani, pas 200 vitesh, publikimi i dokumentacionit të panjohur të “Arkivit të Ali Pashës” ofron shumë njoftime të çuditshme dhe befasuese pikërisht për këtë terren! Butrintin.

BUTRINTI DHE VENECIANËT
Tamam në hyrje të kanalit të Vivarit, në hyrje të gjirit të Butrintit, të gjithë qytetarët që kanë vizituar këtë vendbanim antik, kanë parë një fortesë të vogël, që nga stili arkitektonik mund ta identifikojnë lehtësisht me garnizonet tipike që ndërtonin dikur venecianet. Dhe vërtet ajo është ndërtuar prej venecianëve në kohën që këta të fundit, si fuqia më e madhe detare e shekujve te 14-15 e me tej, dominonin Adriatikun, Jonin, Egjeun e përtej, morën këto pika me interes ekonomik dhe tregëtar dhe ngritën fortesat garnizon për të kontrolluar qarkullimin detar, atë tregëtar dhe realizuar dominimin e tyre politik dhe ushtarak. Nga kohët e mesjetës edhe kjo fortesë-garnizon mbeti në duart e tyre gjerkur ngjarje të rëndësishme do të trondisnin Europën. Bonoparti do të marshonte triumfator jo vetëm në lindje dhe perandim por edhe drejt jugut duke vënë nën pushtetin e trompetave të tij edhe territoret e Venedikut dhe më gjërë ato italiane.

BUTRINTI DHE BONOPARTI
Mbas fitoreve të bujshme, Bonoparti fitimtar imponoi të nënshkruhet me palët e tjera ndërluftuese “Traktatin e Kampo Formios”, që i jepte atij dominimet e dikurshme të venecianëve në këto anë. Pikërisht, në Korrik 1797 francezët morën Korfuzin dhe ishujt e tjerë të Jonit, si dhe bazat ushtarake kontinentale, mes tyre edhe Butrintin. (1) ( Boppe, A: “L’Albanie et Napoleon 1797-1814, Paris 1914)
Nga këto anë, dhe kryesisht nga terrenet e Butrintit, ata filluan përgatitje për një invazion të mundshëm të teritoreve të pashallëkut të Janinës. Por, nga vëzhgimi i kujdesshëm i tërë përgatitjeve dhe veprimeve të tyre konspirative, Ali Pasha që ishte informuar për gjithçka, gjeti momentin e përshtatshëm dhe goditi dy nga garnizonet më të rëndësishme franceze, atë të Prevezës dhe atë të Butrintit duke i shpartalluar tërësisht dhe shtënë në dorë këto terrene me interes të veçantë strategjik.

LARGIMI I FRANCEZËVE DHE AFRIMI i RUSËVE
Por, nuk do të kalonin vetëm pak muaj dhe në fillimin e vitit 1799, vendin e francezëve, në Shtatë Ishujt e Jonit; Korfuz, Lefkadhë, Zaqintho, Itakë, etj. do ta zinin forcat ushtarake të Flotës Ruse. Fill mbas pozicionimit në këto anë, rusët nën komandën e gjeneralëve fitimtarë Ushakov, dhe Potjemkin, do të kërkonin Butrintin me këmbëngulje dhe insistim, i cili ishte marrë me forcën e armëve nga Ali Pasha dhe ruhej nga repartet e tij. (2) ( Devanport, R.A; “The life of Ali PAshaof Tepeleni-Vezirof Epirus…”, London 1837) Po cilat kanë qënë përballjet, kërcënimet, presionet, apo diplomacia e përdorur në këto kohë tensionesh? Çfarë të papritura rezervojnë dokumentet e panjohura të “Arkivit të Ali Pashës” për këto ngjarje interesante?!

Rusët i kërkojnë Ali Pashës të dorëzojë Butrintin
Me të vënë këmbët në teritoret ishullore joniane, dhe bazat ushtarake të Prevezës, Pargës dhe Vonicës, ushtarakët rusë kthyen menjëherë sytë nga një vend me interes të veçantë strategjik – fortesa e Vivarit dhe Gjiri i Butrintit.
Guvernatori rus i Shtatë Ishujve të Joinit, Jorgio Mocenigo, Admirali i Flotës ruse, Gjenerali Anrep dhe Konsulli rus në Korfuz Liperaqi Benaqi dërguan menjëherë misionarët e tyre drejt Pashait të Janinës të largonte trupat e tij nga fortesa e Vivarit, në Gjirin e Butrintit, pasi aty do të vendoseshin trupat ruse të flotës së Ushakovit (4) (Ars, Grigori, “Ta pasaliqia tis Alvanias qe….”, Athina 2007, Akademia Slavikon Erevnon)
Por, rëndësinë e këtij teritori si dhe pretendimet apo qëllimet e rusëve Tepelenasi i dinte fare mirë. Ata kishin bërë përpjekje aktive përmes njerëzve të tyre, duke korruptuar një numër nga familjet e agallarëve të Çamërisë dhe të Himarës dhe i kishin nxitur ata kundër Aliut. Qenë pikërisht rusët që kishin yshtur dhe kishin mbështetur me armë dhe me para Suljotët në konfrontimet e tyre të përgjakshme me Pashain. (5) (Aravantinou, Sp,P; “Istoria tou Ali Pasha tou Tepelenli…”, vol. I-II, Athinais 1895.)
Kërkesës së rusëve Ali Pasha iu përgjigj me shtimin e numrit të forcave të tij në Butrint, Vivar dhe përreth tyre duke dërguar njoftimin tek përfaqësuesi rusë në Korfuz se – Butrinti ishte pjesë integrale e teritoreve të tij dhe se baza ushtarake e Vivarit ishte blerë prej tij tek venecianët.” Qëndrimi kategorik i Tepelenasit duket se bëri që rusët të tërhiqen përkohësisht, por nuk do të kalonte gjatë dhe në vitin 1804 ata do të riktheheshin me më shumë vendosmëri dhe prepotencë çështjes.

ULTIMATUMI RUS PËR DORËZIMIN E BAZËS!
Pikërisht në muajin Shtator të vitit 1804, rusët përcollën tek Pashai në Janinë ultimatumin për dorësimin e bazës së Vivarit, nën pretendimin se ajo bënte pjesë në sovranitetin e Republikës së Shatë Ishujve Jonianë, sikundër edhe tre bazat e tjera të kontinentit Preveza, Parga dhe Santa Maura.
Por pretendimit rus, Pashai iu u përgjigj me një lëvizje diplomatike. Ai dërgoi pranë Konsullit rus në Korfuz, Benaqit; Guvernatorit rus të Korfuzit, Mocenigo dhe Gjeneralit të flotës ruse në Korfuz, Anrep, një njeriun e tij të besuar, i cili edhe më parë kishte kryer misione delikatë për interesat e Aliut. Ai ishte Mitropliti i kishës së Artës, Ignatiut.
Çuditërisht, pretendimeve të rusëve, Ali Pasha iu përgjigj me pretendimet e veta!
Ja dokumentet e panjohura që gjenden në arkivin e Ai Pashës, të publikuara së fundi:
Misionari i Aliut, pasi ka takuar përfaqësuesit e lartë rusë në Korfuz dhe debatuar gjatë me të, në fund të takimit ka njoftuar menjëherë me shkrim Pashain:
“….Unë parashtrova menjëherë tre pretendimet dhe kërkesat tona – 1. Largimin e suljotëve nga Parga ku qëndrojnë të strehuar dhe ndihmuar prej tyre, – 2. ndalimi i grupeve të hajdutëve dhe kaçakve të komunikojnë dhe strehoen në Shtatë Ishujt e Jonit, që janë në zotërim të Rusve – 3. dhe të tregohen të përmbajtur në vendimin e tyre për dërgimin e trupave dhe pushtimin e Butrintit….
….. Për dy çështjet e mësipërme, (Suljotët dhe largimin e tyre menjëherë nga Parga në drejtim të Korfuzit, dhe pengimin e hajdutëve për tu strehuar në Shtatë Ishujt dhe pengimin e komunikimit me kontinentin) konsulli rus, Benaqi më tha se – ato mbarojnë shpejt, mos u shqetësoni! Do të merremen unë, prandaj rrini të qetë.
Po tjetër çfar doni? – më tha.
Unë ju përgjigja: – Hiqni dorë nga Butrinti!
– Jo, në këtë pikë unë, kundërshtoj, tha ai. Kam urdhër nga Cari ynë, që për fortesat në kontinent të gjejmë mënyrat për të realizuar marveshjen që kemi me Dovletin, pasi edhe Fermani kështu e përmban, që Veziri ti dorëzojë të katër vendet. (Është fjala për Prevezën, Pargën, Voniocën dhe Butrintin….) Për çështjet në të cilat bien dakort mes tyre Mbretërit tanë nuk mund të diskutohen më letrat e njërit apo të tjetrit… pasi unë letra të tilla nuk i njoh! (6) (“Arhio Ali Pasa”, Genadhiu Vivliothiqis, Instituto Neoelenikon Spudhon, Athina 2009, Tomos A, f.441-5)

Mbas takimit me Konsullin, Mitropoliti ka takuar Guvernatorin rus të Shtatë Ishujve dhe Gjejeralin e flotës ruse, Anrep. Mbas takimeve me ta ai ka infomuar për gjithçka Ali Pashë. Në letrën që mban datëm 16 Shtator 1804, katër ditë pas letrës së parë, njofton se edhe qëndrimi i tyre ndaj tre pretendimeve të Aliut është unik me atë të konsullit dhe në vazhdim ai shkruan: “… Ndërsa për çështjen e Vivarit si Mocenigo edhe Penjakin qëndruan të vendosur në qëndrimin e tyre, që çështja të mbetet siç është dhe të respektohet edhe vendimi i Portës….
Mocenigo më tha se unë kam urdhër nga Kurora e Rusisë që ti jap fund statusit bazave ushtarake ish Veneciane, pasi ky është një vendim i marrë prej mbretërive aleate (Rusi e Turqi) dhe këtë ne e dimë edhe nga vetë Porta si dhe vendimi që vetë qeveria turke i ka dorëzuar Ambasadorit tonë në Stamboll-Italinskit, … Po ashtu, ne dime që ka edhe një ferman të Sulltanit….. prandaj kërkojmë vetëm të respektohet fermani dhe marveshjet – të rënat dakort nga palët e aleancës…
Unë përsëri e sqarova se nëse Veziri nuk ka urdhër (nga Sulltani) prandaj do ta mbajë Butrintin. Ai nuk mund ta lëshojë atë ….. “(7) (“Arhio Ali Pasa”, Genadhiu Vivliothiqis, Instituto Neoelenikon Spudhon, Athina 2009, Tomos A, f.445-7)

Mbasi ka marrë përsëri udhëzime konkrete prej Aliut, misionari i dërguar në Korfuz, Mitropoliti Ignatius u është rikthyer përsëri takimeve me funksionarët e lartë rusë për të përcjellë edhe një herë qëndrimet e Aliut dhe parë reagimet e rusëve. Kështu, mbas takimit të tretë të datës 18 Shtator 1804, Mitropoliti ka informuar Ali Pashën se pretendimet e tij kanë qenë të papranueshmne për palën  ruse dhe se në çështjen e Butrintit ata mbeten kategorikë. Në informacionin e dorëshkruar, ai i raporton Ali Pashës: “Pardje të shkrova me rëmbim rreth bisedave që pata me Gjeneralin Anrep për problemin e Vivarit (Bazës së Butrintit). …. Biseda u zhvillua kështu siç ta përshkruaj unë më poshtë: – Anrep tha se unë dua të mbetem korrekt me epropët e mij dhe aq më shumë me Vezirin, i cili është ndryshe nga të tjerët ndaj edhe unë e vlerësoj të matur dhe të mënçur. Por, ndërkohë unë kam urdhërin të vë të gjitha energjitë e mija që të realizohen vendimet e “Marveshjes” të nënshkruar nga mbretëritë, për këto vende që dikur qenë të Venedikut…. Pashai i tërhoqi njerëzit e tij nga Preveza dhe nga Vonica dhe bëri shumë mirë. Të njëjtën gjë duhet të bëjë dhe të largojë njerëzit e tij edhe nga Butrinti…. vendimet thonë që duhet të largohen forcat e Pashait nga të katër vendet dhe largimi të realizohet jo vetëm nga tre…. “(8) (“Arhio Ali Pasa”, Genadhiu Vivliothiqis, Instituto Neoelenikon Spudhon, Athina 2009, Tomos A, f.450-2)
Por, tepelanasi nuk është tërhequr. Kështu ka vazhduar kjo “odise” e gjatë presionesh dhe shantazhesh, afrim trupash dhe demonstrim force, nga anë e rusëve ndaj Aliut dhe kundërpresione, diplomaci, maturi dhe mençuri nga ana e tepelanasit ndaj rusëve. Gjersa në Qershor të vitit 1807, mbas “Traktatit të Tilsitit”, Franca merr përsëri Shtatë Ishujt e Jonit dhe bashkë me to kërkon në mënyrë urgjente edhe Butrintin nga ana e Pashait!!!
Nga i tërë dokumentacioni tjetër që ruhet në këtë arkiv duket qartë se shtabet ruse e kanë ëndërruar dhe lakmuar gjer në ekstrem këtë gji me rëndësi të veçantë dhe me vlera të rëndësishme gjeo-strategjike.

PRANDAJ HRUSHOVI….
E parë nën dritën e këtyre fakteve, nuk ka dyshim që Shtabet Ushtarake ruse, kanë ruajtur studimet e dikurshme, kanë depozituar përcaktimet dhe vlerën e këtyre brigjeve nga pikpamja dhe rëndësia ushtarake që ato kanë. Pozicioni gjeografik dhe favoret strategjike që një terren gëzon për nga natyra, nuk vjetërohen. I tillë ishte Butrinti para 200 vitesh, i tillë mbetet ai edhe në kohët moderne. Prandaj edhe gjatë vizitës së Hurshovit dhe marshallit Malinovski (Min. Mberojtjes), në këtë pjesë të bregdetit shqiptar, më 1961, Butrinti mbetej po aq atraktiv sa edhe Butrinti i dikurshëm, i gjeneralëve rusë Ushakoiv, Potjemkin dhe Anrep, ne vitet 1800.

GJIRI I BUTRINTIT, KJO ËNDËR E PËRHERSHME E SHTABEVE USHTARAKE!
Por jo vetëm për sytë dhe mëndjet e ushtarakëve risë, edhe për çdo ekspert të artit të luftës, duket se Butrinti ishte I tillë. Kështu ndodhi edhe mbas largimit të rusve më 1807 nga këto anë. Të njëjtat presione dhe shantazhe ushtruan francezët ndaj Ali Pashës për të marrë Butrintin me gjirtin e tij dhe kanalin e njohur të Vivarit. Bile vetë Bonoparti do t’u shkruante gjeneralëve të tij, Çezare Bartje, dhe Julian Besier të urdhëronin Ali Pashën për dorëzimin e Butrintit dhe “për misionin paraprak të 300 trupave franceze në ngushticën e këtij vendi dhe instalimin e një njësie artilerie, për të ndaluar hyrjen e anijeve armike në kanalin e Vivarit.” “(9) (“Arhio Ali Pasa”, Genadhiu Vivliothiqis, Instituto Neoelenikon Spudhon, Athina 2009, Tomos A, f.634)

Por, të panjohura kanë qënë gjer më tash reagimet e Ali Pashës ndaj kërcënimeve për marje me anën e forcës së armëve të këtij vendi dhe nyeje të rëndësishme strategjike. Në fondin e dokumenteve që shohin tani dritën e publikimit, pas dyqind vjetësh, gjendet një letër mjaft interesante që tepelenasi në formë ultimatumi u dërgon gjeneralëve francezë. Një e tillë është një dokument që ruhet ende në këtë arkiv dhe që padyshim ka vlera të veçanta për këto ngjarje por edhe për vetë personalitetin e Ali Pashës. Letra i drejtohet Gjeneral Çezare Bartje, në Korfuz, më datë 10 Mars 1808, nga Janina. “(10) (“Arhio Ali Pasa”, Genadhiu Vivliothiqis, Instituto Neoelenikon Spudhon, Athina 2009, Tomos A, f.694)
Pa dashur të bëjmë asnjë koment po botojme pjesën e fundit të saj:

ULTIMATUM I ALIUT KUNDËR FRANCEZVE

“….Më shkruaje dikur që të mendoja për Perandorin e Madh dhe për fuqitë e tij të pandalshme. Këtë përherë e kam ditur dhe e mbaj parasysh, ndaj mbi këtë bazë kam bërë parashikimet e mija përpara se ti bëjnë të tjerët, për të garantuar dhe siguruar, të mirën e vendin tim dhe nderin tim. Unë i njoh vogëlsitë dhe dobësitë e mija, si dhe rastet kur bie në dëshpërim, ndërsa shoh kudo rrezikun që i kanoset vendit tim dhe shtëpisë time, nga një dëm i pashmangshëm. E çfarë duhet të bëj unë në këto raste, që të mos mbetem dhe jetoj i shpërfillur dhe pa nder?
Vendos të shuhem i tëri!
Këtë vendim e merr ai që don të rrojë në një vend të lirë apo ecën drejt rrugës së lirisë së tij. Prandaj, atij nuk ja bën syri “tër” për askënd.
Gjë e rëndë dhe e vështirë është kjo, miku im! Prandaj, të lutem, mendoje mirë, ç’të them!
Lëreni njeriun në vendin e tij, në shtëpinë e tij, dhe në dëshirat e tij. Sepse edhe unë për shtëpinë time mendoj, që siç e di edhe ti fare mirë, (pjesë e kësaj shtëpie) janë edhe Butrinti, Parga, Preveza, dhe Vonica, për mbrojtjen e të cilave e gjithë Arbaria është gati të derdhë gjakun e saj.
Unë kam mbështetur tërë shpresat e mija tek Zoti dhe në qoftë e thënë, le të shuhen të tëra me dëshirën e tij! Për këtë vendim, e përsëris edhe një herë, o miku im, nëse je ai Besjeri që qëndrove në shtëpinë time nga Napoleoni i Madh, i cili më njeh si të privilegjuarin e parë të perandorisë, eja të bashkëbisedojmë dhe ti ndreqim të gjitha dhe mandej përmes meje, çfardo lloj kërkese të kini për të tjera vënde, ato do të bëhen, përsa askush tjetër nuk mund t’u mbështesë aq sa unë. Tanimë ti e di dhe e ke të qartë se unë jam i përjashtuar si i favorizuar i perandorisë dhe natyrisht për këtë arsye nuk mund të më ndihmosh dot me asgjë, sepse në fund të fundit edhe ti nuk je më shumë sesa një qytetar i thjeshtë. Por, megjithatë, të paktën dashurinë tonë të pastër të mos e harrosh dhe si mik i mirë çfarë masash duhet të marr, sepse ti e di fare mirë se të desha njëlloj si fëmijët e mij. Të lutem, nesër ma dërgo Mehmet Efendiun, pa e vonuar më gjatë, të shoqëruar me letrat e tua dhe më informacione të tjera gojore për gjithçka, që edhe unë të qetësohem pak.”
Letra u kopjua me dorën e Athanas Lioundrunit u dërgua drejt Besjerit në Korfuz, me Mjekun Frank.
1808, Mars, 10.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu