Deputeti gjerman i PE-së kërkon përgjegjësi politike dhe sundim të ligjit në Kosovë

0
107
Deputeti gjerman i PE-së kërkon përgjegjësi politike dhe sundim të ligjit në Kosovë

Raportuesi i Asamblesë Parlamentare i Këshillit të Evropës (APKE-PACE), Peter Beyer, ka kërkuar përgjegjësi politike dhe sundim të ligjit nga Kosova në këtë kohë të pandemisë dhe krizës politike që po mbretëron në vend.

Deputeti gjerman i PE-së, Beyer, anëtar i partisë CDU të kancelares Angela Merkel, ka thënë se populli i Kosovës është goditur rëndë nga kriza aktuale me koronavirusin, sikurse edhe shumë vende tjera nëpër botë.

Ai ka shprehur dhembshurinë e tij për të prekurit nga kjo krizë, ndërsa ka mirëpritur koordinimet e kohëve të fundit ndërkomunitare dhe ndërkufitare, si dhe solidaritetin e treguar mes profesionistëve kryesorë shëndetësorë dhe zyrtarëve, përtej dallimeve etnike dhe politike.

Megjithatë, Beyer tha se Kosova gjendet edhe në mesin e një krize politike e kushtetuese që nga rrëzimi i qeverisë me votë mosbesimi në fund të marsit, pikërisht në kohën kur kriza me COVID-19 po shpërfaqej.

Presidenti Hashim Thaçi dekretoi formimin e një qeverie të re koalicioni, pa zgjedhje të reja, por ky dekret, sipas Beyerit, u sfidua nga kryeministri në detyrë në Gjykatën Kushtetuese, e cila, më 1 maj, pezulloi dekretin deri më 29 maj.

“Në këtë situatë dramatike është qenësore për të ardhmen e Kosovës dhe popullit të saj të sigurohen kontrollet dhe pushtetet (balancimi i pushteteve). Kjo vlen në veçanti për një Kuvend plotësisht funksional dhe për një sistem të pavarur kushtetues gjyqësor”, tha Beyer, transmeton “Zëri”.

Ai kërkoi me ngulm nga të gjithë përgjegjësit politikë në Kosovë, e edhe nga drejtësia, që të veprojnë ekskluzivisht për interesat e qytetarëve dhe në pajtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

“Besoj po ashtu se të gjithë në Prishtinë janë udhëzuar nga sundimi i ligjit dhe garanton parimet e proporcinalitetit në raport me të gjitha masat e nevojshme për t’u ballafaquar me pandeminë dhe me krizën aktuale politike, gjithmonë duke pasur parasysh punën në pajtim me standardet e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që janë pjesë e sistemit vendor ligjor”, përfundoi deputeti gjerman i Parlamentit Evropian, Peter Beyer.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu