Çerçiz Topulli, Kotherja: Fotot e rralla në 99-vjetorin e vrasjes

0
1317

çerçiz Topulli

99 vite më parë, më 15 korrik të 1915-ës, pas arrestimit në Shkodër, do të ekzekutoheshin duarlidhur rrugës për në Çetinë(të tjerë thonë në Shtoj të Shkodrës), patriotët Çerçiz Topulli e Mustafa Qulli. Pothuaj 1 shekull më vonë, imazhe të rralla të tyre dalin në dritë dhe shfaqen për publikun. 
Në 99-vjetorin e vrasjes, ata janë përkujtuar në Muzeun e Mësonjëtores në Korçë. Drejtori i “ABC”-së, Niko Kotherja, thotë për “Gazeta Shqiptare” se të dy ishin nga mbrojtësit kryesorë të Shkollës së Parë Shqipe. “Çerçizi në godinën e mësonjëtores së vashave organizonte mbledhje e takime me karakter patriotik sa herë që vinte në Korçë e ky është përkujtimi i parë që bëhet për ta në muzeun e mësonjëtores”,-rrëfen Kotherja, ndërsa na shpjegon se ka mundur të mbledhë edhe fotografi të panjohura të tyre. “Ne, jemi mësuar ta shohim Çerçiz Topullin, vetëm të veshur si komit, me pushkë në dorë e me mjekër, por pas disa kërkimesh, kam mundur të gjej edhe një portret të tij si civil. Në këtë foto, ai ka dalë në vitin 1913, kur shkoi në Vlorë për të festuar 1-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Mban qeleshe në kokë dhe është pa mjekër”,-tregon Kotherja, i cili në shtëpinë e tij, ruan edhe foton origjinale. Ndërsa imazhet e tjera që botohen, e sjellin Topullin me miq dhe me luftëtarë. Ai shfaqet me Mihal Gramenon, me një çetë luftëtarësh shqiptare, e një çetë me luftëtarë kryengritës maqedonas. Këto të dyja, janë foto të vitit 1907. 
Lufta e fundit 
Topulli, ishte shkrimtar, atdhetar e veprimtar i shquar i Rilindjes, udhëheqës i luftës së armatosur të çetave kundër sunduesve osmanë për çlirimin kombëtar të vendit, e në fund, hero i popullit. Mustafa Qulli, ishte atdhetar e gazetar. Ai ka drejtuar së bashku me Sali Nivicën gazetën politiko-shoqërore Populli. Në 99-vjetorin e vrasjes së tyre, le të kujtojmë kush ishin dhe si u vranë. Historianë e studiues kanë shkruar për jetën dhe vdekjen e tyre. Sipas dëshmive e të dhënave, del se në shtatorin e 1914-ës Çerçiz Topulli e Muço(Mustafa) Qulli gjenden në Shkodër. Mendohet, se atje patën shkuar për t’ju bashkuar mbrojtjes së trojeve nga pushtimi serbo-malazez, e kjo, për ta, qe lufta e fundit. Më 28 qershor, u arrestuan për tu liruar pak ditë më vonë, ndërsa arrestimi i dytë i tyre, u bë më 7 korrik, këtë herë duke i futur në një rrugë pa kthim. Historianët që janë marrë me këtë çështje, japin data të ndryshme të vra-sjes (dikush 15 korrik, dikush 16 korrik, e ende të ndryshme të ekzekutimit). Fakt është që për 20 vjet eshtrat e dy heronjve mbetën pa varr, në Shtoj të Shkodrës, deri sa u zbuluan në vitin 1936 nga Javer Hrushidi, mik fëmijërie me Çerçizin dhe pre-fekt i Shkodrës aso kohe. Bajo Topulli (nipi i Topullarëve) në librin “Topullarët e Gjirokastrës: Bajo dhe Çerçizi – pararendësit dhe pasardhësit”, shkruan se eshtrat e Çerçizit u identifikuan nga një dhemb floriri. Ai shton se në zhvarrimin e eshtrave të tyre mori pjesë edhe Enver Hoxha, i cili mbajti edhe një fjalë lamtumire në emër të Gjirokastritëve. Përcjellja e eshtrave të heronjve, nga Shkodra drejt Gjirokastrës, është cilësuar madhështore, ndërsa fjalë në nderim të tyre kanë mbajtur patër Anton Harapi e Ernest Koliqi.

Nga: Fatmira Nikolli

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu