CIA: Plani për grushtin e shtetit në Shqipëri në vitin 1949

0
891

Dokumenti që botojmë sot për herë të parë si pjesë e dosjeve të operacioneve BGFIEND, të shërbimeve amerikane kundër Shqipërisë komuniste, sjell disa të dhëna shumë interesante. Ai është një pjesë e volumit të inteligjencës që vinte nga burimet amerikane në Europën Lindore si fragment i raportit javor të Shërbimit Amerikan të Inteligjencës. Dokumenti, i cili i përket dosjes së vitit të parë të përgatitjes së shërbimit amerikan me fokus Shqipërinë, hedh dritë mbi përpjekjet shumë të hershme për një kontakt të Mbretit Zog me shërbimet amerikane. Në periudhën 1948-1949, Mbreti i shqiptarëve, i mërguar në Egjipt, mendonte një kthim të mundshëm në fronin që kishte humbur gati 10 vite më parë. Për këtë arsye, ai kërkonte me çdo kusht të lidhej me këdo që do t’i garantonte një mundësi për këtë rikthim. Pjesa e parë e dokumentit që i referohet një letre të ardhur nga një personazh i cili për shërbimin amerikan nuk është i panjohur, flet për një plan të Mbretit për të bërë një grusht shteti në Shqipëri. Ideja e një grushti shteti të planifikuar dhe ekzekutuar nga ish-Mbreti i shqiptarëve kundër Enver Hoxhës nuk është diçka e re. Deri më tani, nga dokumentet amerikane kemi mësuar se një propozim të tillë Zogu ia bën edhe liderit komunist të Jugosllavisë, Tito, në vitin 1951. Por nga dokumenti i botuar sot mësojmë se në fakt Zogu ka menduar për një kohë shumë të gjatë që të realizojë një grusht shteti të ngjashëm me atë që ai bëri në 1924-në, duke rrëzuar nga pushteti peshkopin Noli. Me sa duket, Zogu ka kërkuar vazhdimisht mbështetësin kryesor, i cili do t’i garantonte financime dhe mbështetje politike. Të paktën nga ky dokument duket se plani i Zogut për grusht shteti ka qenë formuluar që në vitin 1949 dhe u është drejtuar fillimisht amerikanëve. Në pjesën e dytë të dokumentit zgjon interes të veçantë pohimi i konsullit të përgjithshëm jugosllav në Paris, se agjentura jugosllave kishte njerëzit e saj në kabinetin e Enver Hoxhës. Ky pohim i nënvizuar nga shërbimet amerikane të inteligjencës e shton më shumë vëmendjen e studiuesve ndaj ngjarjeve në Byronë Politike Komuniste dhe eliminimit të disa figurave nga Enver Hoxha në atë periudhë.

TOP SEKRET
RAPORTI JAVOR
26 gusht 1949
Ky raport është përgatitur me mbështetjen e inteligjencës. Është hartuar nga burime të fshehta dhe jo të fshehta dhe ka si qëllim dhënien e gjetjeve thelbësore me interes për OPC. Të qarkullohet vetëm në rrjetin e OPC.

SHQIPËRIA Planet për një grusht shteti në Shqipëri Në një letër për ndihmësin e atasheut ushtarak në Turqi me datë 14 qershor 1949, Gazi Khan Bezzoli, një refugjat kaukazian me banim në Turqi që nga Lufta e Parë Botërore, i cili thotë se është një mik i vjetër dhe i afërt i Zogut, ka diskutuar kushtet e situatës aktuale në Shqipëri. Ai prezanton një plan të rikthimit të Zogut me anën e një grushti shteti. Atasheu ushtarak në Turqi shkruan në letrën përcjellëse se ai prej vitesh i ka gjetur informacionet e ardhura nga ky burim si shumë të sakta dhe të vlefshme. Ai gjithashtu shkruan se Bessolt ka mundësi që punon me Shërbimet Sekrete Turke apo është shumë afër tyre. Bessolt thotë se, që grushti i shtetit të jetë i suksesshëm, amerikanët nuk duhet të kontaktojnë asnjë shqiptar në emigracion “persona si Mehdi Frashëri ish-regjent, Mit’hat Frashëri (lider i Partisë Nacionaliste), Mustafa Kruja (ish-kryeministër i italianëve), Fevzi Alizoti etj. etj janë të gjithë të frustruar”, shkruan ai. Ai vazhdon të sugjerojë se bën punën përgatitore në kapacitetin e një “oficeri ndërlidhës” nëpërmjet amerikanëve dhe shqiptarëve dhe është ndërmjetës midis Mbretit Zog dhe qarqeve të emigracionit shqiptar. Sipas Bessoltit, momenti është shumë i favorshëm për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri, por në se kushtet e mëposhtme arrihen: 1. Greqia, së bashku me fuqitë perëndimore, duhet të pranojnë kufijtë shqiptarë të vitit 1913 (Kufijtë përpara agresionit fashist italian të vitit 1939). 2. Grushti i shtetit të ndërmerret nga forcat shqiptare jashtë, të cilat janë diku tek 1.600 deri ne 2.000 veta.

3. Kontakte direkte me liderët e rezistencës duhet të vendosen si brenda, ashtu edhe jashtë vendit. 4. Fondet për këtë ndërmarrje duhet të jepen nga fuqitë perëndimore. Koment: Letra e Besoltit indikon se në kohën që kjo letër është shkruar, ai nuk i ka diskutuar planet e tija me Mbretin Zog apo me liderët e tjerë të rezistencës. Por nëse do të marrim të mirëqenë lidhjet e tij familjare me Mbretin Zog, kjo letër duket si një përpjekje e kampit të Zogut për mbështetje nga amerikanët. Po kështu, nëse marrim parasysh lidhjet e Besoltit me shërbimet turke, kjo letër duket gjithashtu si një përpjekje e tyre për të kuptuar qëllimet e amerikanëve për situatën në Shqipëri. JUGOSLLAVIA Infiltrimet jugosllave në Shqipëri Ambasada jonë në Beograd mendon se situata ekonomike në Jugosllavi do të jetë kritike gjatë 6 deri në 12 muajt e ardhshëm. Kjo, për shkak të kushteve të pafavorshme në zhvillimet jugosllave, si dhe nga mospasja e kredive të mëdha në dollarë. Pa një ndihmë financiare Ambasada deklaron se Tito mund të jetë kaq i dobët, saqë nuk mund t’i rezistojë presionit të KOMINTERN-it. Kjo mungesë e fondeve ka influencuar edhe në operacionet e infiltrimit në Shqipëri. Konsulli i Përgjithshëm në Paris, Ivor Helier, raporton në fillim të qershorit se, nëse qeveria e tij do të mund të shpenzonte më shumë para në Shqipëri, ajo (Shqipëria) shumë shpejt do të ndiqte politikën e Titos. Ai nënvizoi se disa shqiptarë, anëtarë të kabinetit qeveritar, po bashkëpunonin me Titon. Kjo mungesë fondesh ka penguar gjithashtu Jugosllavinë që të mund të blinte pajisje nga Gjermania të nevojshme për Jugosllavinë që të merrte përsipër hapjen e 5 fushave të naftës në Shqipëri (kablloja e Departamentit të Shtetit, Beograd, 19 qershor 1949. Sekret DO-25944a).

vijon të dielën tjetër

 

Nga Auron Tare

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu