Dëshmia tronditëse e 16-vjeçares: U trafikova dhe u dhunova nga kriminelë dhe biznesmenë

0
584

Dëshmia tronditëse e 16-vjeçares M.K. Si nisi historia e trafikut dhe si u kërcënua se nëse do ikte do i merreshin organet dhe trupi do të mbushej me tallash t`i sillej familjes.

M.K është vetëm 16 vjeçe. Është një prej dëshmitareve fatkeqe, që ka marrë guximin të dalë sipër gjykimit të qindra bashkëjetuesve të saj, të shpërtallojë ‘turpin’ që lidhet me një skandal trafikimi që ndodh jo më vonë se në vitin 2013. Me sytë e nxirë, mbase të nxirë që prej një viti, ajo është lajmëruar se do të takohet me një gazetare. Duket se ka një zgjuarsi të lindur, ndërsa drama e saj e ka bërë jo vetëm të fortë e kurajoze, por edhe shumë herë më të zgjuar se sa ia do mosha.

Është koshiente se gazetarët edhe mund të abuzojnë me historinë e saj, edhe mund ta përdorin historinë e saj, por në mes të këtyre dy fakteve, ajo ka edhe një tjetër frikë të madhe; zemërimin e autoriteteve që po hetojnë trafikimin e saj, historinë çnjerëzore dhe superkriminale që ndodh në mes të Delvinës dhe Athinës.

Ulet dhe porosit një çaj, pasi dihet kohën e ka të kufizuar. Ajo është e strehuar në një qendër top sekret, diku në periferi të Tiranës, ndërsa të vetmen shpresë që do ia dalë të demaskojë fytyrën e vërtet të të gjithë personave që e kanë trafikuar dhe dhunuar jo vetëm seksualisht, të të gjithë autoriteteve kompetente që kanë heshtur gjatë trafikimit të saj, skandalet e panumërta që lidhen me një grup të fuqishëm trafiku femrash, që gjendet mes Sarandës dhe përfundon në Athinë, ajo e ka te drejtësia.

Madje është e vetëdijshme se do ia dalë, duke treguar me emra, data, vendqëndrime, emrat e të tjera femrave që gjenden në rrjet, si dhe duke denoncuar personat që kanë hotele, në të cilët shfrytëzohen vajzat e këtij rrjeti. Madje te pronarët ajo ka edhe gurin e fortë, ku do denoncojë pazaret dhe kërcënimet deri me marrjen e organeve dhe kthimin e trupi të saj në Shqipëri të mbushur me tallash.

Historia e trafikut, sipas vajzës

Historia nis në shkurtin e një viti më parë, kur nxënësja e vitit të dytë gjimnaz njihet me Martin Buzherin. Djali, ndonëse vetëm 22 vjeç, merr përsipër t`i premtojë vajzës se do ta fejohej dhe martohej me të. Pritshmëritë e familjes për vajzën M. K në të vërtet ishin krejtësisht të tjera, pasi ajo konsiderohej një talent në të kënduar, mirëpo njohja me ‘djalin e ëndrrave’ i fundos shpresën. I dashuri i saj i kërkon që vajza mos të tregonte në shtëpi për lidhjen e tyre, fillimisht, dhe më pas nisi ta kërcënonte me vrasjen e motrës. E mbetur në kurth, vajza e pati të vështirë denoncimin në asnjë lloj autoriteti.

Me tre korrik M. K, niset me Martinin në drejtim të Athinës, ndërsa shoku i tij, Elton Zhupa (Ruçi) i kishte premtuar Martinit edhe vendin në të cilin do të qëndronte me vajzën e tij. Më 3 korrik të 2013-ës, çifti i të rinjve kalon në pikën doganore të Kakavijës. Në palën tonë, të rinjtë kalojnë lehtësisht, pa i penguar askush, ndërsa pala greke e kthen vajzën e mitur, pasi nuk kishte të njëjtin mbiemër me djaloshin që po kalonte. Vajza del në tokën shqiptare dhe tenton të telefonojë familjen. Aty e kupton se kishte rënë në kurthin e një rrjeti të frikshëm kriminal. Katër persona e rrethojnë vajzën dhe i marrin telefonin. Ia thyejnë dhe e fusin në makinën e tyre derisa të gjenin mundësinë e kalimit në pikën doganore greke.

Gjejnë një autobus, që vajza e ka denoncuar në prokurorinë e Sarandës dhe të Krimeve të Rënda dhe shoferi i autobusit, të një shoqërie të njohur, arrin ta kalojë të miturën në tokën greke. Mbërrijnë në Athinë. Aty e pret Elton Zhupa, një 35-vjeçar nga Koshani i Tepelenës, i cili kishte ndryshuar mbiemrin nga Ruçi në Zhupa. M. K, izolohet në një banesë me tri femra të tjera të cilat konsideroheshin si të fejuarat e Eltonit..!

Dosja

Çështja në ngarkim të Buzherit dhe e Elton Zhupës ka mbërritur tashmë te Krimet e Rënda. Ka nisur gjykimi, ndonëse seanca e radhës, e cila ishte katër ditë më parë u shty. Vajza pretendohet se do mbrohet nga shteti, pra më saktë nga prokurorja e çështjes, E. Ymeraj, ndërsa M. K, na tregon se, në të vërtetë, njëri prej personave më monstruozë ende nuk është arrestuar. Ajo denoncon me emër të zotin e një hoteli në të cilin është trafikuar: E quajnë B. T. Është rreth të 55-ve- thotë. Ai gjente klientë shokët të vetët, njerëz të pasur dhe i sillte. I njoh dhe ua mbaj mend të gjithëve emrat dhe të gjithë do i them para gjykatës”. Vajza ka dyshime të forta se rrëfimet e saj janë tjetërsuar, ndërsa i ka kërkuar të atit të kontaktojë zyrtarë të lartë të hetimit dhe të policisë.

Kam frikë se më vrasin familjen, super-krimineli është biznesmen

Je e sigurt këtu ku po qëndron tani?

Besoj se po dhe më kanë ndihmuar shumë ta marr veten. Ndjehem e përmirësuar dhe më japin goxha forcë, por kjo ndodh vetëm kur jam me ta. Më pas, kur qëndroj vetëm, dihet se si jam, çfarë kaloj nëpër mend dhe si e mendoj jetën time. Në të vërtet, për vete nuk kam më frikë, frikë kam vetëm për familjen time. Ata që më kanë trafikuar dhe që janë të arrestuar, nuk janë vetëm. Personat që janë jashtë janë më të frikshëm se sa ata të arrestuarit. Ata janë njerëz të pasur dhe e di se vështirë që do të vihen ndonjëherë në pranga, edhe pse unë do luftoj sa të kem frymë, duke i denoncuar me emra, me hotele dhe me të gjithë mbështetësit që patën aso kohe në polici.

Kur thua frikë për familjen, mendon se do t`i vrasin?

Po. Ata janë aq të frikshëm sa edhe mund ta bëjnë. Personat që janë jashtë dhe që njihen si biznesmen të fuqishëm, i thanë Martinit se s`ka gjë, e dërgojmë deri në Korfuz. Aty i bëjmë një operacion. Marrim ç`kemi për të marrë dhe më pas e mbushim me tallash dhe ua sjellim familjes së tyre. Kur iu shkonte mendja deri këtu, imagjino se çfarë mund të m`i bëjnë familjes sime.

Tashmë çështja e trafikimit tënd gjendet në duart e prokurorisë dhe të gjykatës. Dy personat kryesorë janë arrestuar. Do ia thuash gjykatës gjithçka me detaje?

Aq shumë i kam thënë nëpër polici dhe prokurori, sa tashmë nuk mund t`i harroj më sa të jem gjallë. Di gjithçka, po gjithçka me detaje, me data, vende, emra personash, hotelesh, vajzash, rrugësh, policësh dhe doganierësh, ( e ka fjalën për policët e dy pikave kufitare). Uroj të më dëgjojë gjykata dhe të sillen me mua sikur unë të isha fëmija i tyre. Pavarësisht se nuk e besoj këtë fakt, unë do i them të gjitha pa asnjë frikë dhe asnjë ndrojtje.

Kur thua punonjës policie, për çfarë policësh e ke fjalën?

Ishin dhe janë të gjithë në dijeni të ekzistencës së këtij rrjeti trafiku. Elton Zhupa nuk është person i panjohur në të gjithë zonën. Policia e Delvinës, e Kakavijës dhe e Qafë-Botës, të gjithë e morën vesh dhe askush nuk e ndihmoi tim atë të më gjente dhe as vetë nuk bënë përpjekjen më të vogël, pasi unë u trafikova për rreth 10 ditë në Sarandë.

Si dole nga kthetrat e tyre?

Nuk kishte rrugë tjetër; ata do më vrisnin. Ka luftuar shumë babi dhe munda të shkëputem një moment nga hoteli i B.T dhe të largohem. Më pas kam denoncuar. Martini u arrestua me drogë menjëherë pas denoncimit tim, ndërsa Zhupa është arrestuar tani vonë. Imagjino, ishte i shpallur në kërkim dhe qëndronte gjithë kohës në Delvinë dhe Sarandë dhe nuk arrestohej. I thonin babit t’u tregonte policëve vendin se ku rrinte Eltoni, pasi ata gjasme nuk e dinin.

Kush janë personazhet e trafikimit të M.K?

Më 28 gusht 2013 pas kallëzimit që bëri 16-vjeçarja M. K në policinë e Sarandës, prokurori J. Çafka kërkoi arrestimin e dy shtetasve: Martin Buzheri, 22 vjeç dhe Elton (Ruçi) Zhupa 35 vjeç, të dy banorë të Delvinës.

Policia prangosi Martin Buzherin pas një operacioni të shpejtë në qytetin e Delvinës dhe shpalli në kërkim Elton Zhupën. Sekuestrimet e para në mjetin e Buxherit, drogë dhe para në banesën e tyre me qira, një hotel- shtëpi në periferi të Delvinës, 58 mesazhet e kapura në 2 telefonat celularë, vunë në lëvizje policinë. Dëshmia tronditëse e 16-vjeçares përshkruante nga përdhunimi, te pazaret me pronarët grekë në qendër të Athinës: “Përdorim dhe survejim, klientë në dhoma dhe dhunë në raste të kundërshtimit, deri në goditje me thikë, shkelma dhe grushte”. Trafikimi nis në qendër të Athinës. Kontakti i parë i vajzës është një nga të fejuarat e Elton Zhupës, nga Gjirokastra, 24 vjeç, me arsim të lartë.

E thërrisnin Stela. Në rrëfimet e netëve ajo i kish folur M. K se quhej Anisa, se kishte një vëlla dhe se ata do t`ia vrisnin nëse largohej dhe tani nuk mund të bënte dot ndryshe. Rrjeti i prostitucionit përfshinte vajza nga rrethet e Përmetit, Durrësit e Gjirokastrës dhe Delvinës, të cilat pasi përdoreshin në motelet e Delvinës dhe hotelet buzë detit në Sarandë për klientët e gjetur nga tutorët, niseshin drejt Greqisë. Policia shoqëroi në komisariat disa nga klientët e deklaruar nga vajzat, banorë të Delvinës. Skandali përfshiu sipërmarrës, tregtarë, familjarë që kishin paguar 10.000 lekë ora për marrëdhëniet me vajzat.

Pas dokumentimit me hetimet e para dosja u përcoll në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë. Pranga vetëm Martin Buzheri, fëmija i vetëm i një çifti të divorcuar dhe të rimartuar, babai i tij në Delvinë dhe nëna në Igumenicë. Nën presionin e prindërve të M. K., që denoncuan vajzën të rrëmbyer në komisariatin e Delvinës, të afërm të Buzherit e komentuan si ikje për t`u fejuar me dëshirë. Në kushtet e kërkimit të vajzës ata u detyruan ta kthejnë me një tjetër grua pjesë të trafikut, e cila u paraqit si kushërira e Martinit, një grua e prezantuar si e fejuara e një greku. Nga Athina në Igumenicë me autobus, viktima M.K, u prit nga Buzheri dhe nëna e tij, e cila jeton atje me një grek. Pas kthimit në Qaf- Botë, ajo u detyrua të pohonte se ishte e dashuruar me Martinin, edhe pse mbi trupin e saj kishte shenja dhune.

I ati troket te Prokurori i Përgjithshëm dhe Ministri i Brendshëm

Babai i minorenes së trafikuar, dhunuar, përdhunuar dhe të droguar nga kapot e trafikut të femrave, shikon si personat e vetëm që mund të bëjnë diçka për të çuar drejtësinë në vend për rastin e vajzës së tij, vetëm kryeprokurorin Llalla dhe ministrin e brendshëm, Saimir Tahiri. Sipas të dhënave, mësohet se burri, i cili e ka lënë Delvinën që prej momentin që ka mundur të nxjerrë vajzën e tij nga trafikimi, akt ky që ka ndodhur pikërisht në Sarandë, ka kontaktuar me të dy eprorët e hetimit dhe të Ministrisë.

Mësohet se burri i ka vënë në dijeni të të gjithë skandalit që ka mësuar nga e bija e tij si dhe kalvarin e gjatë të përpjekjeve për të nxjerrë nga rrjeti të bijën vetëm 16 vjeç. Gjithashtu burri mësohet se ka bërë me dije emrat e të gjithë personave që janë përgjegjës për shkatërrimin e jetës së vajzës së tij, ndërsa në një prononcim për gazetën “Shekulli” ai bën me dije se do të luftojë derisa ta shkatërrojë përfundimisht rrjetin, ku janë mbërthyer me dhjetra vajza të tjera. Ai është personi që do të shoqërojë të bijën edhe në seancat gjyqësore që do ta thërrasë gjykata, ndërkohë që dosja voluminoze në ngarkim të trafikantëve tashmë ka nisur të shqyrtohet në Krimet e Rënda.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu