Dëshmojnë babai dhe vëllai i Bllacës

0
867

I ati dhe vëllai i të vetëquajturit kriminel si ish-pjesëtar i SHIKU-ut, Nazim Bllacës, Idriz dhe Osman Bllaca, janë paraqitur të enjten në cilësinë e dëshmitarëve në procesin, ku akuzohen gjashtë persona si vrasës e pjesëmarrës në dy tentim vrasje.

Këta persona akuzohen pas deklaratave publike të Nazim Bllacës, ndërsa procesi që po zhvillohet në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, është rasti i dytë pas këtyre deklarimeve.

Babai i Nazim Bllacës, Idrizi është marrë në pyetje në lidhje me kohën kur Nazim Bllaca është kthyer në Kosovë, përkatësisht për ngjarjet e vitit 2007-të dhe ato të 2009-tës.

Brenda kësaj periudhe kohore, babai i Bllacës ka treguar se kishte shkuar në shtëpinë e Hysri Ramës dhe te shtëpia e Shaban Sylës, pasi që ky i fundit e kishte paguar Hysri Ramën për ta vrarë Nazim Bllacën.

Ndonëse është marrë në pyetje për periudhën 2007-2009, Idriz Bllaca nuk ka treguar se ku ka qenë Nazim Bllaca në këtë kohë. Me Nazimin ai ka treguar se është ndarë në vitin 2000, ku më pas Nazimi ka jetuar në Lipjan, por ka mohuar se e ka përzënë djalin nga shtëpia për shkak të borxheve që kishte pasur ai.

Ndonëse që nga vitit 2000, ai ka jetuar ndaras me Nazimin, i ati i tij ka mohuar se djalin e kishte të sëmurë ndonjëherë.

Por, vëllai i Nazimit, Osmani ka pohuar se vëllai i tij rreth viteve 2002 dhe 2003 ka pasur probleme psikike për çka, sipas tij, është trajtuar nga psikiatri Fatmir Xhelili. “Por tash është më mirë”, ka thënë Osman Bllaca.

Si dëshmitar në gjykimin kundër Sadik Abazit, Fahredin Gashit, Shpresim Ukës, Shabana Sylës, Bekim Sylës e Driton Hajdarit, të cilët akuzohen për vrasjen e Salih Gashit dhe tentim vrasje ndaj Adem Salihajt e Ismet Arifit, Osman Bllaca ka rënë në kundërshtim në disa raste me deklaratën që e ka dhënë i vëllai i tij.

Derisa Nazim Bllaca pati deklaruar se Fahredini, Shpresimi, Dritoni e persona të tjerë kishin qenë në shtëpinë e tyre për ditëlindje të djalit, Osman Bllaca ka deklaruar se ata kishin qenë në shtëpi për të uruar lindjen e djalit.

Por, ky nuk kishte qenë rasti i vetëm kur të akuzuarit kishin shkuar te shtëpia e Nazim Bllacës.

Dëshmitari Osman Bllaca ka deklaruar se ata kishin shkuar edhe në vitin 2007, ku i kishin thënë të atit që të këshillojë Nazimin që të mos flasë se përndryshe do t’i bënin dëm në familje. Dëshmitari ka thënë se ka qenë vetë prezent kur për këtë sugjerim në shtëpi kishin shkuar Fahredin Gashi, Shpresim Uka, Driton Hajdari e Reshat Gashi.

Vëllai Osman Bllaca ka përfunduar dëshminë e tij derisa babai i Bllacës, Idrizi me dhënien e dëshmisë së tij do të vazhdojë edhe të hënën kur është caktuar mbajtja e seancës së radhës.

 

Nga Selvije Bajrami

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu