Dhuna e serbëve, hakmarrje për dështimin e Millosheviçit në Ballkan

0
995

pellumb_xhufi

Historiani Pëllumb Xhufi vlerëson ekipin kombëtar, që i riktheu Shqipërisë dinjitetin e nëpërkëmbur nga politika në 22 vitet e fundit. Rama të thotë ‘të vetën’ lidhur me turpin e Beogradit

Historiani Pëllumb Xhufi dënon ashpër reagimin serb në ndeshjen Serbi-Shqipëri të zhvilluar në stadiumin “Partizani” të Beogradit. Në një intervistë për “Shekullin” ai pohon se ajo çka ndodhi në Beograd ishte shpërthimi më i dhunshëm i nacionalizmit serb, i cili shfrytëzoi një veprimtari sportive për të “marrë hak” ndaj dështimeve të tij në të gjitha frontet gjatë fundshekullit të shkuar, veçanërisht në Kosovë. Po kaq i padrejtë ishte dhe qëndrimi i krerëve të politikës serbe, shton Xhufi, të cilët me reagimet e vrazhda treguan se ndeshja e futbollit ishte për ta thjesht një pretekst për të artikuluar qëndrimet e zakonshme nacionalshoviniste ndaj shqiptarëve. Historiani Xhufi vlerëson qëndrimin e futbollistëve shqiptarë ndërsa pohon se: “në 40 minuta ata djem ngjallën dhe ndërtuan atë çka politika ka shkatërruar në këta 22 vitet e fundit, dinjitetin kombëtar”. Mbrojtja e flamurit sipas tij, ishte gjëja më e drejtë dhe më e moralshme.

Zoti Xhufi cili është komenti juaj për atë që ndodhi në stadiumin e Beogradit dhe pas ndeshjes Serbi-Shqipëri?

Ajo çka ndodhi në Beograd ishte shpërthimi më violent i nacionalizmit serb, një prej nacionalizmave më agresivë të pasluftës, i cili shfrytëzoi një veprimtari sportive për të “marrë hak” ndaj dështimeve të tij në të gjitha frontet gjatë fundshekullit të shkuar, veçanërisht në Kosovë. Ishte një koncentrat urrejtjeje, i cili drejtohej sa kundër shqiptarëve, aq edhe kundër kroatëve, boshnjakëve, sllovenëve, maqedonasve, malazezëve. Madje edhe kundër komunitetit ndërkombëtar dhe veçanërisht kundër NATO-s, siç e tregoi edhe djegia e flamurit të saj prej turmave të huliganëve serbë. Kjo ngjarje jo rastësisht ndodhi kur në Serbi vihet re një rikthim i politikës në pozitat radikale të kohëve të Milosheviçit. Me sa duket, ardhja në skenën politike e liberalit Xhinxhiç, në vitin 2001, ishte një “pranverë e shkurtër”. Pas vrasjes së tij të organizuar pikërisht nga ato grupet mafioze e kriminale, që organizuan edhe natën shqiptare të “Shën Bartolomeut”, politika serbe u pushtua përsëri nga përfaqësuesit më radikalë të nacionalizmit serb: emrat dhe CV-të e personazheve, si Nikoliç, Vuçiç e Daçiç flasin shumë.

Si e vlerësoni qëndrimin e shqiptarëve gjatë kësaj ndeshje, por dhe flamurin që u valëvit mbi stadium? 

Shikoni, në 40 minuta ata djem ngjallën dhe ndërtuan atë çka politika ka shkatërruar në këta 22 vitet e fundit, dinjitetin kombëtar. Në ferrin e ulërimave, sharjeve dhe fyerjeve të një stadiumi të tërë, ata kënduan me një frymëzim hyjnor himnin kombëtar dhe triumfuan edhe aty mbi shurdhërinë e organizuar serbe. Nuk u konfliktuan me turmën e hazdisur, as me lojtarët serbë, por, kur huliganët e Ivan Bogdanovit u lëshuan në fushë për t’i linçuar, u treguan edhe atyre vendin duke mbrojtur me vetëmohim njëri-tjetrin dhe simbolet kombëtare. E quaj simbol kombëtar banerin që fluturoi mbi stadium, pavarësisht nga diskutimet e përligjura mbi autorët apo mbi mesazhin që ai përcillte. Lojtarët tanë panë të mbinte në qiell një flamur, ku e vetmja gjë që mund të dallohej nga larg ishte ngjyra e kuqe e flamurit dhe ajo e zezë e shqiponjës. Kështu na u duk të gjithëve, edhe neve që e pamë skenën nga pozita shumë më e qetë e komode e telespektatorit. Gjesti i tyre ishte i drejtë dhe i moralshëm: ata u turrën të shpëtonin nga përdhosja e demonstrimet poshtëruese flamurin kombëtar, për ta dorëzuar, siç bënë, tek autoritetet drejtuese të aktivitetit. Dhe për këtë ata vetëm mund të përgëzohen e të admirohen. Debati nëse ai ishte flamuri kombëtar apo “harta” e Shqipërisë etnike, nuk u përket atyre. Flamuri kombëtar respektohet e mbrohet si atëherë kur ai stampohet në Tiranë, ashtu edhe kur ai stampohet në Beograd, madje edhe kur stampohet në ofiçinat e UDB-së për qëllime të mbrapshta, siç mund të jetë edhe rasti i banerit që zbriti nga qielli, dhe që fillimisht u perceptua nga të gjithë si të ishte flamuri kombëtar shqiptar.

Ndeshja Serbi-Shqipëri është pasuar me reagime të forta të krerëve të politikës serbe kundër Shqipërisë. Si i konsideroni këto qëndrime?

Reagimet e drejtuesve serbë ishin të vrazhda dhe dilnin tërësisht jashtë kontekstit sportiv për t’u shtrirë ekskluzivisht në atë politik. Shenjë kjo që tregon se ndeshja e futbollit ishte për ta thjesht një pretekst për të artikuluar qëndrimet e zakonshme nacional-shoviniste ndaj shqiptarëve. Deklaratat e presidentit serb, Nikoliç, se shqiptarët duan shekuj për t’u bërë njerëz normalë, e kanë matricën tek teoritë naziste të “Untermensch”-it, të njeriut të pazhvilluar. Besoj se shumë politikanë në Bruksel do jenë shokuar nga deklarata të tilla. Të tjerë, që e kishin humbur sensin e realitetit, do kenë zbritur me këmbët në tokë. Në fakt, për shumë vite pas luftës në Bosnjë e mandej në Kosovë, komuniteti ndërkombëtar dhe veçanërisht BE-ja kanë zbatuar ndaj Serbisë politikën e “kurimit nëpërmjet përfshirjes”. Kështu, sa hap e mbyll sytë Serbia u përfshi në projektet e integrimit dhe sot është vend kandidat i BE-së, pa bërë as përpjekjen më të vogël për t’u çliruar nga demoni nacionalist. Pa kërkuar qoftë edhe një ndjesë formale për krimet e kryera ndër shekuj e deri në ditët tona, serbët nuk kanë munguar ta shprehin, herë hapur e herë nën buzë, vrerin e tyre ndaj shqiptarëve në përgjithësi.

Ndeshja e Beogradit ishte, siç pritej, një rast i papërsëritshëm për të organizuar një linçim spektakolar të shqiptarëve në të gjitha planet: në planin sportiv, politik e moral. Bënë gjithçka për të krijuar një klimë frike e intimidimi ndaj lojtarëve shqiptarë me shpalosjen e forcave të jashtëzakonshme ushtarake e policore sikur të bëhej fjalë për një betejë ushtarake. Menduan t’i shpartallonin moralisht djemtë tanë duke i vënë përballë një skenari, ku mungonte çdo gjë shqiptare, flamuri, himni, sportdashësi shqiptar; përpara një histerie kolektive, ku turma e ekzaltuar kërkonte vdekje e gjak shqiptari. Menduan se do i squllnin e do i trembnin, mendonin se golat e shumtë që do të shënonin tek porta e Berishës do t’i shuanin dyshimet e pakënaqësitë që do të shkaktonin në mjediset e UEFA-s mënyra e organizimit dhe e zhvillimit të takimit. Në fund, kur e panë se gjithshka dështoi, duke filluar nga përballja në fushë, lëshuan hordhitë e hazdisura të Arkanit për të kryer rrahjen e poshtërimin publik të djemve shqiptarë. Le ta themi hapur, ajo çka më së shumti i ka dhembur presidentit Nikoliç dhe të tjerëve, kanë qenë skenat kur djemtë shqiptarë, të mbledhur si grusht rreth kapitenit Cana, i rezistuan me burrëri huliganëve të dalë nga gjirizet e shoqërisë serbe. Deklaratat e tyre mund të kuptohen vetëm në kontekstin e një skenari të dështuar.

Po për sa i përket reagimit të politikës shqiptare… 

Reagim i matur, i distancuar, i kujdesshëm për të mos rënë në provokimin e palës serbe. Uroj që drejtuesit tanë të kenë bërë mirë edhe punën tjetër, atë të informimit e sqarimit të partnerëve për këtë ngjarje, që jo menjëherë dhe jo nga të gjithë u kuptua drejt.

Çfarë qëndrimi duhet të mbajë kryeministri Rama gjatë vizitës së tij në Beograd? 

Kam parë shumë analistë e politikanë, që këto ditë janë vënë në garë për “t’i dhënë mësim” Ramës se ç’duhet të thotë e të bëjë në Beograd. Unë nuk e marr përsipër ta bëj një gjë të tillë. Them, se më shumë se “zërin e masave”, Rama duhet të dëgjojë zërin e arsyes dhe të arsyeve që përcaktojnë lëvizjet e politikës së jashtme të një shteti anëtar të NATO-s. Kur Shqipëria hyri në NATO, pati tek ne edhe ndonjë politikan kokëtul që e kuptoi këtë ngjarje si një mundësi për t’u kreshpëruar ndaj fqinjëve dhe për t’i kërcënuar ata me “luftën e NATO-s”. Sigurisht, Rama nuk do shkojë në Beograd me këto mend, për këtë jam i sigurt. Uroj që të përqendrohet tek axhenda e paracaktuar, pa ndodhur ngjarjet e ditëve të fundit. Natyrisht, besoj dhe dëshiroj që ta thotë “të vetën” edhe lidhur me ngjarjen e turpshme të Beogradit. Madje, të thotë edhe diçka, që i ka mbetur pa thënë gjatë intervistave e deklaratave të ditëve të fundit. Por çdo gjë me masë: sit modus in rebus!

A konsiderohet rastësi që një ndeshje futbolli bëhet shkak për të nxitur destabilizimin e rajonit? 

Mos nxitojmë të flasim për një destabilizim të Ballkanit. Sigurisht, kanë pësuar një “shkundje” marrëdhëniet shqiptaroserbe, por tashmë edhe kjo nuk përbën një lajm. Deri tani, nuk kemi parë asnjë gjest miqësor nga pala serbe. Ne e urojmë që gjërat të ndryshojnë për mirë dhe duam të besojmë se edhe vizita e z. Rama në Beograd do të jetë një rast për ta bërë një kthesë të tillë. E kam fjalën kryesisht për palën serbe, e cila është më së shumti përgjegjëse për gjithçka nuk ka shkuar në marrëdhëniet shqiptaro-serbe, tash e dhjetë shekuj. Ndaj, krahas përpjekjeve të sinqerta nga ana jonë për të ndryshuar kursin e gjërave, nuk duhen neglizhuar edhe mesazhet shqetësuese, që na vijnë nga ngjarje, si ajo e Beogradit.

 Si e vlerësoni deklaratën e Putin në lidhje me Kosovën? 

Përsëritje e një meseleje të vjetër: “vëllezër me serbët, në fe e në racë”, siç tha dikur edhe ish-presidenti Jelcin, kur komentoi përkrahjen që Rusia i jepte fushatës vrastare të Milosheviçit në Kosovë.

Po qëndrimet e grekëve, pati dhe një notë proteste ndaj Shqipërisë?

Edhe kjo është një riedicion i asaj që publicisti grek Taqis Michas e quan “aleanca e pëgërë”, dhe që prej vitit 1860 aktivizohet rregullisht mes Serbisë e Greqisë. Sigurisht, kundër shqiptarëve.

Përtej kontekstit historik që mori ndeshja Serbi-Shqipëri, çfarë i sugjeroni UEFA-s, në lidhje me gjykimin që do japë në 23 tetor?

Mendoj se edhe UEFA ka diçka për të ndrequr në biografinë e saj të re. Ky është rasti.

Nga: Suela Topi

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu