Demaçi: Bashkimi kombëtar nuk bëhet me fjalë

0
914

Adem Demaçi, politikani nga Kosova, i cili ka kaluar 29 vite të jetës në burg për shkak se luftoi për të drejtat e shqiptarëve në Jugosllavi, vlerëson se Bashkimit Kombëtar po keqpërdoret për qëllime elektorale, pasi që të dyja forcat politike kryesore në Shqipëri, “kanë çështjen e pushtetit në rend të parë”.

“Njëra flet për interesin kombëtar por nuk ishte interesi kombëtar të na vinte Janullatosi e të na e merrte kishën të cilën me zor e liruam. Nuk është në interesin kombëtar të rehabilitosh Zogun, i cili ka bërë 100 të zeza kundër kombit të vet. Bëhet marrëveshja me Greqinë i jepen 500 kilometra katrore det. Në kohën kur duhet të votohen disa ligje që i kërkon Evropa këta thonë jo, e kemi punën e Fierit dhe ajo është më e rëndësishme se puna kombëtare. Me fjalë të tjera, asnjëra palë nuk dallon nga tjetra. Që të dyja e kanë çështjen e pushtetit në rend të parë pastaj nëse mbetet gjë kanë interesin kombëtar”, shprehet ai.

Demaçi nënvizon se keqpërdorimi arrin deri aty sa edhe ato hapa për të cilat nuk ka asnjë pengesë nuk ndërmerren. “Evropa nuk të thotë pse bashkon ekonominë. Një mafie e ka mbështjellë Salën dhe ajo nuk e len të hapen këto e të qarkullojnë. Bashkimi kombëtar nuk bëhet me fjalë, me britma e me piskama”, thotë ish-zëdhënësi politik i UÇK-së.

Ai kritikon kryeministrin Berisha për “pastrimin” e figurës së Zogut duke thënë se e ka bërë këtë gjë për të fituar disa vota nga qarqe “zogiste” në SHBA. “Nuk është në interesin kombëtar ta rehabilitosh Zogun i cili ka bërë 100 të zeza kundër kombit të vet” pasi ai thotë Demaçi ai vrau atdhetarë të mëdhenj shqiptarë, thotë ai në një intervistë për portalin “LajmiFundit”. Por pavarësisht kësaj situate, Demaçi thekson se, “bashkimi do të bëhet por a do të bëhet shpejt apo më ngadalë varet shumë nga lojtarët që kemi në skenën politike dhe shpejtësia e vetëdijesimit të popullit tone”.

“Populli shqiptar e ka të drejtën e Zotit, të drejtën praktike që të bashkohet. Ne jemi të ndarë në gjashtë copa. Është tragjedi e madhe që ata që janë në pushtet, në të gjitha hapësirat që përpiqen t’ia nxjerrin sytë njëri-tjetrit për të hipur apo mbetur në pushtet”, shprehet Demaçi.

Nga Florenc Stafa

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu