Deçani, Shqiptarët të pa zot karshi nderkombtarve

0
585

Dikur ka qenë e populluar nga mijëra fëmijë e të rinj jo vetëm nga Kosova, por edhe nga vende tjera të ish-Jugosllavisë dhe Evropës, të cilët përveç kënaqësisë e argëtimit gjenin edhe shërim. Sot, Pushimorja e Fëmijëve dhe të Rinjëve “Pishat e Deçanit” në Deçan lëre që nuk ofron asgjë nga ato që ka ofruar dikur, por që nga pas lufta është lokacion ku ende nuk ka guxuar të futet askush, të paktën as për ta bërë një fotografi.

Sipas qytetarëve të Deçanit, pushimorja në Deçanin turistik për momentin ka mbetur peng e kërkesave të manastirit të Deçanit dhe të qeverisë serbe të Beogradit, të cilët kanë deklaruar së vendosja e fëmijëve dhe të rinjëve në këtë qendër turistike rrezikon manastirin dhe për te krijon një pasiguri!

“Pas lufte, KFOR-i italian ka deklaruar se është zonë e minuar dhe asnjëherë nuk është lejuar qasja në të, edhe pse deri në atë pjesën ku janë hotelet është rruga e asfaltuar dhe çdo gjë është e urbanizuar“, tregon Curr Mazrekaj, një gazetar deçanas, i cili në shkrimet e tij e ka trajtuar me dhjetra herë çështjen e pushimores.

Fajtorë – ndërkombëtarët

Edhe Adem Lushaj nga shoqëria civile thotë se fajtor për bllokimin e pushimores është kryesisht politika ndërkombëtare, favorizuese ndaj interesave të manastirit, institucion i cili sipas Lushajt është fajtori kryesor për gjendjen e krijuar, me pasojë ngecjen e madhe ekonomike të komunës së Deçanit.

“Ne çdo herë e kemi konsideruar manastirin e Deçanit si vlerë të kulturës sonë dhe e kemi ruajtur e do ta ruajmë si vlerë të kulturës sonë. Mirëpo manastiri fatkeqësisht nuk e ka lujatur at rol të cilin është dashur ta luajë, pra ta ndihmojë popullatën e kësaj ane për zhvillim sa më të shpejtë ekonomik. Manastiri e ka bërë të kundërtën, duke dalë si pengesë e zhvillimit tonë dhe për fat të keq ka krijuar një urrejtje tek qytetarët, të cilët më nuk po e shohin manastirin si institucion fetar e kulturor, por po e shohin si një institucion politik, i cili po ndikon negativisht në zhvillimin e Deçanit”, thotë Lushaj.

Lushaj shton se bllokimi 14-vjeçar i pushimores ka penguar zhvillimin e shumë proceseve në Deçan, duke filluar nga pamundësia e shfrytëzimit të shumë resurseve natyrore që do të zhvillonin turizmin dimëror, veror dhe atë tranzit, po e pengon hotelerinë, si njërën ndër shtyllat kryesore bashkë me bujqësinë, po e pengon ndërtimin e rrugës Deçan – Plavë dhe lidhjen e shpejtë me bregdetin malazias si dhe shumë element tjerë me ndikim pozitiv për Deçanin.

Nga ana tjetër, edhe zyrtarët komunalë të Deçanit thonë se mosshfrytëzimi i kapaciteteve të pushimores i ka sjellur dëme ekonomike të pallogaritshme Deçanit.

“Pushimorja është i vetmi kapacitet në komunën e Deçanit që ka mbetur e pashkatërruar nga lufta e që ka pasur mundësi të funksionojë, sepse gjithçka ka qenë e gatshme. Janë pesë objekte me rreth 550 shtretër, me teatër fushor, fusha sporti e gjithçka tjetër të nevojshme për të funksionuar pa problem, prandaj mosfunksionimi i këtij kompleksi i ka sjellur Deçanit humbje të pallogaritshme ekonomike”, ka thënë Halil Tolaj, drejtor komunal për Zhvillim Ekonomik.

Tolaj tregon edhe për një rast kur KFOR-i Italian ka provuar ta rifunksionalizojë pushimoren, por një gjë e tillë është refuzuar nga vendorët, pasi është vërejtur tendeca që pushimores t’i ndërrohet në tërësi identiteti dhe fushveprimi.

“Në vitin 2010 KFOR-i pati kushtëzuar që pushimorja t’i jepet me koncesion për një periudhë 30-vjeçare Caritas-it italian. Komuna pati dhënë pëlqim, por për një afat më të shkurtër. Në fakt, programi i tyre nuk ka qenë atraktiv për Deçanin, sepse kanë dashur ta bëjnë një qendër pelegrinazhi për nevojat e veta, më tepër si institucion fetar sesa për atë që është e dedikuar. Nuk është arritur pajtueshmëri dhe ka pasur mjaft kërcënime prej KFOR-it. Tani situata vazhdon të mbetet e njëjtë dhe aty edhe më tutje, pa ndonjë arsye, qëndron kontigjenti prej jo më shumë se 5-6 ushtarësh të KFOR-it. Presim që dikur të mbisundojë arsyeja dhe ky vend t’i kthehet komunës”, ka treguar drejtori Tolaj.

Ç’bënë vendorët?

Duke e cilësuar situatën si tejet të kompikuar, gazetari dhe aktivisti i shoqërisë civile Adem Lushaj, nuk i ka kursyer kritikat edhe për pëfaqësuesit e institucioneve qendrore e lokale. Ai ka thënë se institucionet e vendit po vazhdojnë të heshtin dhe të flenë përballë këtij problemi kaq madhor jo vetëm për Deçanin, por për tërë Kosovën.

“Situata me pushimoren, por edhe me hotelin ‘Iliria’ dhe Fabrikën për përpunimin e mjaltit ‘Apiko’ është aq keq, saqë është dashur reagimi i shoqërisë civile me protestat që janë mbajtur disa herë rradhazi muaj më parë e që pritet të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Në fakt, më së paku është dashur që shoqëria civile të mirret me këtë çështje, por një gjë e tillë ka ndodhur pasi e kemi parë që institucionet tona kanë fjetur vazhdimisht dhe po vazhdojnë të flenë sa i përket kësaj çështjeje dhe nuk janë preokupuar fare me të”, ka thënë Lushaj.

Por, një gjë e tillë mohohet nga zyrtari komunal Halil Tolaj, i cili insisiton se komuna nuk ka reshtur së kërkuari të drejtën për menaxhimin dhe shfrytëzimin e të gjithë pronave të bllokuara.

Angazhimin e institucioneve lokale në këtë drejtim, e ka konfirmuar edhe eksperti juridik Ismet Kukleci, i cili mirret me këtë çështje në aspektin profesional.

“Komuna është aktive me të gjitha mekanizmat e vet të cilat i takojnë edhe në aspektin ligjor, por përkundër kësaj, ky institucion dhe Deçani në tërësi është i diskriminuar në aspektin e së drejtës. Megjithatë, komuna e Decanit nuk do të pushojë së kërkuari për të drejtën e vet që e ka me bazë ligjore. Nëse ka nevojë kjo çështje do të shkojë edhe në Gjykatën Kushtetuese, por edhe në Gjykatën e Strasburgit. E drejta është në anën tonë e argumetuar me prova shumë të fuqishme”, ka thënë juristi Kukleci.

Deçanasit po frikësohen se me pushimoren do të ndodhë i njejti skenar sikurse ka ndodhur edhe me rreth 22 hektarë toka, pronë të Hotelit “Iliria” dhe Fabrikës për përpunimin e mjaltit “Apiko”, të cilat me vendim joligjor dhe tërësisht politik i janë falur manastirit të Deçanit, bazuar në një dhurim që shteti okupator serb i kishte bërë këtij institucioni fetar.

Deçanasit me të drejtë frikësohen se ashtu sikurse me rastin e këtyre dy ndërmarrjeve, faljen e pronës të së cilave tashmë e ka “vërtetuar” edhe dhoma e veçantë e Gjykatës Supreme, e njëjta gjë mund të ndodhë edhe me pushimoren, pasi fare lehtë mund të “lindë” ndonjë dokument kinse edhe kjo tokë është pronë e manastirit apo i është falur këtij institucioni nga pushteti i atëhershëm serb.

Pushimorja e fëmijëve dhe të rinjëve “Pishat e Deçanit” në Deçan është objekti me i vjetër dhe më i vizituar i këtij lloji në Kosovë, ndërsa ka filluar të punojë që nga viti 1932, atëbotë kryesisht për shërimin dhe rimëkëmbjen e fëmijëve të sëmurë.

 

Nga: Artan Z. Haraqia

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu