Detit i ka dalë Pronari

0
757

Ka vetëm tre muaj në krye të komunës Kryevidh dhe derën ia kanë zënë shumë “pronarë”. Janë tetë pretendentë dhe në zyrën e Fatos Kajës i bashkon një kauzë: duan ujin dhe rërën e detit pranë brigjeve të Spillesë, Grethit e Domenit, mundësisht edhe disa pisha. Por, gjithashtu, i bashkon edhe “armiku” i përbashkët, pronari që i zotëron të gjitha këto me vendim të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, familja Jenisheri. Pas këtij mbiemri, “lufta” për pronën në tri bregdete të komunës Kryevidh bëhet edhe më e vështirë, sepse kjo familje është e panjohur për tetë pretenduesit. Po kaq e panjohur është edhe për kryekomunarin Kaja, por ai ka vendosur që gjithsesi ta njohë, sa kohë ekzistojnë shkresat zyrtare nga AKKP-ja, që ia konfirmojnë familjes Jenisheri ato prona. Apo… edhe nuk ia konfirmon. “AKKP nuk mund të konfirmojë nëse zonat kadastrale të lartpërmendura të jenë trajtuar apo janë në proces pranë këtij institucioni”, thuhet në një nga komunikimet zyrtare të AKKP-së dhe komunës Kryevidh, ndërsa vetë Kaja i sqaron ato të plota për gazetën “Panorama”. Është një sqarim që në fakt ka nisur nga dita e djeshme, pasi së njëjtës familje i është kthyer si pronë toka në bregdetin e Gosës (Vilë-Bashtovë), në vend të parcelave të bukës në komunën Kryevidh (Greth). Denoncimi ishte bërë që një vit më parë nga katër funksionarë të Gosës, njëri prej të cilëve, para zgjedhjeve ishte sekretar i Këshillit, Eqerem Deliu, ndërsa tashmë është kryetar i komunës. Me funksionin e ri, Deliu thotë që ka rifreskuar dokumentet dhe ua ka kaluar institucioneve përkatëse që ta zgjidhin si çështje, ndërsa duket se kryekomunari tjetër, Kaja, ia ka nisur gjithçka nga “A”-ja, por brenda pak javësh ka ecur shumë. Ka ecur, por edhe ka ngecur…
Familjes Jenisheri i janë kthyer 47 dynymë tokë pranë bregdetit të Spillesë, një pjesë e të cilave i përkasin komunës që drejtoni, Kryevidhit. Si kryetar komune, a jeni në dijeni se ku ndodhen saktësisht këto prona?
Disa prej tyre janë në komunën Gosë dhe disa i përkasin komunës Kryevidh. Se ku ndodhen këto prona e di, se janë edhe persona të tjerë që i pretendojnë përditë dhe më vijnë te zyra me dokumente nëpër duar. Por ajo që nuk di se ku ndodhet dhe nga vjen, është familja Jenisheri.
Në ç’kuptim?
Në kuptimin më të thjeshtë. Në gjendjen civile të komunës Kryevidh nuk ekziston asnjë banor me mbiemrin Jenisheri. Kjo është zyrtarisht. Ndërsa, nëse jashtë këtyre dyerve pyet edhe banorët më të vjetër të fshatit, kjo zonë nuk ka njohur ndonjëherë pronar toke me këtë mbiemër.
Por familja Jenisheri prej gati 3 vitesh rezulton pronare tokash në disa fshatra bregdetare të komunës suaj?
Po, si pronar rezulton në fshatin Rreth-Greth, në fshatin Domen dhe në Spille. Vetëm vijë bregdetare disponon 2.5 km, gjithmonë sipas vendimit të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të pronave.
A mund të na e vini në dispozicion këtë vendim dhe dokumentet shoqëruese të tij?
Me gjithë dëshirë po t’i disponoja.
Pse nuk i dispononi?
Sepse nuk kemi asnjë lloj dokumentacioni në zyrat e komunës Kryevidh për këto prona.
Si mund të ndodhë kjo?
Ndodh, siç ka ndodhur në rastin e komunës sonë. I kemi dërguar zyrtarisht dy herë një shkresë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave që të na dërgojë informacion mbi pronat e regjistruara, kopje të hartave treguese, si kopje të dokumentacioneve të tjera, me anë të së cilës i ka kthyer tokat pranë bregdetit familjes Jenisheri, por nuk kemi arritur t’i marrim.
Konkretisht, cila ka qenë përgjigjja e AKKP-së?
Që për zgjidhjen e kësaj çështjeje duhet t’u drejtohemi organeve gjyqësore.
Mbi ç’baza ligjore e argumenton këtë përgjigje AKKP-ja?
Vendimi në fjalë, duke qenë se nuk është ankimuar nga subjektet e parashikuara në ligjin 9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” të ndryshuar dhe në zbatim të vendimit nr. 27, datë 26.05.2010 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, përbën titull ekzekutiv.
Dhe pse nuk është çuar kjo çështje në gjykatë?
Çështja duhej të ishte ankimuar brenda 15 ditësh nga vendimi i AKKP-së dhe tashmë kanë kaluar 3 vjet. Gjithsesi, unë mund të flas vetëm për periudhën nga muaji korrik e këtej, kur edhe jam mandatuar.
Po në arkivin e komunës suaj, çfarë ka rreth këtyre pronave?
Jua thashë, asnjë lloj dokumentacioni.
Mendoni se ato kanë ekzistuar dhe mund të jenë lëvizur nga arkivi, apo nuk kanë qenë asnjëherë?
Jam i bindur që nuk kanë qenë asnjëherë. Këtu kam gjetur çdo lloj dokumenti të protokolluar dhe unë nuk mund të hedh baltë mbi paraardhësin tim.
Pse jeni kaq i sigurt?
Sepse nga informacionet që kam marrë nga stafi i punonjësve, edhe paraardhësi im në këtë komunë ka pasur të njëjtin problem. Pra, këto prona të regjistruara në emër të familjes Jenisheri janë një problem i trashëguar në komunë.
Gjithsesi, gjykata i ka të hapura dyert në çdo kohë…
I ka të hapura, por nuk kemi ne se çfarë dokumentacioni të hapim në gjykatë. Ndaj kemi këmbëngulur për kopjen e dokumentacionit, sepse nuk mund të paraqitemi me fjalë para gjyqit, por vetëm me fakte.
Pak më parë thatë që i keni shkruar dy herë AKKP-së. Në të dyja herët, njësoj ka qenë përgjigjja, që t’i drejtoheni gjykatës?

Faksimile e përgjigjes nr. 2 të AKKP-së

Po e sqaroj më me detaje, edhe pse bëhet fjalë pak a shumë për të njëjtën gjë. Në shkresën e parë dërguar AKKP-së kërkuam pavlefshmërinë e vendimit nr.276, datë 10.09.2008 të ish-ZRKKP, qarku Tiranë, në emër të subjektit të shpronësuar Naime Jenisheri. Përgjigjja e kësaj shkrese, të cilën e thashë më lart, d.m.th. që duhet t’i drejtohemi gjykatës, na erdhi më 29.07.2011. Pasi pamë përgjigjen dhe për në gjykatë na duheshin kopje të dokumenteve, atëherë vendosëm që t’i bëjmë një tjetër shkresë zyrtare AKKP-së, duke i kërkuar pikërisht ato. Pra, herën e dytë, si komunë, kërkuam konfirmimet me dokumentacionin përkatës për Zonën Kadastrale Nr. 3175, fshati Rreth-Greth, me numër pasurie 40.42,43,46/14 dhe 46/15, Zonën Kadastrale Nr. 3501, fshati Spille, me numër pasurie 1,4,35,37,178 dhe 97, si dhe Zonën Kadastrale Nr. 1512, fshati Domen, me nr. pasurie 99 dhe 14.
Pra, cila ishte përgjigjja e AKKP-së për herën e dytë?

Faksimile e përgjigjes nr. 1 të AKKP-së

Në datën 12.08.2011, AKKP-ja na solli këtë përgjigje (citon shkresën e AKKP-së): “Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nuk zotëron një bazë të dhënash dixhitale hartografike, ku të jetë i pasqyruar çdo vendim i dhënë nga ish-komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronave, ish-pronarëve, si dhe pretendimet e subjekteve të shpronësuara, duke u nisur nga prona apo vendndodhja konkrete e pronës. AKKP aktualisht disponon një bazë të dhënash dixhitale të tilla që mundëson dhënien e informacionit duke u nisur nga emri i subjektit të shpronësuar dhe konfirmon nëse ka një vendim të mëparshëm apo ka kërkesë në proces shqyrtimi për njohjen, kthimin dhe kompensimin e pronës nisur vetëm nga informacioni që i referohet identitetit të subjektit të shpronësuar. Sa më sipër, nisur nga të dhënat e dërguara, AKKP nuk mund të konfirmojë nëse zonat kadastrale të lartpërmendura të jenë trajtuar apo janë në proces pranë këtij institucioni”.
Kur nuk mund të konfirmojë AKKP, si i bëhet në këto raste?
Kjo më duket fiks një pyetje për Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Thatë në fillim të intervistës se për pronat që i janë kthyer familjes Jenisheri ka edhe pretendentë të tjerë. Sa të tillë janë dhe çfarë pretendojnë?
Do të thosha se janë tetë të tillë, pasi bëhet fjalë për sipërfaqe të mëdha toke pranë bregdetit.
Vetëm pranë bregdetit?
E çuditshme, në fakt, askush nuk po kërkon që t’i kthehet toka bujqësore, vetëm pak km larg bregdetit, apo kodrat. Janë gati të ta falin atë dhe veç të zihen të gjithë për rërë dhe ujë deti. Të gjithë kërkojnë që t’u kthehet toka pranë rërës dhe pishave, dhe pretendojnë se është tyrja, kur dihet publikisht se ajo zonë ka qenë dikur kënetë, moçalishte, që është tharë gjatë viteve të monizmit me punë vullnetare. Pra, është tokë publike.
Ku ndodhet kjo tokë publike?
E gjithë vija bregdetare, nga Vilë-Bashtovë e komunës Gosë dhe vijon me Rreth-Greth, Spille e Domen e komunës sonë, Kryevidh. Madje, kthimi i pronës që i është bërë familjes Jenisheri, gjithnjë nëse ekziston kjo familje, është futur “pa dashje” edhe në det. Ka marrë pishat, kallamishtet, rërën dhe ujin e detit…
Që do të thotë?
E kishit thënë ju dje në gazetë, fiks “detit i ka dalë pronari”. Do të doja të mos flisja më tej për këtë çështje derisa të kem dokumentacionin e plotë, pasi në të kundërt mund të dukem paragjykues. Që në fakt, nuk jam aspak.

48 dynymë
Është sipërfaqja e tokës pranë brigjeve të detit të Vilë-Bashtovës, Spillesë, Rreth-Grethit dhe Domenit, që i është kthyer familjes Jenisheri 3 vite më parë nga AKKP-ja.

8 “pronare”
Pretendojnë se janë trashëgimtarë të ligjshëm të tokave të kthyera të familjes Jenisheri. Dy kryekomunarët e Gosës dhe Kryevidhit, demokratit Deliu dhe socialistit Kaja, theksojnë se këto toka janë prona publike.

ELISABETA ILNICA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu