Çelet për publikun bunkeri i Enver Hoxhës (FOTO & VIDEO)

0
940

Bunkeri 1

TIRANË – Ashtu siç ishte paralajmëruar një ditë më parë, sot hapet për vizitorët bunkeri anti-bërthamor i komunizmit. Kryeministri Edi Rama lajmëron se hapja e tij do të mbahet në orën 11:00.

Përmes një njoftimi në faqen e tij zyrtare në “Twitter”, Edi Rama shkruan:

“Në 11:00 sot çelim për publikun bunkerin e fshehtë antiatomik të diktaturës komuniste! Çudira të vjetra e surpriza të reja në një pallat në tokë”.

“Njëzet e pesë vjet pas rënies së Murit të Berlinit dhe 70 vjet pas çlirimit nga pushtuesit, nën kujdesin e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, çelet për herë të parë për publikun bunkeri anti-bërthamor i nomenklaturës komuniste, një pallat i kyçur në zemrën e një kodre me plot çudira të vjetra e surpriza të reja”, thuhej në lajmërimin e Kryeministrisë për këtë aktivitet.

Bunkeri i ndërtuar në periudhën e komunizmit në Shqipëri, është shndërruar tashmë në një hapësirë arti. Ky bunker, cili saktësisht ndodhet pranë repartit ushtarak të Shish Tufinës, ishte një projekt gjigant me 5 kate nëntokë i ndërtuar gjatë viteve ’70.

Ka 106 dhoma që shërbenin për raste lufte, për strehimin e byrosë politike të Shqipërisë. Në përbërjen e tij ka apartamente, zyra, salla të madhe, ku mblidhej shtabi i përgjithshëm, madje edhe Kuvendi Popullorë.

[youtube url=”http://www.youtube.com/watch?v=IIdBxUiT3DM&list=UUwI04MJi3-m2q9VxAHX5_mg#t=1845″ width=”560″ height=”315″]

Hapen dyert e bunkerit

Kreu i qeverisë, Edi Rama së bashku me personalitete të politikës dhe jo vetëm, hapi sot dyert e fortesës së diktatorit Enver Hoxha.

Përmes një ceremonie të organizuar nga ana  e qeverisë, u treguan për herë të parë pamje të brendshme të bunkerit, të kthyer tashmë në një hapësirë arti.

Kryeministri Rama kishte ftuar të merrnin pjesë në këtë aktivitet edhe dy ambasadorët, atë amerikan Alexander Arvizu dhe atë italian, Massimo Gaianni.

Pesë dyert e blinduara të ‘Objektit 0774” me 106 zyra u hapën sot për publikun e gjerë, duke zbuluar për vizitorët sekrete të së shkuarës, të cilat do të ndërthuren me shumë surpriza të reja artistike, historike dhe muzeore.

Ja çfarë mund të shohësh në BUNK’ART

Sekretet që fshihte tuneli antibërthamor

Brenda bunkerit ka disa ambiente interesante për vizitorët, të cilat janë kuruar me kujdes dhe pajisur si në kohën kur u ndërtua objekti. Secili ambient shoqërohet me histori për të orientuar  dhe pajisur me informacione të nevojshme vizitorët. Në hyrje, në nivelin e pestë të bunkerit, pas pesë dyerve të blinduara, thuajse në fund të korridorit gjendet dhoma ku do të qëndronte Enver Hoxha në rast të ndonjë sulmi të mundshëm. Dhoma është  pajisur me objekte origjinale të asaj kohe.

Mund të porosisni edhe kafe

Bunkeri përmban 106 zyra, ku gjenden edhe mjaft ambiente të tjera me interes për vizitorët, si dhoma ku do të qëndronte Mehmet Shehu, një sallë ku do të mblidhej Kuvendi i Shqipërisë në rast sulmi bërthamor, dhoma ku ishin vendosur pajisjet që do të pastronin ajrin në rast të një sulmi me armë kimike, e shumë ambiente të tjera, deri tek një bar-bufe që funksiononte në kohën kur bëheshin stërvitje ushtarake. Bari është rikthyer në funksion dhe në të do të shërbejë Natasha, e njëjta bariste që shërbente kafetë në periudhat e stërvitjeve ushtarake.

Ekspozitë-muze në përkujtim të Luftës së Dytë Botërore

Një pjesë të rëndësishme në “Bunk’Art” zë edhe 70-vjetori i Çlirimit, ku do të shihni një ekspozitë të përgatitur nga historiania Sonila Boçi dhe gazetarja Admirina Peçi.

Ekspozita përfshin prag-luftën dhe pushtimin italian, vitet e para të rezistencës, deri në kapitullimin e Italisë fashiste, për t’ia lënë vendin periudhës së pushtimit gjerman deri në çlirimin e vendit. Rezistenca e shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore u njoh dhe u bë pjesë e Koalicionit të Kombeve të Bashkuara, kështu  nuk mund të mos kishte një vend të veçantë edhe hapësirë, diplomacia gjatë këtyre viteve.

Një hapësirë e kufizuar i kushtohet edhe regjimit komunist, e trajtuar kjo më shumë si simbolike se sa si histori mirëfilli, ku përballet ana e errët e regjimit me reformat për ndërtimin e “Shqipërisë së Re”. Linja muzeale  në “Bunk’Art” trajton në detaje gjithë historikun e ushtrisë  shqiptare, duke i dhënë një frymëmarrje dhe ripërtëritje të veçantë  këtij objekti simbol të pozicionit të Shqipërisë komuniste gjatë Luftës së Ftohtë, e duke i njohur vizitorët me historikun e plotë të këtij objekti.
Ngacmuese për vizitorët e “Bunk’Art” është edhe linja artistike, ku përmes videove dhe instalacioneve përcillen ide ngacmuese të artistëve të rinj shqiptarë e të huaj dhe jepen mesazhe të forta për temat e trajtuara prej tyre.

Dhoma e Enver Hoxha

Komandanti suprem i forcave të armatosura në epokën e ndërtimit  të bunkerit (1972-1978) ishte Enver Hoxha. Kështu, zyrë e tij ishte më e madhe dhe më luksoze nga të gjitha dhe shërbente për të dhe  bashkëshorten e tij. Zyra është e përbërë nga një paradhomë në të  cilën qëndronte sekretari personal, një zyrë pune, një dhomë gjumi dhe një banjë. Mobilimi është esencial edhe pse nuk është i një luksi  të veçantë, mbetet më eleganti se të gjithë mjediset e tjera. Vetëm në këtë dhomë, në atë të dedikuar për kryeministrin dhe në atë të  Kreut të shtabit, ishte vendosur moket. Vetëm kjo dhomë ka mure të veshura në fibër (në atë kohë konsiderohej me vlerë të madhe). Enver Hoxha nuk ka fjetur asnjëherë në këtë dhomë, edhe pse mori pjesë në dy stërvitje ushtarake pas inaugurimit zyrtar që u bë me 24 qershor 1978.

Dhoma e Mehmet Shehut

Dhoma ishin të rezervuar në projektin fillestar të kryeministrit. Në epokën e ndërtimit të bunkerit (1972–1978) kryeministër ishte Mehmet Shehu, që në cilësinë e ministrit të Mbrojtjes edhe e kishte surpervizuar gjithë ndërtimin e strukturës. Ky strehim, i përbërë nga paradhoma për sekretarin, dhoma pune, dhoma gjumi dhe banjë, është vendi i dytë më luksoz i gjithë strukturës, është e vogël vetëm pak metra në krahasim me atë të Enver Hoxhës. Ndërsa në dhomat e Enver Hoxhës muret janë të veshura me fibrën e shtrenjtë, muret në dhomat e Mehmet Shehut janë të veshur me dru.

Bunkeri ndërtuar në 1972

Tuneli ka nisur të ndërtohet në shtator të vitit 1972. Pjesa strukturore e mureve u përfundua me 1 maj 1975, ndërsa u deshën dhe tre vite të tjera për të plotësuar përfundimin e impianteve dhe të sistemit të ndërlidhjes. Inaugurimi u bë me 25 qershor 1978. Sipërfaqja totale është 2685 metra katrorë, e shpërndarë në 5 nivele dhe përmban 106 zyra dhe një sallë Kuvendi-kinemaje.

Qëllimi i ndërtimit të këtij objekti ka qenë për funksione ushtarake, për të garantuar funksionimin normal të linjës së komandim drejtimit politik dhe ushtarak në kohë krize, duke garantuar kushtet për strehimin e gjithë lidershipit politik dhe ushtarak të vendit. Kjo është e vetmja strukturë që ka parishikuar një sallë ku do të mund të mblidhej Parlamenti shqiptar në rast lufte. Ideja lindi pas një vizite që krerët ushtarakë shqiptarë bënë në vitin 1964 në Korenë e Veriut, ku ishte traditë që tunelet të parashikoheshin të përshtatshme edhe për mbledhje të Kuvendit.

Pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, direktiva e përgjithshme politike dhe ushtarake u drejtua për fortifikimin e vendit. Objektivi ishte: “Të ndërtohej një sistem i fortifikuar me një qëndrueshmëri maksimale ndaj përdorimit të armëve konvencionale dhe atyre bërthamore, të ishte në gjendje të siguronte në maksimum forcën e gjallë dhe teknikën luftarake nga zjarri i shumëllojshëm armik, të kishte masivitet për të rikuperuar kohën e humbur, të përgatitej me ritëm sa më të shpejtë”. Në total u projektuan 207 mijë bunkerë në të gjithë Shqipërinë dhe u ndërtuan 168 mijë. Projektuesit e strukturës ishin: Drejtoria e Xhenios, Byroja e Projektimit dhe Grupi i fortifikimeve në vartësi të Institutit të studimit dhe Projektimit të Veprave të Mbrojtjes.

Bunkeri 2

Bunkeri 4

Bunkeri 5

 

Bunkeri 6

 

Bunkeri 7

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu