Deri kur kështu …. ?!

0
771

Se jemi populli më pacifist në botë, kjo s’ka dilemë, po e dëshmojmë përditë!? Se jemi në fund të pusit për nga vetëdija politike e morale, as kjo s’ka dilemë!? Ben Ali, Mubarak, Gadafi, Asadi e shumë të tjerë, do ta kishin dëshiruar një popull si ne. Edhe sot do të ishin shëndosh e mirë në pushtet.

Sundimi me shekuj që mbretëroi mbi ne, me sa duket na e ka mbjellë mendësinë e vazalit, nënshtrimit dhe frikës ndaj lirisë e dinjitetit dhe, ndoshta na duhet kohë shumë më e gjatë që të lirohemi nga kjo mendësi. S’ka nevojë të jesh shumë i ditur e as filozof a sociolog i zoti, që ta vëresh se me ne diçka nuk është në rregull. Ne, sikur ekzaltohemi e dëshirojmë të gënjehemi, të manipulohemi etj. Ne më tepër besojmë në fjalë se sa në vepra. Edhe varfëria e skajshme dhe problemet e shumta që sjell ajo na kanë detyruar që të mos kemi kohë dhe interesim (duke mos na lejuar që ta ngrisim kokën) për ngjarje të ndryshme madhore, që lidhen dhe kanë ndikim te ne. Të gjitha sikur po na duken normale, kur jemi në një situatë jonormale.

Ihaaa, paradokset tona s’kanë fund.

Ka shumë të atillë në Kosovë, që mendojnë se kjo kohë në të cilën po jetojmë është demokraci e liri e vërtetë dhe s’ka më tej: ”Bac u kry”. Ndërsa, nuk kuptojnë se demokracia as që kalon afër nesh.
Së pari, nuk je i lirë kur të mungojnë gjërat elementare për të jetuar. Nuk je i lirë kur tjetri t’i merr në duar kompetencat tua. Nuk je i lirë kur tjetri të shtyp duke t’i nëpëkëmbur interest tua etj. Nuk është demokraci, kur ti udhëhiqesh e sundohesh me mjete jodemokratike, kur nuk të pyet kush për asgjë, as në rastet kur kanë të bëjnë me ty. Nuk ka demokraci një vend ku nuk funksionon asnjë ligj, asnjë parim, sikur që po ndodhë në Kosovë. Liria dhe demokracia nuk kanë ndonjë kufi apo limit që të mund të themi se këtu është fundi dhe nuk mund të shkohet më tej. Ato zgjerohen e përsosen vazhdimisht, aq sa ne kujdesemi për to. Pra, shoqëria njerëzore e ka në dorë se në çfarë shkalle lirie e demokracie do të jetojmë. Dhe duhet ta dimë se demokracia mund të zbehet e të zhduket fare dhe të kalojë në diktaturë, po nuk u kujdesëm për të. Edhe Hitleri, Musolini etj., kanë ardhur në pushet në mënyrë demokratike, por e keqpërdorën demokracinë dhe pushtetin e kthyen në despotizëm e në diktaturë dhe dihen pasojat katastrofale që ndodhën me luftën e dytë botërore (1939 – 1945).

Gjithkund ku janë shqiptarët, kanë qeveri të pamoralshme, të papërgjegjshme dhe aspak demokratike, të cilat e masin dhe llogarisin ekzistencën e tyre, jo nga prizmi vendor siç do duhej të ishte, por nga prizmi ndërkombëtar. Politikat e tyre më tepër zhvillohen nga ndikimet ndërkombëtare, e fare pak nga ato vendore. Ato më tëpër kujdesen për legjitimitet ndërkombëtar se sa vendor e që do të duhej të ishte e kundërta. Edhe shumë interesa madhore kombëtare i sakrifikojnë për interesa ndërkombëtare, dhe shpeshherë pa ua kërkuar askush.
Kjo politikë asimetrike po ndikon në stagnimin tonë në çdo aspekt, duke u radhitur të fundit në rajon e më gjërë. Kjo po nodhë, sepse nuk kemi liri e demokraci sa duhet dhe nuk po luftojmë sa duhet që t’i ngrisim ato. Në vend se elitat politike ta ndjekin popullin pas, populli po detyrohet t’i ndjek ata, dhe përderisa ndodhë kjo, nuk mund të flasim për liri e demokraci të mirëfilltë.

Shembulli më tipik i të gjitha këtyre fenomeneve negative (aspak demokratike) është Kosova.
Gjithfarë “rregullash” e eksperimentesh po provohen e po zbatohen në kurriz të saj. Në Kosovë pothuajse asgjë nuk po funksionon përveç korrupsionit dhe krimit të organizuar. Protektorati aspak demokratik ndërkombëtar që është instaluar në Kosovë sikur po kontribuon që Kosova të futet në këto margjina. Ata kanë ardhur në Kosovë së pari për interesat e tyre dhe nuk u interesojnë fort gjërat e brendshme të Kosovës dhe shpeshherë edhe janë kyqur në korrupsion dhe, kjo gjë po u konvenon edhe elitave vendore pushtetare të korruptuara.
Tashmë shumica e akterëve politikë të Kosovës kanë dosjet e tyre të ndryshme e që disa veç kanë filluar të përballen me gjykata, dhe kjo gjë, pos tjerave, po ndikon edhe në nështrimin e pakusht të tyre përballë ndërkombëtarëve.
Klasa politike sunduese në Kosovë varet kryekëput nga lidhja dhe marëdhëniet e tyre me ndërkombëtarët. Qeveria tashmë e ka kuptuar se nuk mund të ndalohet as nga opozita e mjerë parlamentare, as nga shoqëria civile, shkurt nga askush në Kosovë, prandaj po zbaton në tërësi dhe pa asnjë kusht politikat dhe interesat e ndërkombëtarëve.
Është e pafalshme sjellja e opozites dhe e shoqërisë civile, të cilat në fakt nuk po bëjnë opozitë, por në heshtje po pajtohen me të gjitha proceset që po i zhvillon qeveria. Më tepër kujdesen të mos e hidhërojnë bashkësinë ndërkombëtare, (duke e ditur se pa miratimin e tyre nuk do të mund të vinin në pushtet), sesa për problemet serioze që po kalon Kosova. Ata thjesht janë shndërruar vetëm në numra (se kështu e kërkon parlamentarizmi dhe duhet të jenë aty), dhe interesat partiake i kanë vënë mbi ato kombëtare e shtetërore (fjala është për LDK-në dhe AAK-në). Kuvendit të Kosovës po i del rend të merret me shpifje, si, për “suxhuk e batanije”, duke mos i debatuar shumë problem madhore emergjente!? Ndërsa në anën tjetër “kanë fytyrë”(të gjithë) dhe nuk lënë rast pa shkuar tek varret e dëshmorëve duke shitur demagogji e cinizëm në sy të botës. Shoqëria civile e cila mvaret kryesisht nga donacionet ndërkombëtare, nuk ka se si t’u kundërvihet dhe t’i kritikojë ata, dhe nga ana tjetër është e korruptuar dhe e shantazhuar edhe nga qeveria.

Vetëvendosje po mundohet të bëjë opozitë të mirëfilltë, por është e pafuqishme të bëjë ndonjë kthesë të theksuar. Sigurisht se me këtë klasë politike, qoftë në pozitë, qoftë në opozitë, dhe me popullin pacifist e të painteresuar, e ka të pamundur të bëjë ndonjë kthesë.
Klasa sunduese në mënyrën më të poshtër po e lufton duke e shpifur e dezinformuar edhe në sytë e popullit edhe në sytë e ndërkombëtarëve, a që në fakt, Vetëvendosje është më parimore, më demokratike, më pro-evropiane se të gjitha partitë tjera.

Shumë procese të dëmshme para pavarësisë së Kosovës, por sidomos “dialogu” me Serbinë pas shpalljes së pavarësisë, po e degradojnë rëndë Kosovën, duke e vënë në pikëpyetje pavarësinë e saj. Kur menduam se më nuk ka kthim, se e varrosëm një herë e përgjithmonë Rezolutën famëkeqe – 1244, më 25 shkurt 2012 na doli se kjo është e pavërtetë. Pra, na u ngjallë “gogoli” dhe Hashim Thaçi, bashkë me të tjerët, që krekoseshin se e kanë varrosur një herë e mirë “gogolin” e sollën prapë në jetë, si në filmat fantastikë.
Realisht jemi kthyer prapë në kohën e UNMIK-ut, para vitit 2008, para shpalljes së pavarësisë. Po ta përkthejmë shul-shqip “Fusnotën” e pranuar që është si një lloj pasaporte e Kosovës i bjen se, edhe je i pavarur, edhe s’je i pavarur, ndoshta je, por ndoshta s’je i pavarur. Pikëpyetje e madhe! Që në fillim e kemi ditur se pse po bëhet ky “dialog” me Serbinë, e që klasa jonë politike nuk qe në gjendje ta parandalonte. Është bërë me të vetmin qëllim që Serbisë t’i hapej rruga e kandidatures për në Bashkimin evropian, por klasa politike e Kosovës do të duhej të interesohej dhe të mos pranonte sëpaku që ky avancim i Serbisë të mos bëhej mbi kurrizin tonë, pa asnjë përfitim. Nuk mund të arsyetohet me asgjë ky kapitullim i qeverisë së Kosovës.
Tash kanë lindur shumë pyetje e pikëpyetje!
Njëra nga pyetjet p. sh. mund të ishte: Si ka mundësi që Kosova me kaq shumë “miq” të fuqishëm, në të cilët natë e ditë thirret klasa jonë politike, të lejohet stagnimi dhe degradimi i Kosovës deri në këtë shkallë?! Një pyetje tjetër do të ishte: Çka tash me “Planin e Ahtisarit”, në bazë të të cilit u shpall pavarësia e Kosovës (17 shkurt, 2008), dhe me këtë u “tejkalua” Rezoluta-1244?! A ka garancion se edhe me këtë “Fusnotë” nuk do të përfaqësohemi edhe nga UNMIK-u? A jemi me të vërtetë të pavarur?! etj. etj.
Kur s` ke ide, strategji, platformë dhe qëndrim të vendosur politik, të tjerët edhe po deshën, nuk kanë se si të të ndihmojnë dhe natyrisht që ata i zbatojnë interesat e tyre. Dhe për ta “justifikuar” politikën e tyre dhe rrugës ta amnistojnë edhe Hashim Thaçin dhe qeverinë e tij, mundohen të na bindin se të gjitha marrëveshjet e arritura deri me tani, janë në të mirë të Kosovës, të fuqizimit të shtetësisë së saj. Për këtë, pos të tjerëve, po kujdeset edhe Ambasadori amerikan në Kosovë, Kristofer Dell (Zeusi), i cili pa u merakosur dhe në mënyrë jo parimore, bashkë me qeverinë e Hashim Thaçit, i shpallë anti-amerikanë e anti-evropianë të gjithë ata që nuk pajtohen me pranimin e “Fusnotës”. Dhe efekti është i menjëhershëm. I ka shukatur pothuajse gjithë opozitën (përveç Vetëvendosjes) dhe shumë të tjerë. Tashmë janë pajtuar edhe shumica e popullit, të cilët besojnë verbërisht në atë që thotë qeveria & co. Kontribut të madh në shpërlarjen e trurit duke ia paraqitur popullit të zezën si të bardhë po japin mediat e shumta rozë që janë nën kontrollin e qeverise dhe papagallët e tyre. Dhe ç’është e vërteta, shumica e popullsisë as nuk e kuptojnë dhe as që duan ta kuptojnë se për çka po bëhet fjalë. Më shumë janë të preokupuar dhe u interesojnë telenovelat degjeneruese që po shfaqen nëpër televizionet tona, sesa shumë procese të rëndësishme që po kalon Kosova. Bile bile, ka të atillë që edhe po të kthehej një pjesë e policisë dhe ushtrisë serbe në Kosovë, nuk iu prish punë. Kjo është si puna e barcoletës; “Kur Hysa i thotë Hasës: A ke ndëgjuar se po bëhet luftë qytetare? Hasa i përgjigjet: Punë emadhe…unë jam katundar”!

Me këtë qeveri të papërgjegjshme që nuk din as të skuqet e as të zverdhet, dhe me këtë popull pacifist dhe të painteresuar, do ta harrojmë “Fusnotën” në krahasim me kompromiset tjera që na presin, sidomos me Veriun e Kosovës, dhe çka është më e keqja, nuk ka kush t’i ndalojë. Kësaj i thonë “Luaje macë kryet e buallit”, dezintegrim kombëtar për “integrime” rajonale e evropiane. Sa më larg me Tiranën, e sa më afër me Beogradin!?
Deri kur kështu…?

Londër
29. 02. 2012

 

Shkruan: Faik Smajli

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu