Devollët financuan AAK-në dhe FER-in

0
512

Kompania private “Devolli Group”, nën hetime nga njësiti për krime ekonomike i EULEX-it, ka financuar në zgjedhjet e fundit Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe partinë Fryma e Re (FER), derisa dy vjet më parë patën financuar fushatën e partisë, e cila sot është në pushtet Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

Kompanisë, e cila ka financuar partitë politike, prokuroria e EULEX-it i ka ngritur një aktakuzë për pesë vepra penale ku përfshihet krim i organizuar, mashtrimi e falsifikimi me dokumente në një kontratë të kësaj kompanie me Postën dhe Telekomit e Kosovës (PTK).

Përfaqësuesit e partive që kanë marrë para nga kjo kompani thonë se nuk e kanë ditur se “Devolli Group” është nën hetime edhe pse bastisjet nga EULEX-i ishin bërë disa muaj përpara se të fillonte fushata elektorale.

Ish-themeluesi i partisë FER, Shpend Ahmeti, e vë në dyshim që partia e tij të ketë ditur për hetimet e njërit nga dy financuesit më të mëdhenj të tyre.

“Ndoshta edhe nuk kemi qenë të vetëdijshëm për hetime ndaj një donatori, por ne nuk kemi qenë dhe nuk jemi institucion i hetuesisë, dhe po ashtu hetimet nuk nënkuptojnë automatikisht edhe fajësinë”, ka thënë për ‘Zërin” Ahmeti, që me shuarjen e FER-it kaloi në Lëvizjen “Vetëvendosje”.

Ndërkaq zëdhënësi i AAK-së, Ernest Luma, ka thënë: “Ne si parti nuk marrim rolin e arbitrit e të vendosim se kush është fajtor apo jo. Si çdo parti tjetër, në kohë të ndryshme, sidomos në kohë fushatash ne pranojmë, në mënyrë të ligjshme gjithherë, financa nga bizneset pa prejudikuar për hetimet që zhvillohen ndaj dikujt se si do të përfundojnë ato”.

Në Kompaninë “Devolli Group” nuk kanë pasur përgjigje nëse kanë pasur pengesa ligjore të financonin fushata politike sa ishin nën hetime për krim të organizuar.

As në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nuk kanë përgjigje nëse një veprim i tillë është i ligjshëm apo jo. Në një përgjigje me shkrim të këtij institucioni për “Zërin” vetëm është thënë që nëse kjo formë e financimit të partive nga kompani nën hetime është e jashtëligjshme, paratë duhet të kthehen.

Këtë situatë nuk ka dashur ta komentojë as Agjencioni Kundër Korrupsion (AKK). “Financimin e partive politike si dhe problemet tjera rregullohen me Ligjin për Financimin e Partive Politike, AKK-ja me këtë ligj nuk ka kurrfarë kompetencash”, ka thënë për “Zërin” drejtori i kësaj agjencie, Hasan Preteni.

Derisa njëri nga themeluesit e partisë FER, që tash punon me kontratë si këshilltar i presidentes Atifete Jahjaga, Ilir Deda, nuk ka pranuar të flasë për financat e partisë së tij të shuar, bashkëdrejtuesi tjetër i saj, Shpend Ahmeti, pranon kushtet e KQZ-së.

“Në qoftë se organet e drejtësisë vlerësojnë diçka të paligjshme, atëherë ne do t’i ndërmarrim të gjitha masat për t’i pastruar gjërat, edhe pse FER nuk ekziston më”, ka thënë Ahmeti në përgjigjen e tij për paratë e FER të marra nga “Devolli Group”.

Kontrata për të cilën nisen hetimet ndaj kësaj kompanie është ajo e cila solli operatorin virtual të telefonisë mobile publike në vend, “Vala 900”, që në publik njihet si “Z-Mobile”.

Aktakuza kundër pronarëve të “Devolli Group”, kryetarit të bord të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj e kryeshefit ekzekutiv të kësaj korporate multi-milionëshe, Shyqyri Haxha, është duke u lexuar para gjykatës për konfirmim. Bastisjet për këtë kontratë në zyrat e “Devolli Group” e PTK-së u bënë në korrik të viti të kaluar disa muaj para nisjes së fushatës zgjedhore.

Devollët financojnë pozitën e opozitën

Sipas raportit të auditimit të deklarimeve financiare të partive kosovare për zgjedhjet e përgjithshme të viti 2010 bërë nga kompania private “Audit&Conto”, familja Devolli dha 25 mijë euro për këto dy parti.

Për AAK-në me dorën e vetë 20 mijë euro i dha Shkëlqim Devolli në kohën sa ishte nën hetime. Në po të njëjtën kohë, për partinë FER tri herë më pak dha kompania e tij, “Devolli Group”, që ishte njëri ndër dy financuesit më të mëdhenj të kësaj partie.

Për FER Devollët dhanë 5 mijë euro, aq sa dhanë edhe “Dukagjini Group”, derisa kjo parti ka deklaruar që ka pasur donacione në të holla në vlerë prej 51,226.42 €.

Devollët në zgjedhjet lokale të viti 2009 patën financuar edhe fushatën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Korporata “Devolli” në raportin e auditimit të kompanisë “Universum”, e cila u angazhua nga KQZ-ja, figuron si financues i Degës së PDK-së në Pejë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu