Ç’ju ka bërë Peza, zotërinj politikanë?

0
741

Këtë vit, Peza feston 70-vjetorin e konferencës historike, në të cilën u hodhën dikur themelet e LANÇit. Peza, lufta e popullit të kësaj zone, si dhe figura simbol e patriotit që krijoi të parën çetë antifashiste në Europë, Myslim Peza, janë krenaria legjitime e komunitetit të këtij fshati historik. Por kontrasti evidentohet frikshëm, kur ballafaqon prapambetjen e kësaj zone, me zhvillimin e zonave të tjera të Shqipërisë. Duke përmendur gjërat që nuk u bënë kurrë realitet në 22 vjet demokraci në Pezë, do të konstatonim indiferentizmin e tmerrshëm të politikanëve e pushtetarëve ndaj disa objektivave jetësorë për këtë zonë. Së pari: rruga, e cila është vetëm 6 km, nga aksi nacional deri në qendër të Pezës. Sa herë janë bërë votimet, njerëzit e kësaj zone e kanë renditur si objektiv të parë çështjen e rrugës. Por, edhe pse kështu, ajo kurrë nuk u rregullua, nuk u asfaltua, nuk u bë një rrugë me parametra normalë. Rruga e Pezës vazhdon të mbetetme asfaltin e kohës së monizmit, ku gropat e hapura gati në gjithë gjatësinë e saj, të krijojnë bindjen se po shkon drejt një zone të harruar, të braktisur, që nuk e ka parë kurrë afër dorën e përkujdesjes së shtetit. Së dyti: Peza dikur kishte ujë, çdo ditë pa ndërprerje. Sot ky shërbim është gati i asfiksuar totalisht. Uji mund të vijë vetëm një herë në 4 apo 5 ditë. Dhe vetëm nga një gjysmë ore. Në 22 vjet demokraci, kërkesat e komunitetit pezak për rrugën dhe ujin nuk kanë rreshtur. Por heshtja e politikanëve e pushtetarëve ka qenë një avaz i njohur. Çfarë ju ka bërë Peza zotërinj politikanë, që silleni me të në këtë mënyrë? Ne e shohim me vend që përmes kësaj letre të hapur t’ju rikujtojmë juve se kjo zonë dhe ky komunitet ka patur dhe ka disa veçori që duhen marrë në konsideratë, gjithsesi. Fatkeqësisht, Peza dhe populli i kësaj zone është i dënuar prej politikanëve të këtij vendi me paragjykim e harresë. Populli i Pezës nuk duhet të braktiset. Lufta e klasave dhe persekutimi me errësirën e harresës nuk mund të kenë vend në shoqërinë demokratike që pretendojmë të ndërtojmë. As Peza dhe asnjë fshat tjetër i Shqipërisë nuk mund të paragjykohet. As se voton majtas, as se voton djathtas. Populli është popull. Ai zgjedh në drejtim ata politikanë që do dhe që mendon se janë më të mirët, por edhe nuk mund t’i falë kur ata nuk përmbushin synimet elektorale. Por, ja që këtu zhgënjimi ka arritur kulmin. Një rrugë vetëm 6 kilometra e gjatë, që në vetvete nuk është asgjë për buxhetin e shtetit. Por jo vetëm rruga, çfarë është investuar në Pezë këto vite nga buxheti i shtetit? Peza ironikisht vazhdon të mbetet “zonë e harruar”, askush nuk e di se për inatin e kujt. Askush nuk e di se përse pushtetarët dhe politikanët i mbajnë mëri asaj. Kjo situatë absurde duhet të marrë fund. Populli i Pezës pret një përgjigje pas botimit të kësaj letre të hapur. E pret përgjigjen nga shteti, qeveria, deputetët e politikanët e këtij vendi.

Ismail Hoxha
Xheladin Çelmeta
Sherbet Zgura
Arjan Rugjii

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu