Deputetët e PD-së nisin sot gjyqin ndaj Kreshnik Spahiut

0
531

TIRANË- Komisioni i Ligjeve do të shqyrtojë sot kërkesën e 28 deputetëve të Partisë Demokratike për ngritjen e komisionit hetimor për hetimin e punës së nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu. Në axhendën e Kuvendit është parashikuar që sot anëtarët e Komisionit të Ligjeve të diskutojnë për legjitimitetin apo jo të kërkesës së deputetëve të djathtë. Në mbledhje pritet që të jetë i pranishëm edhe nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu dhe kjo mund të shoqërohet me debate të ashpra ndërmjet demokratëve dhe socialistëve.

Të kontaktuar në telefon, deputetët e majtë pohojnë praninë e tyre në mbledhjen e sotme. Deputetët socialist priten që të kundërshtojnë ngritjen e komisionit hetimor për numrin dy të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ata shprehen se do të votojnë kundër nismës së kolegëve të djathtë si në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ligjeve, ashtu edhe në seancë plenare kur të hidhet për votim propozimi. Ende nuk dihet nëse deputetët e majtë do të pranojnë të jenë pjesë e komisionit hetimor.

Komisioni do të përbëhet nga 9 anëtarë, 5 do të jenë nga maxhoranca parlamentare dhe 4 nga opozita, ku kryetari do t’i përkasë demokratëve si grupimi që ka kërkuar komisionin. Sipas mazhorancës, komisioni gjatë veprimtarisë së tij do të verifikojë të dhënat, faktet dhe rrethanat për aktet dhe sjelljet që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e postit të lartë kushtetues të zëvendëskryetarit të KLD-së dhe që përbëjnë shkak ligjor për shkarkimin e tij nga detyra. Në nismën e tyre, deputetët e djathtë akuzojnë nënkryetarin e KLD-së, Kreshnik Spahiu ka abuzuar në mënyrë flagrante me kompetencat që i jep Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe ushtrimi i tyre si presion ndaj Gjyqësorit dhe veprimtarisë së tij kushtetuese, në favor të platformave të caktuara politike.

“Zëvendëskryetari i KLD-së ka ushtuar presion të një natyre politike mbi veprimtarinë gjyqësore, duke abuzuar me tagrin e tij dhe të KLD-së. Ai ka angazhuar KLD-në dhe sistemin e drejtësisë në funksion dhe në shërbim të tezave të veta politike. Shqetësimet e Kuvendit të Shqipërisë për gjendjen e Gjyqësorit, luftën ndaj korrupsionit, paanësisë në gjykim, transparencën, të shprehura në rezolutat e përvitshme të Kuvendit për sistemin e drejtësisë apo në rezolutat për integrimin europian të Shqipërisë, me dashje janë anashkaluar dhe zëvendësuar me veprime dhe qëllime tërësisht të një axhende politike personale”,- thuhet në kërkesën e grupit të deputetëve të PD. Si një anëtar i propozuar nga parlamenti, deputetët e djathtë theksojnë se Kreshnik Spahia, duhet të përçonte në Këshillin e Lartë të Drejtësisë frymën e shumicës. Kryeministri ka akuzuar nënkryetarin e KLD Kreshnik Spahiu për mbështetje të presidentit Bamir Topi duke u shprehur se pas AK, fshihet partia e kreut të shtetit.

Por vetë Berisha ka pranuar se shkarkimi i Kreshnik Spahiut ka shumë pak gjasa që të ndodhë. “Ka pasur prej tyre që kanë deklaruar se Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk do t’ia heqë mandatin këtij aventurieri dhe sharlatani. Mundet, sepse ai këtë aktivitet e ka të bashkërenduar me kryetarin, por ne bëjmë detyrën tonë”,- është shprehur Berisha dy ditë më parë duke parashikuar dështimin e nismës së demokratëve.

 

Kreshnik Spahiu në Kuvend

I pranishëm në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve pritet që të jetë vetë nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu. Edhe rregullorja e Kuvendit lejon që në mbledhjet e komisioneve mund të marrin pjesë pa të drejtë vote deputetë që nuk janë anëtarë të tij, anëtarët e Këshillit të Ministrave, si dhe persona të tjerë të ftuar nga komisioni. Nënkryetari i KLD-së ka deklaruar se është i pamundur mbarimi i mandatit. Edhe nëse mazhoranca do të arrinte që të merrte 71 vota, propozimi i Kuvendit do t’i përcillej Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Do të ishin anëtarët e tij që do të vendosnin nëse do të shkarkohej, ndonëse ligji për organizmin e KLD flet vetëm për mbarim të afatit pesë vjeçar të anëtarëve të tij. Vetë Spahiu tha dje se i ka ardhur thirrja nga Kuvendi në formë elektronike.

 

Akuzat e PD për Kreshnik Spahiun

Ka kryer akte dhe sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e zëvendëskryetarit të KLD-së, si dhe dhunojnë rëndë dinjitetin dhe pavarësinë e KLD-së.

Ka devijuar nga funksioni kushtetues dhe e ka zëvendësuar atë me veprimtari politike të papajtueshme me detyrën. Kushtetuta i kërkon zëvendëskryetarit të KLD-së të përfaqësojë në publik institucionin kushtetues, dhe jo interesa grupazhi politik.

Ka abuzuar në mënyrë flagrante me kompetencat që i jep Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe ushtrimi i tyre si presion ndaj Gjyqësorit dhe veprimtarisë së tij kushtetuese, në favor të platformave të caktuara politike. Zëvendëskryetari i KLD-së ka ushtuar presion të një natyre politike mbi veprimtarinë gjyqësore, duke abuzuar me tagrin e tij dhe të KLD-së. Ai ka angazhuar KLD-në dhe sistemin e drejtësisë në funksion dhe në shërbim të tezave të veta politike.

Është larguar me misione afatgjata dhe në mënyrë të përsëritur, në funksion të axhendës politike, pa leje të autoriteteve eprore sipas ligjit, gjë që ka dëmtuar rëndë veprimtarinë e institucionit.

 

 

Spahiu: Berisha e Thaçi, faqja e zezë e historisë së Shqipërisë

Teksa deputetët e djathtë po bëjnë të pamundurën që të kalojnë me procedurë të përshpejtuar komisionin hetimor për Kreshnik Spahiun, vetë nënkryetari i KLD-së është përgjigjur në mënyrë indirekte nga qyteti i Krujës. Teksa ka marrë pjesë në një tubim të Aleancës KuqeZi , Kreshnik Spahiu u shpreh se ka ardhur dita që e ardhmja të ketë dy ngjyra ato kuqezi. “Ashtu si pesë shekuj më parë kur Gjergj Kastrioti luftoi kundër sulltanëve për të na çuar drejt Europës, është mision i kuqezinjve tashmë për t’u ndeshur me sulltanët e Anadollit të ri dhe që na kanë lënë jashtë Europës”,- tha Spahiu.

Pas kësaj lideri i Aleancës sulmoi në mënyrë direkte kryeministrat Berisha dhe Thaçi si të vetmit shqiptarë që nuk duan bashkimin me Kosovën. “Ata janë faqja e zezë e historisë së Shqipërisë, ata janë faqja e zezë kundër bashkimit kombëtar. Sot nuk e gjen asnjë nga 10 milionë kuqezi që të jetë kundër bashkimit me Kosovën, me përjashtim të dy kryeministrave në Tiranë dhe në Prishtinë. Ju ftoj të gjithëve të nënshkruajmë një milion kuqezi kontratën me popullin shqiptar me betimin “Gjergj Shqipërinë do ta bëjmë kuqezi”,- tha Kreshnik Spahiu. Në këtë mbledhje Aleanca paraqiti edhe një program me dhjetë pika për rimëkëmbjen e vendit, të cilin e ka titulluar “Shqipëria bëhet”.

 

Luis Tanushi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu