“Der Tagesspigel” Hashim Thaqi i perlyer në Krimin e Organizuar

0
828

Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, i janë refuzuar njëzeteshtatë kërkesa për vizita në vende të ndryshme dhe takime me burrështetas të ndryshëm. Kështu shkruan gazeta gjermane “Der Tagesspigel” në një artikull të gjatë për Kosovën, në të cilin shtetin më të ri në Ballkan e paraqet si vend me probleme të shumta dhe me qeveri të korruptuar.

Sipas kësaj gazete prestigjioze, vizitat nga shtetet e ndryshme janë refuzuar për shkak të dyshimeve se i pari i Qeverisë së Kosovës është i përlyer në krim të organizuar.

“Njëzeteshtatë kërkesa ka bërë Qeveria e Kosovës, por të gjitha janë hedhur poshtë”, thuhet në artikullin, të cilin gazetarët gjermanë e kanë realizuar pasi kanë qëndruar disa ditë në Kosovë.

Por, për qeveritarët e Kosovës duket i parëndësishëm ky artikull. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, të mërkurën ka refuzuar ta komentojë artikullin në fjalë.

“Nuk e kam lexuar. Meqenëse nuk e kam lexuar, nuk mundem as ta komentoj”, ka thënë shkurt ai.

Ndërkaq, për anëtarët e partive opozitare artikulli i gazetave gjermane paraqet anën e “padukshme” të Qeverisë së Kosovës, dhe izolimin ndërkombëtar në të cilin, sipas tyre, ndodhet vendi.

***

Deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Florin Krasniqi, thotë se sikur të shikohet luksi i kryeministrit Thaçi mund të vërehet se ky person nuk jeton vetëm nga një pagë mujore, por është i pranishëm në biznese të ndryshme, përfshirë edhe ato kriminale.

“Hashim Thaçi vjen në seanca të Kuvendit me kravatë ‘Hërmens’ që kushton prej treqind deri në pesëqind euro. Vetëm një kriminel, ose një biznesmen miliarder mund të vërë asolloj kravate. Unë mendoj se Hashimi është në kategorinë e parë, edhe bota e mbarë e di se Hashimi është një kriminel ordiner”, shprehet Krasniqi.

Ai pohon se ka fakte dhe prova të mjaftueshme për përfshirjen e kryeministrit në krim të organizuar.

“Kosova i ka dy opsione. Ose duhet ta mbajë karrierën politike kriminale të Hashim Thaçit, ose ta ndërtojë Kosovën. Të dyja nuk mund t’i bëjë. Por, ne si qytetarë duhet të vendosim, a duhet ta mbrojmë Hashim Thaçin politikisht dhe në aspektin kriminal, apo duam ta ndërtojmë shtetin demokratik të Kosovës”, thekson ky deputet.

Ndërsa deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, thotë se është fat i keq që kryeministri Hashim Thaçi e ka izoluar vendin në raport me botën.

“Ne të gjithë e kemi parë që nuk ka vizita të nivelit të lartë, Kosova po vazhdon të jetë e izoluar, normalisht për shkak të dyshimeve që kanë për punën e Hashim Thaçit. Kjo është e dëmshme, e ka dëmtuar Kosovën dhe po e dëmton”, thotë Ramadani.

Ai thekson se pavarësisht se nuk e ka lexuar artikullin e gazetës gjermane, është i sigurt se kryeministrit i janë refuzuar dhjetëra kërkesat për vizita nga udhëheqësit e shteteve të ndryshme.

Ndërkaq, analistët politikë thonë se artikujt me përmbajte të ngjashme me atë të “Der Tagesspigel”, i kontribuojnë edhe më shumë prishjes së imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Do të ishte shumë mirë që faktikisht të mos ketë shkrime të tilla në këto gazeta dhe do të ishte shumë mirë që kryeministri t’i vizitojë shumicën e vendeve anëtare kyçe, në mënyrë që ta avancojë procesin e integrimeve. Deri tash nuk e kemi parë kryeministrin që ka pasur takime intensive me vendet anëtare të Bashkimit Evropian për të avancuar agjendën e integrimeve”, thotë eksperti i integrimit evropian, Shenoll Muharremi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu