CIA, dyshime për liderët e Komitetit ‘Shqipëria e Lirë’

0
839

CIA, dyshime për liderët e Komitetit ‘Shqipëria e Lirë’

Dokumenti i sotëm, që vjen nga arkivi i deklasifikuar amerikan i operacioneve shqiptare, është një raport mbi disa çështje që ka ngritur zyra e kundërzbulimit të CIA-s, e njohur ndryshe edhe si OSO. OSO–ja, e drejtuar nga legjendari Angelton, një njohës shumë i mirë i Ballkanit, duket nga ky dokument i brendshëm se ka ngritur një mori pyetjesh mbi çështje që kanë të bëjnë me operacionet BGFIEND, të drejtuara kundër Shqipërisë. Ishte fundi i vitit 1950 dhe disa misione klandestine kishin përfunduar në mënyrë tragjike në Shqipëri. Për këtë arsye, kundërzbulimi amerikan kishte filluar të monitoronte të gjitha operacionet klandestine shqiptare dhe sigurisht edhe personazhet e përfshira në të.

Megjithëse ky dokument i botuar sot është një dokument i brendshëm i CIA-s, përsëri mund të mësojmë disa informacione shumë interesante të përmendura në të. Pika e parë dhe shumë e rëndësishme që del prej tij është fakti se Zyra e Kundërzbulimit po merr në analizë disa fakte që kanë dalë nga operacionet klandestine. Edhe pse amerikanët i kanë vazhduar për një kohë relativisht të gjatë operacionet klandestine, përsëri duket se që në 1950-n ata ishin shumë dyshues mbi atë që po ndodhte në radhët e emigracionit shqiptar.

Po kështu, nga radhët e këtij dokumenti mësojmë emrat e disa prej personave të përfshirë në këto operacione. Jani Dilo, për shembull, një personazh i njohur në Shqipëri, duket se ka punuar për një periudhë kohe në kampet sekrete të britanikëve, duke trajnuar shqiptarët e misioneve sekrete. Emri i Ifsan Toptanit del po ashtu si një bashkëpunëtor i britanikëve në këto operacione. Gjithsesi, në këtë dokument duket qartë frika e amerikanëve për të parandaluar çdo rrjedhje informacioni mbi përfshirjen e tyre në operacionet klandestine. Kjo frikë e amerikanëve i jep kuptim tashmë ngulmimit të Shërbimit Sekret Shqiptar në radiolojat e famshme për të mbledhur sa më shumë fakte për përfshirjen e amerikanëve mbrapa këtyre misioneve sekrete.

Interesant është fakti i përfshirjes së emrit të Xhafer Deves në këto plane. Deva, një nazist i njohur, në fakt ishte rekrutuar nga seksioni X-2 i Shërbimit amerikan dhe ka bashkëpunuar shumë ngushtë me Shërbimin amerikan. Megjithatë, kërkesa për hapjen e një kampi ku të trajnohen misione klandestine në territorin grek, tregon qartë se Deva ka qenë një politikan shumë aktiv dhe njeri i veprimit. Shqetësimi amerikan për rrjedhje informacioni ka qenë shumë serioz dhe në dokumentet e tjera që do të botojmë në vazhdim do të mësojmë mbi zhvillime të reja në këtë çështje delikate, e cila ishte edhe arsyeja e dështimeve të operacioneve kundër Shqipërisë komuniste.

SEKRET

21 nëntor 1950

Memorandum: Për ndihmësdrejtorin e Zyrës së Politikave Koordinuese Subjekt: 30 raporte të lidhura me operacionet e OPC

1. Nga një studim i 30 dokumenteve në dosjet tona, të hartuara gjatë vitit të kaluar, do të doja të citoja dokumentet e mëposhtme, të cilat janë hartuar në bashkëveprim me OPC, që mund të provojnë se materiali ka qenë një rrezik i sigurimit për operacionet e OPC

2. Raporti SO, me numër 29356, datë 2 tetor 1949, me subjekt “Dyshime mbi pozicionin e Komitetit për Shqipërinë e Lirë” paragrafi 1, në këtë raport flet si më poshtë: “Anëtarët e Komitetit për Shqipërinë e Lirë dyshohet se janë të dekurajuar, pasi mendojnë se Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe janë tërhequr nga planifikimi për rrëzimin e Enver Hoxhës”. Ky raport është dërguar te Departamenti i Shtetit, Ushtria, Flota dhe Flota Ajrore.

3. SO, raporti me numër 39615, datë shkurt-mars 1950, me subjekt “operacionet britanike në Shqipëri”. Ky dokument nuk është dërguar në asnjë departament.

Paragrafi 1 i këtij raporti është si më poshtë: “Sipas të arratisurve shqiptarë, të cilët kanë kontakte me agjentë të Shërbimit Sekret Britanik, të paktën tri misione me nacionalistë shqiptarë janë dërguar në Shqipëri nga britanikët gjatë periudhës shkurt-mars 1950. Të tria këto misione përbëheshin nga anëtarë të Ballit Kombëtar. Njëri prej misioneve u parashutua në Veri të Shqipërisë, në bashkëpunim me ndjekësit e Said Kryeziut, ndërsa dy misionet e tjera u dërguan në Jug të Shqipërisë. Njëri prej tyre besohet se është zbarkuar nga deti prej Korfuzit në muajin shkurt. Ky informacion mund të ketë vënë në rrezik operacionet britanike, të cilat kanë një marrëveshje të përbashkët mbi politikat ndaj Shqipërisë me OPC

1. SO, raporti me numër 39616, me datë mars 1950, subjekti “Lista e britanikëve për shqiptarët në Greqi” edhe ky dokument nuk është qarkulluar në departamente të tjera. Në paragrafin 2 të këtij raporti jepet informacioni i mëposhtëm: “Nga radhët e kategorisë së fundit raportohet se britanikët shpresojnë që të rekrutojnë personel ndihmës për operacionet e tyre në Shqipëri. Për sa u përket këtyre operacioneve X-si(emri i fshirë), i cili ka qenë në kontakt me gjeneral Prenk Previzin dhe liderë shqiptarë të tjerë në Greqi, raportohet se ka deklaruar që problemi shqiptar do të zgjidhet sipas “udhëzimeve britanike”. Kjo deklaratë është interpretuar sikur Shtetet e Bashkuara dhe Italia e kanë humbur interesin nga kjo çështje, pasi amerikanët kanë frikë se përfshirja e tyre në Shqipëri do të prishë ekuilibrin e politikës aktuale që kanë ndaj Jugosllavisë.”

2. SO, raporti me numër DB 24528, me datë qarkullimi 26 prill 1950, me subjekt “Vizita e Xhafer Devës në Greqi”, me qarkullim për Departamentin e Shtetit, Ushtria, Flota, Flota Ajrore. Paragrafi 3 i këtij dokumenti jep informacionin e mëposhtëm: “Një Raport i ardhur kohët e fundit thekson se DEVA ka informuar zyrtarët grekë se ai përfaqëson një grup të shqiptarëve kosovarë me anëtarë në Itali, Greqi, Turqi dhe vende të tjera. Plani i tij është që të mbledhë të gjithë liderët shqiptarë në Greqi nën grupin e tij, si dhe të marrë mbështetjen sekrete të grekëve dhe amerikanëve. Ai dha përshtypjen se nuk dëshironte të bashkëpunonte me britanikët. DEVA e konsideron Greqinë si vendin ideal nga ku mund të ndërmarrë operacione sekrete kundër Shqipërisë, si dhe beson se operacione të këtij lloji mund të organizohen në mënyrë të atillë që të japin përshtypjen se organizohen nga vetë shqiptarët. “Ky informacion përmban disa nga përbërësit kryesorë të planit të OPC kundër Shqipërisë.

3. SO, raporti me numër DB-24734b, me datë qarkullimi 12 maj 1950, me subjekt “Aktivitetet e Shqipërisë së Lirë”. Qarkullimi në dokument nënkupton se ky raport i është dërguar Departamentit të Shtetit, Ushtrisë, Flotës dhe Ajrit. Informacioni i dhënë në paragrafin 3 të këtij raporti është si më poshtë: “Më 15 prill 1950, konsulli i Ambasadës Greke në Romë, pasi e kishte ftuar DOSTIN (Hasan shënim i red.) për të biseduar me të, e pyeti se çfarë mendonte ai dhe anëtarët e tjerë të komitetit ‘Shqipëria e Lirë’ për të rekrutuar refugjatët shqiptarë në Greqi. Dosti është përgjigjur se kjo çështje kishte interes jo vetëm për të dhe anëtarët e komitetit, por edhe për të tjerë shqiptarë dhe amerikanë”.

Informacioni i dhënë në paragrafin 4 të po këtij dokumenti është si më poshtë: Raportohet se Hasan Dosti ka rekomanduar zgjerimin e Komitetit për Shqipërinë e Lirë dhe të përfshijë Bllokun Kombëtar Indipendent. Po kështu, ai sikur ka thënë që sugjerimet e tij po merren shumë seriozisht nga persona në Departamentin e Shtetit” Informacioni që përmban paragrafi 9 i këtij raporti është si më poshtë: “Jani Dilo do të largohet nga Malta si emigrant për në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, ai është këshilluar nga britanikët që të hyjë në Amerikë nëpërmjet Greqisë, si një mënyrë për të mbrojtur aktivitetin në të cilin ai ka qenë i përfshirë në Maltë, ku ai trajnonte shqiptarët, për t’u dërguar brenda Shqipërisë në misionet operacionale”. Informacioni që përmban paragrafi 11 i këtij raporti është si më poshtë: “Ihsan Toptani ka vizituar Korfuzin dhe Maltën kohët e fundit, por nuk dihet dita e saktë. Misioni i tij është për të testuar shqiptarët që po trajnohen në këta ishuj për operacionet në Shqipëri”.

Informacioni që përmban paragrafi 13 i këtij raporti është si më poshtë: “Në mesin e shqiptarëve në Itali, besohet se shqiptarët që do të rekrutohen për operacione për Shqipërinë do të trajnohen diku në Veriun e Gjermanisë”. “Është e qartë nga këto referenca të ndryshme se Shtetet e Bashkuara mbështesin planet kundër Shqipërisë. Po kështu, referencat për emrat konkretë apo faza operacionale të britanikëve, apo OPC, mund t’i vendosin këto plane dhe operacione me interes për ne në rrezik komprometimi”

1. SO, raporti me numër 43744, me datë maj 1950, me subjekt “Aktivitete paraushtarake të komitetit ‘Shqipëria e Lirë’” Nuk ka qarkullim sipas këtij dokumenti.

Paragrafi 1 ka informacionin e mëposhtëm “Më 1 mars 1950, Hasan Dosti dhe Vasil Andoni kanë kontaktuar një numër të madh shqiptarësh anëtarë të Ballit Kombëtar në kampin e refugjatëve në Bagnioli, duke u kërkuar që të merrnin pjesë në operacione speciale kundër Shqipërisë. Ata mundën që të rekrutonin 40 shqiptarë në këtë vizitë”.

Informacioni që përmban paragrafi i 2-të në këtë raport është si më poshtë: “Abaz Kupi kohët e fundit ka deklaruar se nëse politika e Komitetit për Shqipërinë e Lirë është që të dërgojë grupe të vogla njerëzish në Shqipëri, mbështetësit e tij do të largoheshin nga marrja pjesë në këto aktivitete të Komitetit”. Ky informacion tregon qartë se operacionet e fshehta të OPC ndërmerren në emër të komitetit “Shqipëria e Lirë”.

1. SO, raporti me numër 43205, me datë qershor 1950, me subjekt “Rekrutimet e shqiptarëve për operacione anti- komuniste në Shqipëri”. Nuk ka qarkullim në këtë raport. Ky raport jep informacionin se një letër e shkruar nga Xhafer Deva thekson se Said Kryeziu po rekruton anti-komunistë shqiptarë për rezistencë kundër regjmit aktual në Shqipëri dhe se ai ka dërguar 120 shqiptarë nga Italia në një vend sekret, në pjesën britanike të Gjermanisë. Raporti ka informacionin e mëposhtëm: “Në këtë kontekst, një zyrtar italian, i cili ka provuar se është i besueshëm, na deklaroi se më 29 qershor 1950, një vagon me 130 shqiptarë kaloi nga Roma. Sipas të njëjtit burim, shqiptarët po trajnohen në Gjermani nga oficerë gjermanë nën mbikëqyrjen anglo-amerikane. Burimi shtoi se grupi i parë i shqiptarëve pritej që të ishte i gatshëm për operacione në mesin e gushtit 1950”.

1. SO, raporti me numër 51300, datë 4 nëntor 1950, me subjekt “Aktiviteti i liderëve të komitetit ‘Shqipëria e Lirë’” Ka qarkulluar sipas dokumentit te Departamenti i Shtetit, Ushtria, Flota dhe Flota Ajrore. Paragrafi 1 i këtij raporti përmban informacionin e mëposhtëm: Said Kryeziu, Zef Pali dhe Gaqo Gogo kanë pasur takime me Ministrinë e Punëve të Jashtme greke, si dhe me Panajotis Pipinelis, ish-nënsekretar për Punët e Jashtme. Këta anëtarë të Komitetit për Shqipërinë e Lirë kanë kërkuar mbështetjen e Greqisë për të krijuar në Veriun e Greqisë një kamp shqiptarësh, ku mund të sjellin agjentë nga jashtë. Delegatë nga grupe të ndryshme politike mund të vendosen në Athinë të lidhur me këtë kamp, i cili mund të shërbejë edhe për operacione inteligjence, si dhe për misione brenda Shqipërisë. Pas diskutimeve në nivelet më të larta, aprovimi u dha nga Ministria e Jashtme greke në mbrëmjen e 4 nëntorit 1950. Ky informacion zbulon aktivitetet klandestine të Komitetit për Shqipërinë e Lirë, si dhe negociatat për një projekt specifik të mbështetur nga OPC.

1. Pa asnjë dyshim, OSO është në dijeni të operacioneve tona, por mund të argumentojë se kanalet dhe burimet nga ku ky informacion është marrë janë evidenca se sekreti i operacioneve tona është vënë në dyshim. (emri i fshirë) Shefi i Divizionit EE.

(vijon të dielën tjetër)

Nga: AURON TARE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu