Deri te liberalizimi, rrugë e gjatë

0
800

Tani kur është caktuar edhe data për fillimin e dialogut me Brukselin zyrtar për marrjen e udhërrëfyesit për liberalizmin e viziave, analistët politikë paralajmërojnë Qeverinë e Kosoës që të shtërngohet, sepse e pret një punë e madhe. Ata kanë deklaruar që Kosovën e pret një rrugë e gjatë dhe e vështirë deri në futjen e saj në zonën “Shengen”.

Madje, sipas tyre, Kosova nuk ka gjasa që t’i plotësojë kushtet më shpejt se vendet e rajonit për të marrë liberalizmin e vizave, vende të cilat kanë pritur mbi 20 muaj.

“Pas nisjes së dialogu për liberalizim vizash, Kosovën e pret një rrugë shumë e gjatë deri në futjen e saj në zonën “Schengen”, ka thënë njohësi i integrimeve evropiane, Augustin Palokaj. Sipas tij, ky proces do të zgjasë mjaft shumë, madje më shumë sesa u ka zgjatur vendeve të rajonit.

“Serbisë e Malit të Zi, ky dialog i ka zgjatur rreth 20 muaj, ndërsa Shqipërisë e Bosnjës më shumë se 30 muaj, kurse Kosovës sigurisht që do t’i duhet edhe më shumë, meqë para vetes ka për të kryer procedura shumë më të zorshme se që është kërkuar nga vendet rajonale”, ka thënë Palokaj.

Ai po ashtu sqaron, se hapja e dialogut nuk do të thotë marrja e menjëhershme e udhërrëfyesit, pra, siç thotë ai janë procedura që marrin shumë kohë.

“Me 19 janar hapet dialogu, më pastaj bazuar në përvojat e vendeve tjera nis identifikimi i kritereve, dhe ato kritere futen në udhërrëfyes, e pastaj nis zbatimi i tyre nga Qeveria e Kosovës. Kjo nuk do të thotë që procedurat për Kosovën do të jenë të njëjta me ato të rajoneve, por e sigurt është që do të jenë edhe më të vështira”, shtoi ai.

“Qysh në vitin 2009, Komisioni Evropian e pati përmendur mundësinë e hapjes së dialogut për liberalizimin e vizave, ndërsa kjo po ndodh në vitin 2012. Andaj, derisa të niste dialogu na është dashtë më shumë se dy vjet të presim, nuk jam optimist që edhe dialogu do të përfundojë shpejt”, tha ai.

Analisti tjetër Shenoll Muharremi, thotë se para Kosovës janë dy rrugë, rruga e gjatë dhe më e shkurtër.

“Kur vendet e rajonit kanë hyrë në këtë dialog, i kanë pasur të nënshkruara marrëveshjet e riatdhesimit me të gjitha vendet, ndryshe nga Kosova që nuk i ka, dhe kjo është një prej pikave, ku Kosova mund të jetë më mbrapa. Por, në anën tjetër, Kosova e ka përparësinë se ajo edhe pse nuk e ka pasur udhërrëfyesin zyrtar nga BE, në vitin 2009 është bazuar në një udhërrëfyes të adaptuar nga vetë Qeveria e Kosovë, bazuar në udhërrëfyesit e vendeve të rajonit dhe nga ajo kohë ka nisur me implementimin e disa kushteve”, tha Muharremi.

Sidoqoftë, sipas tij, nuk mund të ketë datë fikse dhe krahasime me rajonin, pasi që janë edhe shumë punë tjera që Kosovën e presin për t’i përfunduar, si çështja e integrimit të kufijve, pastaj zhvillimin ekonomiko-social etj.

“Edhe nëse i zbaton të gjitha kushtet, por Evropa e sheh që populli i Kosovës vazhdon të jetë i papunë, ajo nuk do të rrezikojë dhe të hapë dyert për ta”, tha Muharremi.

Nga ana tjetër, sipas deputetes nga Vetëvendosja, Alma Lama, aty ku Kosova do të ketë më së shumti punë gjatë kësaj rruge është riintegrimi i personave të riatdhesuar, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit.

“Ne shpresojmë që procesi në fjalë të zgjatë sa më pak, megjithatë e tëra varet nga puna e Qeverisë së Kosovës”, tha Lama.

Ajo po ashtu përmendi çështjen veri, që sipas saj, edhe pse zyrtarisht BE nuk e ka paraqitur si kriter, megjithatë, sipas informatave të cilat thotë se i posedon nga Brukseli, kjo temë mund të paraqesë problem të madh.

Se liberalizimi i vizave merr kohë të gjatë, e pranojnë edhe deputetë të shumicës parlamentare. “Dialogu nuk është një proces që kryhet për disa muaj, e as për një vit. Janë kushtet që Kosova duhet t’i përmbushë. Nuk duhet të jemi skeptikë, mirëpo, kemi shumë punë para vetes”, tha Myzejene Selmani, deputete nga KKR.

Kuçi: Nuk varet vetëm prej nesh

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi tha për “Zëri” se Kosova do të përkushtohet maksimalisht në plotësimin e kërkesave nga Komisioni Evropian, por jo e tëra varet nga Qeveria e vendit.

“Tanimë disa kritere edhe i kemi plotësuar kështu që presim një proces më të shkurtër në afat kohor, por kjo nuk varet vetëm nga ne, por edhe nga KE e të tjerët”, u shpreh ai.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu