Detaje: Grupi radikal islamik planifikonte sulme terroriste në Kosovë

0
15

Pesë persona janë arrestuar nën dyshimin se po përgatisnin sulme terroriste në Kosovë.

Në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës thuhet se tek anëtarët e grupit janë gjetur armë anti-tankë, eksploziv, armë zjarri e dron.

KALLXO.com mëson se bëhet fjalë për një grup militantësh radikalë islamikë që po planifikonin të kryenin akte terroriste në Kosovë.

Burime të KALLXO.com thonë se 5 anëtarët e grupit janë shqiptarë dhe se dy prej tyre kanë qenë edhe më herët të arrestuar si pjesë e grupeve radikale islame.

Ende nuk është e qartë nëse grupi ishte pjesë ose kishte lidhje me ISIS apo organizata të tjera terroriste.

Pesë persona janë arrestuar gjatë ditës së sotme nga Policia e Kosovën nën dyshimin për përgatitje të veprave terroriste.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka njoftuar sot se pas një hetimi disa mujorë dhe zbatimit të masave të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit, me urdhër të kësaj prokurorie, është zhvilluar një operacion nga ana e Policisë së Kosovës, respektivisht nga Drejtoria Kundër Terrorizmit dhe janë arrestuar të dyshuarit.

Prokuroria Speciale tutje ka njoftuar se gjatë bastisjes janë gjetur materie eksplozive, armë të zjarrta dron, si dhe armë anti-tankë.

Gjithashtu, sipas prokurorisë ekziston dyshimi i arsyeshëm se të njëjtit persona kanë kryer veprat penale “Përgatitja e veprave Terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 138 paragrafi 1 të KPRK-së, lidhur me  veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” nga neni 129 paragrafi 1lidhur me nenin 31 të KPRK-së, si dhe veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”  nga neni 364  paragrafi 2 i KPRK-së.

PSRK, njofton se personat e njëjtë dyshohen edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Po ashtu, Prokuroria Speciale, brenda afateve kohore ligjore do të bëjë kërkesë për caktim të paraburgimit për pesë personat e ndaluar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu