Çfarë “lëvizë” pas komisionit hetimor parlamentar, për veprimtarinë e Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK-ut)?

0
732

Krijimi i një komisioni për hetimin e ish shërbimit informativ të Kosovës (SHIK),nga ana e Parlamentit të Kosovës sigurisht që ishte edhe një vendim i klasës politike që katërcipërisht vërteton interesat shfrytëzuese të lidershipit politik të Kosovës,në kurriz të interesave të Kosovës dhe popullit të saj.
Iniciativa e VETVENDOSJES, forcë politike që në emër të angazhimit kundër politikës aktuale po e plotëson atë me veprimet, si kjo e kërkesës për hetimin e SHIK-ut, u aprovua edhe nga PDK-ë e Hashim Thaqit e AAK-ë e Ramush Haradinajt, nga e LDK-ë e Isa Mustafes e AKR-ë me partitë e koalicionit.

Kjo do të ishte shumë në rregull, nuk do të kishte asgjë të keqe hetimi i SHIK-ut apo institucioneve të tjera,sikur mos ishte një fakt, një fakt kokëfortë,që demaskon plotësisht fytyrën titiste të klasës politike, e cila e sheh më të rëndësishëm hetimin e SHIK-ut e nuk e sheh të arsyeshëm hetimin e veprimtarisë së SHSSH (UDB-ë), e cila në radhët e saj, në Kosove, i kishte shumicën dërmuese të kuadrove drejtuese dhe aktivistëve në terren,të nacionalitetit shqiptar. Mund të kuptohet dhe të besohet që SHIK-u,mund të ketë bërë veprime antiligjore, jomorale etj, por të paktën, asnjë njeri me logjikë të shëndoshë nuk mund të mendoj e lëre më të deklaroj,se ky shërbim kishte objektiv apo program mbrojtjen,apo kthimin e sovranitetit serb mbi Kosovën,siç e kishte SHSSH (shërbimi i sigurimit shteteror, ish UDB-ës, e cila në Kosovë drejtohej prej shqiptarëve). Atëherë, si të kuptohet veprimi i Parlamentit të Kosovës,si të kuptohet patriotja famëmadhe ‘‘VETVENDOSJE” me kërkim hetimesh, PDK-ë e AAK-ë “të dalura nga lufta” dhe me patriota të mëdhenjë në krye të tyre,me aprovim kërkimesh për hetim,se për partitë tjera politike “të dala nga pacifizmi (lexo nga komunizmi jugosllav)” s’kemi çfarë të diskutojmë…
Përderisa iniciativa e VETVENDOSJES tregon karakterin e saj demagogjik me përmasa gjigante,e cila për të fshehur titizmin e vet,akuzon të tjerët për titist, pajtimi i PDK-ë (lexo Thaqit) për të hetuar SHIK-un dhe në të njëjtën kohë moskundërvënja e PDK-ë (lexo Thaqit) për të kundërkërkuar hetimin e SHSSH (ish UDB-ës), tregon gjithashtu,se koka e kësaj partie (lexo Thaqit), është e korruptuar në mënyre shumëdimensionale. I sëmurë pas pushtetit të pakufishem,Thaçi,sigurisht që kishte dhe vazhdon të ketë interesa të ruaj këtë qëndrim dekonstruktiv në lidhje me hetimet e shërbimeve sekrete, sepse vetëm kështu ai mund të ruaj krahun e tij titist në parti, krah pa të cilin ai tani nuk mundet as të darkoj.
Shërbimi i sigurimit shtetëror jugosllav në Kosovë, i drejtuar dhe i përbërë më shumicë dërmuese nga shqiptarët, ndjeki, përsekutoj, torturoj deri në vdekje,e burgosi me qindra e mijëra djem e vajza, burra, gra e fëmijë vite me radhë, organizoj veprime të pandërprera për të zbuluar çdo organizim patriotik që kishte për qëllim realizimin e Pavarësisë së Kosovës,pra,ishte mekanizmi themelor i shtypjes dhe represionit të shqiptarëve dekada me radhë. Zoti Thaçi nuk reagoj, nuk e ngriti zërin e të thot se: “do t’a hetojmë SHIK-un edhe pse ky shërbim informativ,as nuk torturoj e as nuk përsekutoj, as nuk burgosi e as nuk vrau lulen e rinisë që u ngrit për të kërkuar të drejtat kombëtare, por se pari do të hetojmë ish SHSSH (shërbimi i sigurimit shteteror-jugusllav)”. Pra, Thaçi dhe deputetët e parlamentit të Kosovës, disa prej të cilëve (deputet të mjerë që i shitën idealet e tyre për një karrigë parlamenti)kanë qenë të torturuar rënd nga ish insperktorët e SHSSH, nuk u ngritën e të thonë,se hetimet do të bëhen,por do të bëhen sipas radhës, duke filluar nga më e rëndësishmja drejt më pak të rëndësishmes, siç e don rregulli dhe logjika.
Në këtë rast,do t’i përkujtoj lexuesit vetëm një fakt, ndër dhjetëra e qindra fakte të tjera: njeriu që torturoj 6 muaj rresht autorin e këtij shkrimi (kur isha veç 17 vjeçar) dhe njërin nga deputetët e PDK-ës, Halit Krasniqin, e shumë të tjerë (në vitin 1982), vetëm pse kërkuam Republiken Kosovës,ai sot është i graduar,si kolonel në SHPK-ë.
Pse mbyll sytë Hashim Thaçi?-Sepse, Hashim Thaçi e din që bashkëpunëtorët kryesorë, mbështetësit më të vendosur të karrigës së tij i ka me “gjenezë” ish komuniste ose familjarisht të përzier me veprimtarinë e sigurimit shtetëror jugosllav, “gjenezë”,e cila vazhdon kështu,si zingjirë i pandërprerë nga qendra deri në seksionin bazë të partisë e të pushtetit ekzekutiv të drejtuar prej tij.
E njëjta arsye për kërkesë të hetimit dhe, e njëjta arsye për aprovim të krijimit të komisionit parlamentar për hetimin e veprimtarisë së SHIK-ut, qëndron tek partitë politike në parlament që përbëjnë klasën politike në Kosovë, klasë,e cila drejtohet nga lidershipi që për çdo ditë thithë gjakun e shqiptarëve për interesa të ngushta vetanake ekonomike e politike.
Pse VETVENDOSJA kërkon hetimin e SHIK-ut dhe nuk kërkon hetimin e UDB-së jugosllave,këtë e din ajo, por koha dhe ngritja e vetëdijes politike kombëtare e shtetërore të shqiptarëve do të na sqaroj më mirë arsyet e veprimeve të tilla, krejt të dyshimta, të kësaj organizate politike, e cila me fjalë angazohet për bashkimin kombëtar e me vepra kundër bashkimit kombëtar.

HAKI MORINA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu