CIA i çonte Karzait para me thasë

0
598

Nju-Jork – Dhjetëra miliona dollarë amerikanë janë dërguar me thasë, çanta dhe qese plastike nga CIA në zyrën e presidentit të Afganistanit, Hamid Karazi, për mbi një dekadë, ka shkruar “The New York Times”, duke cituar këshilltarë të tashëm dhe të dikurshëm të udhëheqësit afgan.

Të ashtuquajturat “para fantazmë” ishin menduar për ta rritur ndikimin e Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA) në Afganistan, por në fakt ato kanë nxitur korrupsion dhe i kanë forcuar militantët, duke rrezikuar strategjinë e Uashingtonit për largim nga Afganistani, janë cituar të kenë thënë për gazetën e përditshme njujorkeze disa zyrtarë të Shteteve të Bashkuara.

“Burimi më i madh i korrupsionit në Afganistan kanë qenë Shtetet e Bashkuara”, ka thënë një zyrtar amerikan. CIA nuk ka dashur që të flasë për shkrimin, ndërsa Departamenti i Shtetit nuk ka komentuar menjëherë. Gazeta nuk e ka publikuar asnjë deklaratë nga Karzai apo zyra e tij.

“Ne i quanim ato ‘para fantazmë’”, ka thënë Khalil Roman, i cili ka shërbyer si shef i stafit të Karzait nga viti 2002 deri më 2005. “Ato vinin fshehurazi, dhe shkonin në po të njëjtën mënyrë”.

Për mbi një dekadë, paratë janë dorëzuar çdo muaj te zyra e presidentit afgan, ka thënë gazeta. Çuarja e parave ka qenë një procedurë standarde për CIA-n në Afganistan që nga fillimi i luftës.

Dërgesat e parave për zyrën e presidentit duket se nuk i nënshtrohen mbikëqyrjes dhe kufizimeve që parashihen për ndihmat zyrtare amerikane për vendin, apo për programet formale të CIA-s, si financimi i agjencive afgane të inteligjencës, dhe duket se nuk shkelin ligjet amerikane, ka thënë “The New York Times”. Nuk ka dëshmi se Karzai i ka marrë personalisht paratë, kanë thënë zyrtarët afganë për gazetën. Paratë janë marrë nga Këshilli i tij i Sigurisë Kombëtare, sipas tyre.

Zyrtarët amerikanë dhe afganë, që kanë qenë në dijeni për pagesat, janë cituar të kenë thënë se qëllimi kryesor i çuarjes së parave ka qenë mbajtja e Karzait dhe rrethit të tij nën kontroll, si dhe garantimi i ndikimit të CIA-s në pallatin presidencial, i cili ushtron ndikim të jashtëzakonshëm në qeverinë tejet të centralizuar të Afganistanit. Shumica e parave kanë shkuar te ushtarakët dhe politikanët, shumë prej tyre të lidhur me tregtinë e drogës dhe me talebanët, ka thënë “The New York Times”.

Sipas zyrtarëve, CIA i ka mbështetur të njëjtat rrjete që diplomatët dhe agjentët amerikanë përpiqeshin t’i shpartallonin, duke e lënë qeverinë të rrethuar nga krimi i organizuar.

Gjatë pjesës më të madhe të qeverisjes 11-vjeçare të Karzait, ushtria apo policia afgane kanë shprehur pak interesim për luftimin e korrupsionit. Dy institucionet më të fuqishme të vendit marrin miliarda dollarë nga donatorët çdo vit, por përballen me vështirësi edhe për të rekrutuar dhe për të udhëhequr një forcë që karakterizohet nga një përqindje e lartë e dezertimit. (Reuters)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu