Çifti Shkodra e quajnë Oliver Ivanoviqin qytetar të ndershëm

0
550

Ivanoviq

Në Mitrovicë edhe sot ka vazhduar gjykimi kundër Oliver Ivanoviq dhe katër të akuzuarve tjerë të cilët dyshohen për krime kundër popullatës shqiptare gjatë viteve 1999 – 2000 në Mitrovicë.

Dëshminë para trupit gjykues të martën e kanë ofruar bashkëshortët Murat dhe Dhurata Shkodra, të cilët thanë se natën e 3 shkurtit të vitit 2000 kanë qenë bashkë me dy fëmijët dhe nënën, përkatësisht vjehrrën, në banesën e tyre në veri të këtij qyteti.

Murat Shkodra ka rrëfyer se atë natë rreth orës 20 një grup serbësh kanë hyrë në ndërtesën e tyre dhe kanë thyer të gjitha dyert e banesave të shqiptarëve.

Sipas tij, në ato banesa të shqiptarëve ku ka pasur dyer të blinduara, serbët kanë gjuajtur edhe me armë.

“Nuk kemi guxuar të dalim nga banesa. Kemi dëgjuar zëra të thyerjeve të dyerve, të shtëna armësh, por nuk i kemi parë njerëzit. E tërë kjo ka zgjatur rreth 20 minuta, pastaj nga kati i shtatë kemi zbritur poshtë dhe kemi vërejtur se në derën e Gani Rexhës, atëherë kryetarit të Gjykatës, kishte tri vrima të shkaktuara nga armë zjarri” , ka thënë mes tjerash Shkodra.

Ai tha se Oliver Ivanoviqin e kishte njohur shumë mirë edhe para luftës, por që nuk e kishte parë gjatë natës kritike, dhe as gjatë kalimit të tij shpeshherë nëpër urë, kur kishte hasur në probleme nga grupe të rinjsh, të cilët qëndronin në urë.

“Gjatë luftës, prej që ka eskaluar situata në Kosovë, asnjëherë nuk e kam parë Oliver Ivanoviqin, mbase edhe nuk kam dal shpesh”, theksoi Shkodra.

Në lidhje me të dyshuarit tjerë, ai tha se asnjërin prej tyre nuk e njeh, përveç Dragolub Delibashiq, për të cilin tha se ka qenë polic dhe asgjë më shumë.

Edhe Dhurata Shkodra, bashkëshortja e dëshmitarit të parë, ka rrëfyer ngjashëm ngjarjen e 3 shkurtit të vitit 2000.

Para se të filloj dëshminë e saj, ajo ka kërkuar që ta përshëndesë Oliver Ivanoviqin, por nuk është lejuar nga Trupi Gjykues.

“Nuk dyshoj kurrë në Oliver Ivanoviqin sepse ai ka qenë qyteta r i ndershëm. Jam endur shumë herë nëpër urë dhe asnjëherë nuk kam pasur probleme, dhe as që më ka ndaluar dikush”, tha dëshmitarja.

Njëjtë sikurse bashkëshorti i saj, edhe ajo u deklarua se nuk i njeh të akuzuarit e tjerë.

Pasi ka përfunduar dëshminë e saj, Shkodra ka insistuar sërish të përshëndetet me Ivanoviqin, por gjykatësja ka refuzuar kërkesën, duke sqaruar se rregullat nuk lejojnë një gjë të tillë, ndërsa dëshmitarja përkundër refuzimit të gjykatëses, i është afruar të akuzuarit, duke ia zgjatur dorën dhe përshëndetur me të.

Avokati i Oliver Ivanoviqit, Mirolub Pantoviq, është shprehur i habitur me dëshmitarët e sotëm, duke thënë se vërtetë nuk e ka të qartë se çfarë ka dashur Prokuroria të dëshmojë me këta dëshmitarë, të cilët për asnjë moment nuk e kanë përmendur klientin e tij.

Pantoviq: Përfundimi i gjykimit në fund të dhjetorit

Këta dëshmitarë nuk kanë përmendur asnjërin nga të akuzuarit në çfarëdo konteksti që ndërlidhet me aktakuzën… pres që kjo aktakuzë thjesht të bie dhe të mos konfirmohet…Sipas dinamikës së deritashme të gjykatës, pres që përfundimi i gjykimit të ndodhë në fund të nëntorit, ose në gjysmë të dhjetorit, apo edhe në fund të dhjetorit, vërtetë saktë nuk dihet”, ka thënë për Kosovapress Pantoviq.

Në anën tjetër, Milena Ivanoviq, bashkëshortja e të akuzuarit Oliver Ivanoviq, ka thënë për Kosovapress se gjykimin e deritashëm ndaj bashkëshortit të saj e sheh si një turp të madh nga ana e EULEX-it dhe se pret që gjatë javës së ardhme bashkëshortit të saj t’i mundësohet mbrojtja në liri.

Ivanoviq: Gjykimi, turp i madh i EULEX-it

“Gjykimin e deritashëm e shoh s i një turp të madh të EULEX-it për shkak se asnjëri nga dëshmitarët të cilët i kemi dëgjuar deri tani nuk e ka ngarkuar ose ndërlidhur me ngjarjet për të cilat akuzohet. Unë shpresoj se Këshilli që në javën e ardhme do të bie vendimin dhe që përfundimisht t’i mundësojë mbrojtjen në liri… Në fillim nuk kemi qenë shumë të sigurt, por tani që kemi parë se si po shkojnë gjërat, jemi të bindur që ky është absolutisht një proces politik… Ne kemi leje nga gjyqi dhe vizitojmë për çdo ditë Oliverin në spital, ai aktualisht është mirë, mirëpo gjendja e tij në përgjithësi është kritike, pas 19 muajsh në burg ai duhet të jetë vazhdimisht nën mbikëqyrjen e mjekëve, edhe sot në gjykatore është prezent ekipi mjekësor i cili mbikëqyr gjendjen e tij, autoambulanca ndodhet para ndërtesës së Gjykatës, dhe mua më vjen mirë që Këshilli gjyqësor i EULEX-it ka lejuar që Oliveri të vij nga spitali, sepse ndryshe, për çfarëd o që do të kishte ndodhur rreth gjendjes së tij shëndetësore, unë do ta fajësoja ekskluzivisht EULEX-in”, ka thënë Ivanoviq.

Gjykimi vazhdon të mërkurën me dëshmitarët Hava Sejdiu dhe Myrvete Hoxha. /KP/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu