CIA më 1949: Lista e njerëzve që do hedhim kundër Tiranës

0
764

Dokumenti i Shërbimeve Sekrete Amerikane i vitit 1949.

Plani i CIA-s për futjen e refugjatëve në operacionet kundër regjmit të Tiranës.

Faza e parë parashikonte bashkimin e tri grupimeve politike dhe përfshirjen e tyre aktive në lëvizjen antikomuniste.

Rekomandimi i CIA-s për liderin e lëvizjes antikomuniste.

Mit’hat Frashëri, i zgjedhuri i SHBA-ve

Ai lider honorifik, Abaz Ermenji drejtues aktiv.

Sfida për rrëzimin e qeverisë së Tiranës nuk mund të përmbushet pa përfshirjen e faktorit shqiptar, më së pari atij që operon në emigracion. Pjesa e dytë e dokumentit me projektin e CIA-s për ndryshimin e kursit politik në Shqipëri përmban një platformë të detajuar për mënyrën e bashkëpunimit të lidershipit të operacioneve sekrete amerikane me organizatat politike shqiptare që vepronin jashtë territorit të shtetit shqiptar. Faza e parë e kësaj nisme, sipas projektit të CIA-s, parashikonte bashkimin e tri grupimeve politike të refugjatëve, duke kapërcyer divergjencat e hershme mes tyre. “Mendoj se  liderët e tyre, -konstaton zyrtari i Shërbimit Sekret Amerikan,   -nuk janë të aftë për të krijuar një bazë për marrëveshje midis tyre. I afron me njëri-tjetrin urrejtja për armikun e përbashkët, komunistët, -nënvizon ai, -por nuk mund të harrojnë urrejtjen që kanë mes veti, si dhe dëshirën që kishin përpara se të vinin komunistët për të larë hesapet mes tyre si rivalë politikë”. Përballë këtij realiteti të mirënjohur, zyrtari i CIA-s i rekomandon qeverisë së SHBA-ve një qasje të ndërmjetme: Autoritetet tona të bëjnë të mundur që jo zyrtarisht të japin idenë se janë të gatshme të mbështesin në luftën kundër komunistëve një grup të caktuar dhe lidershipin e tij, në mënyrë që grupimet e tjera politike të afrohen gradualisht, deri në momentin e rrëzimit të qeverisë së Hoxhës dhe zhvillimin e një referendumi për përcaktimin e formës së regjimit të ardhshëm. Në shtjellimin e mëtejshëm, hartuesi i dokumentit sekret “Operacionet shqiptare” u rekomandon eprorëve rigrupimin e organizatave të refugjatëve shqiptarë nën lidershipin e Mit’hat Frashërit, kreut të Ballit Kombëtar. “Nëse vendosni për të, arsyeton më tej ai, duhet pasur parasysh mosha dhe karakteri i tij, të cilat i mundësojnë vetëm një rol honorifik në këtë lëvizje, ndërkohë që atë mund ta drejtojnë Jani Dilo ose Abaz Ermenji”.
Dokumenti që po botojmë është njëri ndër 10 mijë të tillë të deklasifikuar vitin e kaluar. Ai hedh dritë për herë të parë mbi operacionet e Shërbimeve Sekrete Amerikane për rrëzimin e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Rrjedha e ngjarjeve për të cilën bëhet fjalë në të i përket periudhës kohore 1949 -1955, periudhë kjo kur një prej Shërbimeve Sekrete më të fuqishme të botës përgatiste në fshehtësi të plotë operacionet klandestine ndaj vendit më të vogël dhe më të varfër të bllokut komunist, Shqipërisë.

TOP SEKRET
21 Mars 1949
Për: PILIGRIM
Nga: CICERO
OPERACIONI SHQIPTAR
Për të rrëzuar qeverinë aktuale të Tiranës dhe zëvendësimin e saj me një qeveri të pëlqyer prej nesh, mbetet shumë për t’u bërë në terren, përpara se ne të ndërmarrim hapa konkretë… Ne duhet që, duke punuar për një zgjidhje të situatës në Greqi, të bëjmë të mundur bashkimin e refugjatëve shqiptarë. Përderisa në vendet demokratike grupet e ndryshme politike shqiptare do të harxhojnë energji duke luftuar njëra – tjetrën, ne nuk mund t’u ofrojmë shqiptarëve në vendin e tyre një shfaqje më të mirë se ajo që ata kanë sot, me përjashtim të ndoshta një ndryshimi të vogël që vjen duke përfshirë ndryshimin e një qeverie që mban pushtetin nëpërmjet dhunës dhe metodave policore me një tjetër qeveri, e cila, për shkak se ka një bazë të vogël mbështetësish, përdor po të njëjtat metoda. Brenda Shqipërisë ne duhet të përqendrohemi rreth një programi “zbutës”, kryesisht nëpërmjet medias dhe transmetimeve radiofonike nga a) “Zëri i Amerikës”, b) Radio në Athinë, me një linjë propagandistike shumë të ndryshme nga ajo që ka sot c) Projekti i Radios në Thesalonik. Në të njëjtën kohë duhet të rrisim infiltrimet nga kufiri i Greqisë nëpërmjet organizatave tashmë operacionale, si dhe atyre që do të krijohen në të ardhmen.

REFUGJATËT SHQIPTARË NË MESDHEUN LINDOR
Refugjatët shqiptarë, të cilët janë të vendosur në Turqi, Greqi, Siri, Itali dhe Egjipt, janë pjesë e tri grupimeve më të mëdha politike. Balli Kombëtar, një organizatë republikane nën udhëheqjen e Mit’hat Frashërit, Mbretërorët nën Mbretin Zog dhe të Bllokut Kombëtar Indipendent, një organizatë konservatore e udhëhequr nga Ismail Vërlaci.
Turqia
Për momentin në Turqi gjenden rreth 300 refugjatë shqiptarë. Mit’hat Frashëri, presidenti i Ballit Kombëtar, është atje duke u përpjekur që të organizojë një front unik midis shqiptarëve. Nëse e bën këtë, atëherë ai shpreson që të sigurojë njohje ndërkombëtare nga fuqitë perëndimore, njësoj si G.M Dimitrovi i Bullgarisë. Frashëri dhe pasuesit e tij më të ngushtë mendojnë se regjimi i Enver Hoxhës nuk mund të përmbyset pa një përpjekje serioze. Ata mendojnë se përpjekja për ta rrëzuar Hoxhën duhet të jetë e mbështetur nga një forcë ekspeditionare shqiptarësh, e pajisur mirë me armë dhe municione. Ata gjithashtu mendojnë se çdo përpjekje për një revolucion brenda Shqipërisë do të pengohet fuqimisht nga autoritetet sovjetike dhe se komunistët e kontrollojnë vendin në mënyrë aq strikte, sa asnjë operacion nuk mund të ketë sukses nga brenda, por duhet të organizohet nga jashtë. Gani Khan Bezolli pretendon dhe ka shumë mundësi të jetë përfaqësuesi i Mbretit Zog në Turqi. Nga Shërbimet Sekrete Turke, për interesin e tyre më thonë se Avni Derrhalla, një ish-kolonel në Ushtrinë e Zogut, është përfaqësuesi i Zogut në Turqi. Ghazi Kahn vazhdimisht deklaron se Zogu ka pranuar faktin se do të njohë çfarëdolloj forme qeverie që shqiptarët do të zgjedhin me referendum, pasi regjimi i Hoxhës të bjerë.  Ai shton se ish-Mbreti është i gatshëm të bashkëpunojë me çfarëdolloj grupimi politik, i cili është i gatshëm të punojë për rrëzimin e Hoxhës. Gazi Khan beson se situata politike në Shqipëri është e gatshme për një revolucion të brendshëm dhe ky revolucion mund të ketë sukses pa ndihmën e jashtme nga Fuqitë e Mëdha. Ky këndvështrim optimist i Ghazi Kahn, në fakt është më shumë një qëndrim i shpirtit aventuresk të tij, sesa nga informata të sigurta që mund të ketë nga brenda Shqipërisë.
Një oficer në Konsullatën tonë të Përgjithshme, të cilit i kërkova informacion mbi shqiptarët, më tha se “Nuk ka se çfarë të mësosh prej tyre. Turqit marrin çdo pikë informate nga refugjatët e rinj që vinë këtu përpara se t’i lënë të lirë. Të vjetrit e kanë mendjen te ndonjë ndihmë financiare, ndonjë punë apo ndonjë ndihmë për të afërmit e tyre, si dhe me shpresën se ndonjë forcë zbarkuese amerikane do t’i mbështesë kur të kthehen në shtëpitë e tyre. Ky ishte opinion i ndershëm i një oficeri, por për mua tregon gjithashtu nevojën për të rihapur një zyrë informacioni në Stamboll, nën drejtimin e ndonjë oficeri me eksperiencë, i cili di se si të mbledhë informacione me çdo mënyre të mundshme. Unë mendoj se është e nevojshme dhe urgjente jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjitha vendet pas perdes së hekurt, dhe mendoj se person më të mirë se zoti Roy Melbourne nuk mund të gjejmë për këtë detyrë.
Egjipti
Në Egjipt ndodhen rreth 50 refugjatë shqiptarë të rëndësishëm. Gati të gjithë janë anëtarë të suitës mbretërore apo ish-zyrtarë të qeverisë, të cilëve u është dhënë strehim politik me ndërhyrjen e Mbretit. Të gjithë duken apo të japin përshtypjen që mbështesin lidershipin e Mbretit. Më të njohurit e kësaj mërgate janë: Sotir Martini, ministër i Oborrit Mbretëror, Hysein Selmani, adjutant si dhe lajmës midis Mbretit dhe mërgatës, Princi Sali, nipi i Selmanit, Kemal Bey Mesaria, Camberleni i Mbretit, kolonel Abaz Kupi, lider gueril dhe themelues i Partisë së Legalitetit, Abdul Scola, konsull i paraluftës në Kajro, prof. Gaqo Gogo, adjutant i motrave të Zogut, Musa Juka ish- ministër i Brendshëm i periudhës së Zogut, Mit’hat Frashëri ish- regjenti i gjermanëve, Mustafa Kruja ish-kryeministër kuisling deri në 1943-n, Xhafer Deva, ministër i Brendshëm i gjermanëve, Koço Muka ministër kuisling nën gjermanët, Ali Këlcyra, anti-komunist, lider i Ballit Kombëtar, si dhe Sali Myftia, lider mysliman nga Shkodra.
Që nga ardhja  në Kajro në pranverën e 1946-s, Zogu ka krijuar lidhje shumë miqësore dhe të ngushta me Farukun, si dhe me familjet mbretërore italiane e bullgare. Ai ka qenë shumë aktiv në krijimin e prestigjit të vet nëpërmjet bashkatdhetarëve dhe, sidomos, në vendosjen e refugjatëve shqiptarë në Lindjen e Mesme. Dëshira e Zogut është krijimi i një qeverie mbretërore në mërgim, edhe nëse nuk ka sukses krijimi i një komiteti kombëtar për çlirim nën udhëheqjen e tij. Thuhet se ai ka dëshirë që të jetë aktiv në luftën kundër komunistëve dhe se ai do t’ia lërë vendimin mbi qeverisjen e vendit dëshirës së shprehur nga shqiptarët. Gjithsesi, deri më tani ai nuk ka treguar dëshirë për të arritur një marrëveshje me ish-armiqtë e tij politikë, në mënyrë që fjalët e mira t’i kthejë në vepra. Megjithatë, miqësia me Farukun, pozita e tij e dikurshme, pasuria personale, si dhe kapaciteti i tij për intriga e bëjnë atë një fuqi që duhet të merret në konsideratë, me gjithë numrin relativisht të vogël të mërgatës shqiptare, për çfarëdolloj revolucioni që mund të ndërmerret në Shqipëri.
Ambasada jonë në Kajro thotë në një nga mesazhet e saj dërguar vjeshtën e kaluar: “Askush (nga shqiptarët) nuk ka kontaktuar me ne në gjashtë muajt e kaluar”. Ky mesazh tregon se kjo Ambasadë nuk ka qenë aktive në ndjekjen e problemit shqiptar. Mendoj se Departamenti nuk është i interesuar.
SIRIA
Nga informacioni që kam, në Siri ndodhen 150 refugjatë shqiptarë. Shumica janë myslimanë të sjellë nga Italia dhe të vendosur në Siri me ndërhyrjen e Mbretit Zog. Pak a shumë janë të gjithë nën kontrollin e Zogut. Me sa kam informacion, nuk janë shumë të kënaqur në shtëpitë e tyre të reja dhe dëshirojnë të largohen në Itali dhe prej andej në Perëndim. Nuk e kam vizituar Sirinë personalisht që me fillimin e punës në këtë projekt.
GREQIA
Në Greqi ndodhen më shumë se 500 refugjatë shqiptarë, nga të cilët rreth 350 do të largohen për në Itali nën një program të IRO-s (Kombet e Bashkuara), të sëmurët dhe pleqtë do të mbeten në Greqi. Një prej figurave më të rëndësishme të Ballit Kombëtar në Greqi është Abaz Ermenji. Zogistët më të rëndësishëm janë gjeneral Prenk Previzi, komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë shqiptare pro-gjermane, kolonel Hysni Dema, komandant i Përgjithshëm i Xhandarmërisë pro-gjermane, si dhe kolonel Fiqiri Dine. Nëse qeveria greke do të manovrojë për të penguar largimin e disa prej liderëve shqiptarë, Ambasada jonë do të ndërhyjë jo zyrtarisht në favor të atyre shqiptarëve, që do të konsiderohen të rëndësishëm.
ITALIA
Në Itali duhet të jenë rreth 1500 refugjatë shqiptarë, nga të cilët vetëm gjysma jetojnë në kampet e IRO-s. Grupimet politike janë tri dhe të mirëprezantuara. Balli Kombëtar: sekretari i Përgjithshëm, Vasil Andoni, Halil Maci, Jani Dilo, Said Kryeziu, Zef Pali dhe Hasan Dosti. Blloku Kombëtar Indipendent: president Ismail Verlaci, sekretarë Ali Vrioni, Xhemil Dino, Ernest Koliqi, Kol Bib Mirakaj.  Zogistët: Ferid Dervishi, Zef Sereqi.
Jemi me fat që në Itali kemi oficerë me eksperiencë, të cilët janë në dijeni të situatës dhe me të marrë instruksionet tona, janë të aftë të drejtojnë ngjarjet.
REKOMANDIME
Mendoj se liderët e tri grupimeve politike të refugjatëve nuk janë të aftë për të krijuar një bazë për marrëveshje midis tyre. Sigurisht që mund të afrohen me njëri-tjetrin si pasojë e urrejtjes që kanë për armikun e përbashkët, komunistët, të cilët tashmë qeverisin vendin e tyre, por ata nuk mund të harrojnë urrejtjen që kanë për njëri-tjetrin, si dhe dëshirën që kishin përpara se të vinin komunistët për t’i larë hesapet me njëri-tjetrin si rivalë politikë. Unë besoj se bashkimi nuk mund të vijë si pasojë e dëshirës së tyre, por do të ishte e udhës që ne të forcojmë një grupim duke bërë të mundur që të tjerët të bashkohen me të si nevojë për mbijetesë. Unë mendoj se kjo do të ishte relativisht e mundur nëse qeveria jonë do të bënte të mundur që jo zyrtarisht të jepte idenë se do ishte e gatshme të mbështeste në luftën kundër komunistëve një grup të caktuar, si dhe lidershipin e saj, duke bërë që grupimet e tjera politike të kuptonin se ne do të donim që ata t’i bashkoheshin këtij grupimi provizorisht, duke bërë të mundur që edhe pjesa tjetër e refugjatëve të ishin në të njëjtin mendim deri në momentin që komunistët të rrezoheshin dhe një referendum të bënte të mundur përcaktimin e formës së qeverisë së ardhshme, të cilën vetë shqiptarët do ta dëshironin. Përzgjedhja e grupit që do të udhëheqë praktikisht nënkupton zgjedhjen nga tri grupimet ekzistuese. Duke i marrë të gjitha parasysh dhe duke e vlerësuar situatën prej këtej si dhe reagimin e shqiptarëve dhe botës demokratike, unë mendoj se zgjedhja më e mirë është Mit’hat Frashëri, lideri i Ballit Kombëtar. Nëse ju vendosni për të, është e rëndësishme që të kihet parasysh që për moshën dhe karakterin e tij ai duhet të jetë një lloj figure honorifike dhe jo një figurë aktive e kësaj lëvizjeje. Roli aktiv i kësaj lëvizjeje duhet të drejtohet nga një prej zëvendësve të tij, si Jani Dilo apo Abaz Ermenji. Nëse ju më jepni të kuptoj se jeni dakord me këtë propozim timin, atëherë unë do të bëj një udhëtim në Egjipt me Horation për t’i prezantuar Ambasadës sonë idenë tonë dhe jam i sigurt se ata nuk do të kenë asnjë problem që Horatio të kontaktojë njerëzit e Zogut për t’i prezantuar qëndrimin amerikan dhe për t’i dhënë atij mundësinë që t’i bëjë fjalët e tij vepra konkrete në bashkëpunimin në luftën kundër komunizmit.
Ky aksion, me të gjitha konditat praktike, do të garantojë plotësimin e kushteve esenciale për fazën e dytë në organizimin me sukses të planit operacional kundër Shqipërisë. Vazhdimi i këtij operacioni do të garantohet nga oficerët tanë në Itali, në bazë të lidershipit dhe njerëzve që do të kenë në dispozicion.
(vijon të dielën tjetër)

Nga AURON TARE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu