Demarkacioni, vështirë të procedohet

0
609

Qeveria e Kosovës vështirë se do ta riprocedojë këtë javë në Kuvend Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi, duke marrë parasysh mossigurimin e votave të nevojshme të deputetëve. Edhe zyrtarë të lartë të Kuvendit të Kosovës kanë thënë se ende nuk kanë marrë një konfirmim të qartë nga kryeministri Mustafa nëse do ta procedojë këtë javë Demarkacionin.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë për “Zërin” se ende nuk kanë marrë mesazh nga kryeministri për riprocedim të Marrëveshjes së Demarkacionit si pikë emergjente në seancën e së mërkurës. “Asgjë nuk kam në tavolinë. Ende s’e kemi marrë ndonjë konfirmimin se kjo marrëveshje mund të jetë në diskutim në seancën e së mërkurës”, ka thënë Haliti.

Numri dy i Kuvendit ka pranuar se legjislativi do ta fusë në rend dite pikën për Demarkacionin nëse një gjë e tillë kërkohet nga shefi i Qeverisë. “Z. Mustafa e ka të drejtën të kërkojë nga Parlamenti që Marrëveshjen e Demarkacionit ta fusë në rend dite si pikë të jashtëzakonshme. Parlamenti brenda 24 orëve e diskuton çështjen. Nëse kërkon kryeministri që kjo pikë të hyjë si pikë emergjente, ajo do të hyjë”, ka potencuar Haliti.

Megjithatë, nënkryetari i Kuvendit shprehet skeptik se kjo Marrëveshje do të kalojë në Kuvend. “Unë nuk kam bërë kalkulime për këtë Marrëveshje, por jam skeptik që kjo mund të kalojë”, ka thënë ai.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu