Çakalli: Ja si vramë e dogjëm në Kosovë

0
1068

Ushtaraku serb që u bë dëshmitari kryesor i Prokurorisë së Serbisë në gjykimin e ish-shokëve të tij për krime lufte në Kosovë, thotë se i është dashur të flasë për masakrat brutale që ka kryer njësia e tij në fshatrat e Kosovës.

Zoran Raskovic është quajtur hero dhe kriminel lufte, patriot e tradhtar, i çmendur dhe gjeni. I pyetur nga gazetarja e BIRN-it, Marija Ristic, për të përshkruar veten, ai thotë se “është njeri i së vërtetës”.

“Dua t’i jap fund kësaj heshtjeje 15 vjeçare, dua ta heq këtë brengë nga gjoksi dhe kryqin që mbaj mbi kokë”, tha ish-paramilitari serb Zoran Raskovic, tani dëshmitari kyç në rastin kundër 13 luftëtarëve serbë të akuzuar për krime lufte në katër fshatra të Kosovës, gjatë luftës së viteve 1999.

Raskovic, ish-anëtar i njësisë paramilitare “Çakallët”, ka qenë në disa raste dëshmitar në gjykatën speciale në Beogra, ku ka dhënë dëshmi për masakrat brutale në fshatrat Lubeniq, Pavlan, Zahaç dhe Qyshk, të gjitha këto në zonën rreth qytetit të Pejës.

Për dy vitet e fundit, Raskovic ka qenë në mbrojtje konstante të policisë, sepse kur vendosi të dëshmojë me emrin e tij, ai dhe familja e tij kërcënoheshin nga ish-Çakallët dhe nga njësia e policisë për mbrojtje.

Raskovic deklaron se gjithë kjo ka vërtetuar se shoqëria “nuk do të dëgjojë të vërtetën për Kosovën”.

“Pyes veten a isha më shumë i manipuluar në vitet 1999, kur si djalë 20 vjeçar shkova në luftë me krenari, duke menduar se kjo ishte mënyra për të mbrojtur tokën time nga ‘shqiptarët e ligë’, apo tani që doja të tregoja të vërtetën dhe rrezikova jetët e personave më të afërt, sepse besoja se kishte ardhur koha për t’u përballuar me të shkuarën dhe për pajtim”, tha Raskovic.

Duke shpjeguar se çfarë donte të thoshte me “manipulim” në vitet 1990-s, Raskovic tha se “të gjitha luftërat dhe fushatat nga të gjitha anët se dikush po merrte tokën tonë, më bëri të mendoja se po bëja gjënë e duhur. Isha refugjat nga Kroacia e tani edhe nga Kosova”.

Raskovic ka lindur në qytetin kroat të Rijekës, kur vendi ishte ende pjesë e Jugosllavisë. Në mes të luftërave në Ballkan, kur ishte 15 vjeç, u arratis nga qyteti i tij i lindjes për në Kosovë.

“Me babanë, nënën dhe vëllain tim më të ri, si refugjat për herën e parë shkuam në Pejë, qytet nga ku vjen familja ime”, tha Raskovic.

Në vitin 1998, pasi përfundoi shkollën e mesme, bëri shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe shërbeu si roje për Vladimir Lazarevicin, i cili në atë kohë ishte shef i Trupave të Prishtinës të Armatës jugosllave. Lazarevic është dënuar nga Tribunali i Hagës me 15 vite burgim, për krime lufte të kryera në Kosovë në vitin 1999.

Gjatë shërbimit dymbëdhjetë mujor, nisi konflikti i armatosur mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe. Raskovic thotë se dëshmoi “disa nga skenat më të tmerrshme të civilëve serbë që u vranë në kampin Kleçka dhe liqenin e Radoniqit, që e bindën të bashkohej e të luftonte për tokën e Kosovës”.

“Kur u ktheva, Peja nuk ishte qyteti i njëjtë. Gjashtë fëmijë serbë ishin vrarë në kafen Panda. Kudo kishte urrejtje dhe mungesë tolerance”, tha Raskovic.

Kur punonte në një dyqan kafeje, ai takoi Nebojsa Minicin, të njohur si “Mrtvi” (“I vdekuri”), kriminel i njohur dhe anëtar i grupeve të ndryshme paramilitare dhe të një njësie policie të quajtur Munje (Vetëtimat), që dyshohet se ka kryer disa nga krimet më të tmerrshme të luftës.

Minic e rekrutoi në një njësi të re, të quajtur Çakallët, që përbëhej nga dhjetëra luftëtarë serbë e që, sipas Raskovicit, “caktohej për punët më të pista dhe më të rrezikshme”.

“Më bëri përshtypje që isha pjesë e njësisë. Isha fëmijë në atë kohë. Mrtvi ishte i respektuar dhe i pëlqeja. Kjo mjaftonte për mua. Për mua ai ishte alfa dhe omega”, tha Raskovic.

“Për 100 ditë kjo njësi shkatërronte në zonën e Dukagjinit, duke përhapur frikë dhe tmerr mes shqiptarëve”, shtoi ai.

Në vitin 2010, prokurori për krime lufte në Serbi paditi luftëtarët Toplica Miladinovic, Srecko Popovic, Slavisa Kastratovic, Boban Bogicevic, Radoslav Brnovic, Vidoje Koricanin, Veljko Koricanin, Abdulah Sokic, Milojko Nikolic, Sinisa Misic, Zoran Obradovic, Dejan Bulatovic dhe Ranko Momic për vrasjen e më shumë se 100 shqiptarëve në fshatrat e Zahaqit, Pavlanit, Lubeniçit dhe Qyshkut në Kosovë në vitin 1999.

Në gjyq, Raskovici identifikoi shumicën e burrave si autorë të drejtpërdrejtë të masakrave.

Të gjithë prej tyre, përveç Toplica Miladinovicit, i cili ishte komandant i Armatës Jugosllave, dyshohen të kenë qenë anëtarë të çakallëve.
Struktura e komandës së tyre ende kontesohet, meqë shumë anëtarë të saj kanë thënë gjatë gjykimit se ishin pjesë e një njësie të rregullt ushtarake dhe jo paramilitare.

Raskovic thotë se lideri i njësisë ishte Minici, por shpesh konsultohej me komandën e Armatës Jugosllave në Pejë.

“Kishim simbole ushtarake, beneficione të ushtrisë si gaz e armë. Dhe, Mrtvi kishte dokumente zyrtare që thoshin se ishte oficer. Nuk e di nëse ishte nën komandën e Armatës jugosllave, por e di se e dërgova të paktën dhjetë herë në komandën e Armatës jugosllave për konsultime”, tha Raskovic.

Minic nuk u përball kurrë me akuzat penale, sepse vdiq nga SIDA në Argjentinë në vitin 2005. Ai besohet se kishte lidhje të ngushta me policinë serbe dhe zyrtarët e lartë serbë.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes së Kumanovës më 9 qershor, 1999, që i dha fund luftës në Kosovë, Raskovic dhe familja e tij u arratisën për në Serbinë qendrore. Ai pastaj u bë pjesë e disa bandave kriminale dhe pas luftës u dënua me 12 vite burgim për plaçkitjen e një banke.

Në mbrojtje të tij, ai thotë se vetëm po përpiqej të “vidhte çfarë ishte vjedhur”, meqë banka ishte pronë e Miroslav Miskovicit, i cili është akuzuar se ka fituar në mënyrë të paligjshme 30 milionë euro nga privatizimi i kompanive për ndërtime rrugësh.

Kur ishte në burg, Raskovic organizoi disa kryengritje, më të madhen në 2006 kur qindra të burgosur qepën gojën në protestën për kushte më të mira në burg.

Ai u arratis nga burgu dy herë, dhe kur doli u bë dëshmitar i mbrojtur në rastin e çakallëve.

Në fillim ishte planifikuar që Raskovic të dëshmonte me emër të koduar për të fshehur identitetin e tij, por për herë të parë në historinë e gjykatave në Serbi, një dëshmitar i mbrojtur vendosi të dëshmojë publikisht e të “tregonte të vërtetën për tmerret në Kosovë”.

“Doja t’i shikoja të gjithë në sy. Kjo nuk u bë nga Serbia, por nga individët. Doja ta hiqja këtë brengë nga shpirti im. Doja që kjo të dëgjohej në Prishtinë, në Beograd dhe në Bruksel. Nuk mendoj se është patriotike të heshtësh për këto krime, veçanërisht nëse djeg dhe vret fshatra të tëra. Është thjesht qyqarllëk”, tha Raskovic.

Gjatë gjyqit, ai pati kërcënime të hapura nga ish-shokët e luftës.

“Kam kuptuar se një kriminel është një kriminel. Nuk mund të justifikojmë veprimet tona duke thënë se ‘na bënë këta neve, kështu që do të hakmerremi’”, tha ai.

Sot ai thotë se është “pa shtet”, sepse nuk ka dokumente zyrtare identiteti. Ka dorëzuar një kërkesë për kartën e identitetit dy vjet më parë, kur ajo e fundit i kishte skaduar, por autoritetet refuzojnë t’ia japin.

“U ankova dhe kërkova për ndihmë nga çdo institucion i mundshëm – policia, prokuroria, gjyqtari dhe Avokati i Popullit. Të gjithë thanë se do të më ndihmonin, por ende nuk kam kartën e identitetit”, tha Raskovic.

“Ndihem i manipuluar, ose më mirë – i inatosur, sepse po i kërkoj shtetit tim të më japë të drejtat e mia bazike njerëzore, ndërsa të gjithë çakallët e tjerë po ecin të lirë nëpër Beograd”, tha ai.

Raskovic thotë se në të ardhmen do donte të kthehej në Kosovë.

“Kam tokë aty. Nuk shita asgjë. Do të doja të kthehesha dhe të filloja një jetë të re. Kjo është arsyeja pse fola. Ka ardhur koha për një dialog të vërtetë, sepse nuk kam edhe 15 vite të tjera për të pritur”.

“Dua të kthehem në shtëpi”, tha ai.  (INA)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu