Deputet në Parlamentin e Kosovës pa përgaditje Poltike

0
626

Legjislatura e IV-të, që cilësohet se ka ardhur me vota të vjedhura do të mbahet mend për një kohë të gjatë, si nomenklatura e deputetëve më joseriozë dhe të papërgjegjshëm karshi zgjedhësve të tyre, saqë Kuvendin e Kosovës e kanë shndërruar në një institucion pa integritetet, pa fuqi vendimmarrëse që dita-ditës po i humb atributet e një institucioni përfaqësues.

Jo rrallë herë ka ndodhur, madje kjo duket se është bërë edhe “trip” që rrjedhat e seancave plenare të “përmbysen” pikërisht për mungesë të kuorumit nga deputetët që përbëjnë mazhurancën.

Ky fenomen i parlamentare nga monitoruesit e punës së legjislativit nuk shpjegohet ndryshe vetëm si një papërgjegjësi totale e deputetëve karshi zgjedhësve të tyre, por edhe devijim nga roli dhe detyrat që i obligon mandati kushtetues. Të paktën ky është vlerësimi që e ka dhënë analisti Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës, i cili i përcjell punimet e Legjislativit.

“Mungesat e vazhdueshme e deputetëve në seanca plenare, gjithnjë e më tepër po dëshmon se kjo legjislaturë ka devijuar nga roli dhe detyrat që i obligon mandati i tyre përfaqësues. Kjo po ashtu po tregon për një sjellje të papërgjegjshme dhe fyese që kjo klasë politike po ua bën votuesve të tyre”, ka thënë ai. Sipas tij, pjesa dërmuese e deputetëve nuk i kuptojnë detyrat dhe obligimet që dalin nga vota e qytetarëve dhe nga obligimet kushtetuese.

”Dhe, kjo nxjerr automatikisht në përfundimin se këta përfaqësues të zgjedhur, pozitën e deputetit e kuptojnë vetëm si një mundësi për të shijuar lukset dhe benefitet që ofron kjo pozitë, dhe assesi si një mundësi dhe përgjegjësi për përfaqësim të interesave të qytetareve, qoftë duke marrë pjesë në proceset e ligjbërjes apo edhe të mbikëqyrjes se institucioneve ekzekutive”, ka thënë Selmanaj.

Megjithëse, Rregullorja e Punës së Kuvendit të Kosovës nuk parasheh sanksione të mëdha për deputetet, të cilët nuk marrin pjesë nëpër seanca plenare përveç heqjes së mëditjeve, analisti i KDI-së konsideron se masa më e ashpër ndëshkuese duhet të vije nga zgjedhësit e tyre, duke mos i votuar ata në mandatet e ardhshme.

Nga ana e tij, sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi konfirmon se deputetët për pjesëmarrjen e tyre në seanca brenda muajt paguhen 240 euro shtesë nga paga mujore që marrin, sikurse marrin meditje nga 160 euro tjera për punën që bëjnë nëpër komisione. Sipas tij, në rastet kur deputetët nuk marrin pjesë në një seancë plenare, atëherë automatikisht iu hiqet mëditja.

“Masa e vetme që ndërmerret ndaj deputetëve, të cilët s’marrin pjesë nëpër seanca plenare është heqja e mëditjeve. Masa tjera nuk ekzistojnë për ligjvënësit, pasi që një gjë e tillë është e përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë ai.

Megjithatë, Rregullorja e Punës së Kuvendit parasheh që nëse një deputet nuk merr pjesë në seanca plenare gjashtë muaj rresht, atëherë i merret mandati, gjë që deri më tani nuk ka ndodhur.

Ndërkaq, për deputetin e partisë në pushtet, Behar Selimin, dënimi kryesor për ligjvënësit që nuk marrin pjesë në seanca plenare është heqja e mëditjeve, edhe pse sipas tij, deputetët nuk do të duhej të ishin të atakuar nga sanksionet, por do të duhej të ishin të ndërgjegjshëm.

“Shkaktimi i mungesës së kuorumit gjatë punimeve të Kuvendit, mendoj se nuk është sjellje e hijshme për vetë deputetët”, ka thënë ai. Mirëpo, deputeti i të gjitha legjislaturave nga radhët e LDK-së, Eqrem Kryeziu, konsideron se duhet caktuar koha e votimit të ligjeve, pasi që siç thekson ai, “askush s’mund të më detyrojë mua që të qëndrojë në seancë në kohën kur bëhen debate lidhje e pa lidhje dhe pa ndonjë interes”.

Megjithatë, ai është ithtar i heqjes së mëditjeve për deputetet që nuk janë të pranishëm në seanca plenare, me të cilën gjë thotë se është “atakuar”. “Kur s’kam marrë pjesë në seancë më është heq mëditja. Kjo është krejt në rregull”, ka thënë ai, duke shtuar se janë të pajustifikueshme rastet kur deputetët qëndrojnë nëpër kafiteri, duke bërë muhabete dhe me mospjesëmarrjen e tyre në Kuvend shkakton mungesë kuorumi.

Ndërsa për deputetin e Vetëvendosjes, Florin Krasniqin, mosprania e deputetëve gjatë seancave plenare, është rezultat i asaj që deputetët e shumicës kanë ardhur në Kuvendit me vota të vjedhura dhe në këtë drejtim janë të papërgjegjshëm.

“Deputetet e PDK-së qëndrojnë në seanca vetëm kur kanë me ba naj sherr dhe naj punë të keqe në dëm të Kosovës. Prandaj, do të ishte mirë që ata të dënohen me lekë, aty ku iu dhëmb më së shumti. Pra, duhet më i prek në kuletë, dhe besoj se kjo prekja e kuletës do të kishte sukses”, është shprehur Krasniqi.

 

Nga Lumturie Blakaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu